KËRCËNIMI: Vrisidha zotohet ta rrëzojë Edvinin, ta vërë poshtë, t’i hypë sipër…

13 Korrik 2022, 17:38Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrisidha duke treguar pantallonat e lekures qe i dhane shperblim kur iku nga tatimet

TIRANË – “Këta janë zdromsa mi. Unë lashë luksin për të ndërtu kët vend mi. Kam ngjyer flokët, e ke pa? Jetë e re, ngjyrë e re, motra,” tha së fundi në një emision televiziv Vrisi e tatimeve, teksa shpjegonte misionin e saj të ri për të rrëzuar qeverinë e ndyrë të grabitjes rilindase.

Vrisi e tatimeve, që rilindja i dhuroi epitetin e pagabueshëm me të cilin do të identifikohet gjithë jetën, njësoj si Episa e doganave e plot të tjerë, në vijim elaboroi me elokuencën që vetëm modelingu mund të të ofrojë, se “fakirat e shkretë erdhën nga jashtë, kta shqiptarët mi, se thanë do bëhet nami në bujqësi, me sera e me para nga shteti. E hëngrën, dëgjon? I mashtruan mi!”.

***

Historia e saj – emrin e plotë e ka Vrisidha – është shumë interesante. Me karrierë domethënëse si arkëtare bankash, deri në shefe degësh, Vrisidha u gdhi drejtoreshë e përgjithshme e tatimeve kur Edvini mori pushtetin, me parimin tashmë të stërvërtetuar si të suksesshëm, “hë se mëson rrugës”. Të njëjtën gjë i tha Sajme Edvinit kur ja sugjeroi. Edhe Ahmet Arbenaj ja përforcoi, “mëson shef, mëson. Është e shkathët, i kap gjërat në ajër”.

Fakti është që edhe Sajme vetë, mësoi shumë shpejt rrugës, ndërsa Arbenaj është ende duke mësuar, por për punë javësh do marrë diplomën, burimet thonë për Patronazhistin.

Sa për Vrisidhën, ngjarjet treguan se ajo kishte nisur mësimet intensive hala pa e nisur mirë rrugën. Gjëja e parë që bëri te tatimet, ishte të gdhihej nja dy netë tek serveri bashkë me baba Takun, dhe të dhënat e bizneseve nuk u panë më nga vajtën. Gjasat janë që aty të ketë marrë dhe virusin e baba Takut, ndaj dhe bredh me çantë në dorë nga njëri destinacion në tjetrin. 

Atëherë opozita s’i la gjë pa thënë. Doktori e nxori dhe tek rubrika e vet Katunari Dixhital, por Vrisidha nuk e prishi terezinë, madje tha, “e ku qëndron problemi këtu, hë?”

Doli se kishte të drejtë; asnjë problem nuk kishte, sepse ditët e fundit Doktori po e promovon live jo më me katunarë dixhitalë, por me katunarë televizivë tek Qerpiku TV, e deri tek vetë shoumani Adi Trasta.

Vrisidha, e lindur në Sarandë dhe e rritur në krieqitet, u shkarkua kur Sajme mori tatëpjetën në fund të 16-ës. Por ama u shkarkua ashtu si di Edvini, i cili në fillim nuk të ul, por të ngre. E bëri zv.ministre Ekonomie, dhe Vrisi e tatimeve tha:

“Fola me Edvinin, ramë dakord që t’i jap një impuls të ri zëvendësministrisë, se ka mbetur prapa. Ja bëra të qartë, unë jam për punë ekipore i thashë, mos të kemi llafe”.

***

Paskëtaj mbeti pak mister se sa punë kreu dhe me çfarë ekipi punoi Vrisidha, derisa doli lajmi që ajo do fillonte si drejtoreshë informacioni te Sahati Njuz me president Ndrylli Oqin.

Kushtet i plotësonte, kështu thanë të gjithë. Informacione kishte boll, sipas mësimeve të baba Takut; drejtoreshë po kishte qenë. Se çfarë drejtoroi dhe informoi te televizioni i Ndryllit, nuk dihet. Por diçka nuk shkoi mirë, dhe Vrisi e tatimeve nuk thoshte dot, “e ku qëndron problemi këtu”.

Zinxhiri i zhvillimeve tregoi se Vrisidha kishte kuptuar thelbin: President për president, pse të mos shkonte tek ai i vërteti?

Dhe kështu bëri. Mori çantën, ngjeu flokët në ngjyrë gruri të sapokorrur dhe shkoi e i tha presidentit pe tamami:

“Zoti Agush, kam patur simpati për ju që kur isha anëtare e FRESSH dhe numëruese votash e PS-së. Po më bëre nënkryetare të partisë, unë ju premtoj se do zhvishem nga të gjitha konceptet e gabuara dhe bashkë do t’i qepemi Edvinit me bukë në trastë, do ta rrëzojmë, do ta shtrijmë mbërdhe, do t’i hypim sipër…”

“Dale dale vajzë,” e ndërpreu Agushi, “se ç’do bësh më prapa është puna juaj, mua deri tek rrëzimi më ke. Por nënkryetarllëkun do ta jap, se shof që nuk ka asnjë problem këtu”.

***

Që prej asaj dite, Vrisidha ka nisur një serial denoncimesh të qeverisë së zezë të rilindjes, që ka bërë namin në tatimet dhe doganat, dhe që ajo e luftoi sa mundi nga brenda, por tani do ta luftojë nga jashtë.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-tatimore, por edhe anti-doganore

Video