PO NDODH / Shkrihet Policia e Shtetit, luftën kundër krimit do ta bëjnë investigativët gazetarorë!

1 Shtator 2022, 16:03Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një investigativ gazetaror duke gazetaruar

TIRANË / SKRAPAR / FUSHË-KRUJË – Nuk ka asgjë personale në çështjen e shkarkimit nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Kështu mëson Patronazhisti, të cilit burime të sigurta që ai nuk ka ndërmend t’i zbulojë – nëse nuk i ofrojnë 200 mijë euro – i kanë bërë me dije se largimi i kryepolicit është vetëm hapi i parë i një serie të gjatë shkarkimesh.

Një projekt largpamës i qeverisë parashikon që shkarkimet të ndalen tek numri 10 mijë, ose ndryshe, deri tek efektivi i fundit i policisë së shtetit. Burimet saktësojnë se kjo trupë démodé dhe e mbetur pas kohe nga zhvillimet e vrullshme teknologjike dhe mediatike, do të çmontohet totalisht si e paaftë e madje, e panevojshme në zbulimin, parandalimin dhe komentimin e krimit.

Projekti parashikon që, me kosto shumë herë më të pakta dhe me efikasitet mijrafish më të madh, punën e policisë, sidomos pjesën e komentimit, do ta kryejë një trupë prej 5-9 investigativësh gazetarorë.

“Kjo trupë do të funksionojë si njëfarë gjykate kushtetuese e rendit dhe ligjit, prandaj duhet numri tek,” thanë burimet, të cilat Patronazhisti nuk i shet pa 300 mijë euro në dorë. “Në qoftë se do të ketë ndonjë mungesë unanimiteti dhe çështjet duhen hedhur në votë, atëherë krimi do të zbulohet dhe komentohet me shumicë të thjeshtë”.

***

Ideja për këtë gjetje revolucionare erdhi pas konstatimit të viteve të fundit, se investigativët gazetarorë janë shumë herë më të aftë, kanë shumë më tepër burime, numra telefonash, ide dhe fantazi në zgjidhjen e krimeve sesa policë-zinjtë që u ka ngelur ora në epokën qesharake, kur krimet zbuloheshin me fakte e prova.

Duke pushtuar ekranet, mediat sociale dhe ato asociale, investigativët përdorin arsyetime dhe shprehje që i kanë zili edhe organizata si FBI, CIA, MOSAD, Guardia Di Finanza etj etj.

Sa herë që diskutojnë krimet që kanë ndodhur, dhe ato që do të ndodhin së afërmi – edhe për këto të fundit ata kanë të dhëna shumë të sakta – investigativët gazetarorë thonë:

“Unë kam përshtypjen se… ka shumë mundësi që… nuk përjashtohet që krimi të ketë ndodhur për shkak se… nuk dua të flas pa fakte, por dyshoj që… logjika ime më thotë që… pavarësisht se gjurmët e gishtave nuk përkojnë, nuk do ishte çudi që…etj etj”.

Shpeshherë ata përmendin burime të sigurta në polici dhe prokurori, dhe po në të njëjtën fjali kritikojnë policë dhe prokurorë që nxjerrin lajme dhe dekonspirojnë aksione apo hetime. Ka raste kur investigativët gazetarorë përplasen edhe me njëri-tjetrin nëpër studio televizive, pasi njëri citon burime sekrete nga prokuroria, tjetri nga Policia e Shtetit; ndodh që një investigativ i tretë të futet në mes dhe të citojë burime nga Shërbimi Sekret.

***

Në raste të tjera, këta gazetarë rrace bëjnë reportazhe në mes të parcelave misterioze me hashash, apo mes paketave anonime me kokainë që policia ende nuk e di ku janë. Dhe që ata s’kanë ndërmend t’ua thonë pa 400 mijë euro.

Por arritja më e madhe e tyre, është gozhdimi i publikut para ekranit me përshkrimet e gjalla entuziaste dhe plot figura letrare që ata i bëjnë ngjarjeve kriminale apo personazheve të krimit.

Kështu, investigativët gazetarorë shprehen me superlativa dhe me një gaz që u lexohet në fytyrë kur flasin për atentatorë super të kualifikuar, tejet profesionalë, që qëllojnë direkt e në kokë, që nuk lënë dëshmitarë prapa, që bëjnë punë të pastër, që kërkohen shumë në treg sepse profesionisti i mirë kushton, ama i meriton paratë që merr etj. Ata mrekullohen kur komentojnë sesa i organizuar është krimi i organizuar.

Nga ana tjetër, ata lëshojnë jargë nga goja kur numërojnë deri në qindarkën e fundit pasuritë që kanë bërë në vite banda të ndryshme, grupime kriminale apo eksponentë të krimit. Investigativë gazetarorë përdorin folje të vetës së tretë në formën joveprore, kur thonë:

“Është llogaritur që, mendohet se, është bërë një kalkulim që… filan dhe fistëku ka kaq qindra milionë euro pasuri. Por po t’u shtosh këtyre dhe kaq mijë metra katrorë truall dhe aq vila e pallate, atëherë vlerësohet që…”.   

*** 

Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për investigativët gazetarorë. Dikur ata raportonin për sherret në bilardo, laheshin çdo 15 ditë dhe ndiqnin me vrap furgonët e policisë për të parë cilin të pandehur transportonin. Por me kalimin e kohës dhe shtimin e fantazisë, ata pasuruan garderobën, morën kredi duke përdorur si kolateral shtëpi shokësh, pa dijeninë e këtyre të fundit, dhe e çuan ritmin e larjes deri në një herë në dhjetë ditë.

Dora-dorës, erdhi koha që rolet u përmbysën. Ishin oficerët e policisë ata që ndiqnin me vrap makinat e investigativëve gazetarorë, me shpresën për t’u marrë ndonjë autograf dhe për t’iu lutur të ndërhynin për ndonjë post më të lartë. Dhe investigativët nuk ua prishnin, gjithnjë duke përdorur folje të vetës së tretë në formën joveprore:

“Për ty është menduar që… për rastin tënd është vendosur që… transferimi yt është llogaritur që….”.            

Përfundimisht, Patronazhisti mendon se ata e meritojnë. Sepse profesionisti i mirë kushton…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Megjithatë, nuk do ishte aspak çudi që…

Video