LOJA E STËRHOLLUAR / SHISH bën qindra-mijra prova për të gjetur spiunët e rrezikshëm

21 July 2022, 18:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
LOJA E STËRHOLLUAR / SHISH bën qindra-mijra prova për të
Nje moment rrjedhjeje i pikasur nga SHISH

TIRANË – Mund të thuhet me plot gojën se shërbimet sekrete shqiptare më në fund kanë kapur një nivel profesionalizmi të denjë për një inteligjencë perëndimore dhe anëtare të NATO-s. Madje siç mëson Patronazhisti, zëra nga e kaluara e lavdishme kanë shprehur kënaqësinë që pavarësisht sistemeve të ndryshme politike, SHISH po barazohet me Sigurimin e dikurshëm.

Maja e profesionalizmit mësohet se është arritur gjatë fushatës së fundit të Shërbimit Informativ për të zbuluar rrjedhësit e informacioneve sekrete jo vetëm në Presidencë, por në të gjitha institucionet delikate të shtetit. Deri tani SHISH ka bërë publike përmes raporteve vetëm një pjesë të vogël të kësaj fushate. Ja si ka ndodhur në të vërtetë.

***

Në shkollat e spiunazhit të mësojnë se mënyra më e mirë për të verifikuar nëse dikush e rrjedh informacionin sekret, është t’ja japësh vetë atë, t’i lutesh në mirëbesim “sakën se ja thua njeriu, aman të keqen”, dhe pastaj të shohësh nëse ka mbërritur tek ata që s’duhet ta dinë.

Shërbimi Informativ raportoi se pikërisht kështu bëri me një rast të dyshuar në Presidencë: I dha atij individi një të dhënë shumë sekrete, dhe në vijim mori vesh se këtë sekret e kishin kapur shërbime të fuqive aspak miqësore; dmth, individi fuste ujë nga të gjitha anët.

Por këtu fillon pjesa e panjohur e operacionit. Sepse SHISH e përsëriti disa herë këtë skemë, për t’u siguruar tamam: Individit në fjalë iu dha edhe një sekret tjetër delikat, pastaj dhe një tjetër ultra-delikat. Ai po njësoj, ua çonte armiqve.

***

SHISH e kuptoi që kjo punë duhej marrë seriozisht. Operacioni u shtri në disa institucione. Me të njëjtin stil, Shërbimi u çonte zyrtarëve të dyshuar si spiunë në Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Brendshme, të Jashtme, Polici kriminale, te Anti-Droga e anti-Terrori, forcat komando, policia pyjore etj etj, informacione top-sekrete dhe pastaj priste të shikonte nëse ato rridhnin. E vërteta është që rrjedhjet ishin rrëke.

SHISH vijoi të priste copa dosjesh super-sekrete dhe t’ua jepte spiunëve. Disa qindra, pastaj disa mijëra. Shefat ishin të shokuar: Një shitje të tillë masive të sekreteve të shtetit nuk kishte parë ndonjëherë.

Por këtu filloi dhe problemi: Sekretet e SHISH, ato prej vërteti që ja vlenin barra qeranë, filluan të shterojnë. Krerët e shërbimit nuk dinin çfarë t’u jepnin më tradhëtarëve dhe operacioni rrezikonte të dështonte.

Atëherë SHISH, pasi i kishte bërë sekretet e veta qebap, kërkoi ndihmën e shërbimeve partnere.

Patronazhisti ka mësuar se spiunazheve të vendeve mike në NATO dhe BE u ka mbërritur kërkesa shqiptare, për dhënien e disa sekreteve hua, sa për të përmbyllur me sukses një operacion.

“Do t’jua kthejmë sapo të mbyllim ca vrima, jua paçim borxh”, thotë letra e SHISH.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-hafije


Video