PROFIL / Karriera e rrufeshme e majmunit Kiko, drejt detyrës si zv.kryeministër!

18 July 2022, 11:06Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PROFIL / Karriera e rrufeshme e majmunit Kiko, drejt detyrës si

SARANDË / TIRANË / RAJON – Qyteti turistik i Sarandës dhe zonat përreth tashmë ndodhen nën pushtetin e majmunit Kiko. Të dhënat më të fundit për Patronazhistin bëjnë me dije se policia bashkiake nuk guxon më të qarkullojë nëpër qytet, pas shpullave që majmuni në fjalë i dha një skuadre të kësaj policie, ndërsa policia e Shtetit përpiqet të informohet për vendndodhjen e Kikos, para se të nxjerrë gjithë frikë ndonjë makinë të rrugores për të vënë ndonjë gjobë.

Mësohet se privatisht, kryetari i Bashkisë Gurmaz Gurma është ankuar se Kiko është arsyeja pse fluksi i turistëve ka rënë, ndërsa thirrjet drejtuar të ashtuquajturit pronar të majmunit, kanë marrë përgjigje negative.

“Nuk më dëgjon më. Kujtoja se isha unë i zoti i tij, por Kikua paska patur një plan shumë të hollë. Tani më rezulton që ai është pronari im,” tha i shkreti.

***

Burimet për Patronazhistin pohojnë se Kiko është bërë aktiv menjëherë pas lajmit se Butrinti është dhënë me konçesion nga qeveria shqiptare. Çuditërisht, paskëtaj Kiko ka nisur të shprehë armiqësi të hapur ndaj çdo instance pushteti, qoftë lokal apo qëndror.

Shpullat për policët bashkiakë janë vetëm maja e ajsbergut: Del se Kiko ka shqepur në dru drejtorë të kadastrës, juristë prokurimesh, drejtorin e portit të Sarandës, e madje dhe prefektin e qarkut Vlorë që rastisi në Sarandë një fundjavë.

Sipas faqes së Kikos në fejsbuk, fama ishte e menjëhershme dhe shërbimet e tij kundrejt një pagese serioze janë kërkuar edhe në Konispol, Delvinë, Finiq, Gjirokastër, Himarë dhe gjetkë.

Një përplasje ofertash ka ndodhur në Vlorë, ku Kiko është ftuar të japë shërbimet e tij si nga deputetët socialistë për të rrahur kryebashkiakun Lelo, ashtu dhe nga ky i fundit, për të zhdëpur në dru deputetët. Duke u ndjerë i tepërt, Kiko u ka sugjeruar palëve të rrihen mes veti dhe ta lënë rehat. I njëjti sugjerim i ka shkuar edhe dysheve të tjera si Erjon Braçe – Frida Krifca, Belind Këllici – Evi Kokalari, Sali Berisha – Enkelejd Alibeaj, Edi Rama – Albana Vokshi, Strezi –Noizi, Çet Kastrati – Samir Mane etj.

***

Pasi ka kontaktuar me Interpolin, Policia e Shtetit bëri me dije se Kiko është një majmun me precedentë penalë. Ai mbërriti në Sarandë nga Korfuzi, ku kishte jetuar për disa vite me emrin Fotaq. Më herët, Kiko ka qenë edhe në Itali, ku me identitetin e rremë Xhixhi Shimione është marrë me tregti bananesh me kontejnerë.

Megjithatë, të dhënat për Patronazhistin thonë se ekstradimi është i vështirë, pasi edhe doganierët, policët, kryebashkiakët dhe deputetët grekë e italianë kanë pasur përvojat e tyre të hidhura me Kikon.

Në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Ministrave, nga ana e zv.kryeministrit Ahmet Arbenaj është hedhur ideja që Kikos t’i jepet statusi i majmunit strategjik, me shpresë se ky kushëri i njeriut do të qetësohet më në fund.

“Unë jam i mendimit që zoti Kiko e meriton këtë status. Ne kemi titulluar si strategjikë edhe majmuna të të tjerë, aktorë e këngëtarë, madje dhe familjarë të ministrave tanë, dhe nuk ka asgjë të keqe. Kiko është tip praktik, i shkathët, inteligjent dhe me shpirt sipërmarrës. Madje besoj se po të mos ishte majmun, Kiko me siguri do ishte Tigër,” deklaroi Arbenaj.

Por burimet thonë se kryeministri i ka kthyer një përgjigje që e kanë vënë Arbenajn në siklet.

“Po shumë mirë,” mësohet se ka thënë kryeministri, “përderisa qenka kaq i zoti, pse mos ta bëjmë zëvendëskryeministër?”           

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-turistike


Video