KËLCYRË / PËRMET / TRE URAT – Në vijim të suksesit të padiskutueshëm si ministre e Kulturës gjatë mandatit të kaluar të qeverisë Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ndrikulla Kumbara zuri sërish faqet e para të mediave botërore ditët e fundit, duke promovuar në fejsbukun e saj reçelin me nam të Këlcyrës.
“Rikthehemi tek reçeli me petale trëndafili i Sofikës. Vetëm kështu dita nis mbarë”, shkroi ministrja, duke bërë që asnjë shqiptari të mos i shkonte më në mendje aksidenti qesharak në plazhin e Potamit në Himarë, me të cilin po merren autoritetet përkatëse ndaj dhe njerëzit duhet të shpërndahen dhe të shikojnë punën e tyre.
Zonja Kumbara ndërkaq nuk ngurroi t’u përgjigjej edhe akuzave të lodhura të disave, që pretendojnë se agjencitë nën autoritetin e Ministrisë së saj nuk kanë kryer kontrollin e bregdetit siç parashikon ligji, duke i dhënë një dorë grirjes me helika skafi të një fëmije 7 vjeçe, e cila pikësëpari nuk duhej të ndodhej fare aty, buzë ujit.
“Akuzave dashakeqe të atyre që nuk duan të shohin sukseset e turizmit por merren me incidente të veçuara, ne u përgjigjemi me glikonë e Olimbisë në Përmet. Glikoja me arra bio, tashmë Olimbia shpërndan kavanoza me porosi deri në Çarshovë dhe Soropull”, deklaroi Kumbara.
***
Liderja e dikasterit që kujdeset për mjedisin dhe turizmin në gjithë territorin e Republikës, ka qenë gjithnjë në krye të detyrës, edhe kur koleget e saj ndrikulla në qeveri e kanë bërë pushim.
Zonja Kumbara në shumë raste ka promovuar turshitë me nam të Bualit, kompostot e Këlcyrës, fërgesat e Petranit, apo tavat e famshme të Frashërit, një emër ky që i kujtonte ministres edhe diçka kulturoro-patriotike, por që s’po i vinte ndërmend tani.
Në promovimin e parreshtur të turizmit dhe mjedisit shqiptar, ministrja nuk ka ngurruar të shkojë deri në pikën kufitare të Tre Urave, kur shkroi në fejsbuk se byreqet që bëhen në Tre Urat, konkurrojnë denjësisht me pitet e Kakavijës. Madje njëditëzaj Ndrikulla Kumbara ka guxuar të kalojë dhe kufirin e Përmetit, duke promovuar artizanatet dhe gjellët e Libohovës.
“Gjellët e Libohovës janë të lëpish gishtat, gati-gati konkurrojnë me ato të Përmetit,” deklaroi Kumbara, “ka vetëm një problem të vogël. S’ka kush t’i hajë se kanë ikur të gjithë banorët, kanë shkuar në Këlcyrë për një jetë më të mirë”.
***
Reagime guximtare dhe kurajoze ka bërë Ministrja edhe më herët, kur e kanë pyetur nëse Butrinti do të jepet me konçesion.
“Nuk ka konçesion, por një fondacion i krijuar nga ministria e Kulturës, që do të drejtohet nga një bord me 5 veta, njëri prej të cilëve i caktuar nga ministria. Mos përhapni tymnajë kot. Meqë ra llafi tek tymi, provoni pastërmanë e tymosur të Bënjës dhe do thoni, po, paska pasur të drejtë ministrja,” shkroi Kumbara.
Patronazhisti mëson se stoicizmi i Ministres së Turizmit dhe Mjedisit doli në pah edhe gjatë protestës së fundit për tragjedinë e Potamit, ku pjesëmarrësit mbanin pankartat “Kumbara Ik”.
Megjithëse sapo ishte kthyer në Tiranë, ministrja sypatrembur reagoi publikisht: “Po mirë, po iki. Do shkoj në Përmet të promovoj punimet me grep dhe perdet me dantellë të Krisullës. Dy mijë lekë çifti, kush të dojë të urdhërojë!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Por jo aq sa ministrja në fjalë