QEVERIA NË RREZIK / Çmimet e ushqimeve kacafiu; Çeti paralajmëron Ramën për shkarkim po vazhdoi me këto mend

29 August 2022, 13:13Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
QEVERIA NË RREZIK / Çmimet e ushqimeve kacafiu; Çeti
Çeti duke monitoruar punët e qeverisë

TIRANË – Atë paradite gushti, Çeti u kthye duke turfulluar në shtëpi, i plasi trastat e pazareve në tavolinë dhe i tha së shoqes: “Këta janë çmendur, ka vajt domatja 1200 lekë kilja. Mos më nxirr më për të psonisur se do rrah ndonjërin. Ky vend është bërë për të ikur një orë e më parë, po ç’e do që s’kemi moshë…”.

Ky në fakt, ishte vetëm një prej episodeve të kësaj vere që kanë acaruar në kulm tipin zakonisht të mbyllur dhe fjalëpak të Çet Transparentit. Në përgjithësi, fisi i Transparentëve është shquar për vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi. Dhe për transparencë, vetëkuptohet. Por dalja për pazare dhe përballja me çmimet e larta të ushqimeve, pijeve, elektroshtëpiakeve etj, e nxorri Çetin nga vetja.

Kështu, një tjetër episod që e bëri nervoz ishte ulja për kafe me Zamon. Pasi bënë një dorë muhabet, filloi zënka e natyrshme shqiptare: Jo po kafet i kam unë, jo po të ftova unë i pari, shiko se prishemi bashkë, të lutem mos ma prish se kam sebep, bleva frigorifer të ri etj etj. Në fund triumfoi Çeti. Por kur vuri re me kujdes faturën dhe pa se kafja ishte 1500 lekë, u zverdh dhe gati i ra të fikët.

Po atë ditë, u ul dhe bëri një llogari të vogël: Vetëm për kafe këtë muaj kishte harxhuar 120 mijë lekë!

***

Rritja e çmimeve të ushqimeve ishte vetëm njëra anë e shqetësimit të Çetit. Për një familje mesatare shqiptare, këtyre shpenzimeve u duhen shtuar edhe faturat e energjisë, ujit, pagesat për celularin, veshjet, këpucët, le pastaj tani që fillon shkolla, prindërit duhet të llogarisin edhe librat dhe mjetet e tjera.

Çeti vendosi të telefonojë Ramën. Kryeministri ja hapi me urgjencë. “Më thuaj Çet, po pak shpejt se jam në linjën tjetër me shefin e NATO-s, s’të mbetet qejfi besoj,” i tha Rama.

Çeti bëri një pauzë të vogël, pastaj filloi:

“Jo vlla, mua nuk më mbetet qejfi, se fundja privat jam, ju jeni të zënë se helbete, koka të mëdhaja. Por ki parasysh që kjo mund të jetë hera e fundit që flet me NATO-n. A do të rrish në qeveri akoma apo jo? Ça po bëjnë ministrat e tu? Çfarë janë këto çmime ushqimesh që kanë marrë malet? Ore jeni në terezi ju, do punoni apo si e keni hallin?”

Kryeministri u step. Nuk e kuptonte nëse tjetri bënte shaka apo e kishte me gjithë mend. Provoi njëherë ironinë:

“Mos më thuaj që je ngushtë dhe të del fundi i muajit cik më cik. Apo do t’u themi shokëve të mbledhin ca lekë për sadaka”, dhe qeshi i sforcuar.    

Por Çet Transparenti ja preu shkurt: “Jo zoti kryeministër! Shokët do t’i mbledh unë dhe do vendosim çfarë do bëjmë me tyja. E kam llafin për bordin. Ndoshta shtatori në opozitë të sjell në vete, shoku kryetar i qeverisë!”, dhe ja mbylli.

Nuk arriti ta fuste celularin në xhep, se ulëriti zilja. Ishte Rama. Çeti i foli rëndë: “Më thuaj pak shpejt, se po më mbaron oferta!” Kryeministri nga ana tjetër dukej tejet i sikletosur, se po i merrej fryma: “Po ça ke o vlla, po kush të ka mërzitur, thuaj vllait ti si e ke hallin?”

Çet Transparenti vendosi të flasë qetë:

“Po ta them shkurt, mjeshtër, do zoti nuk më ngrihen nervat në të folur e sipër. Puna është kështu, meqë ti nuk e kupton: Ky popull nuk i meriton ato çmime të llahtarshme. A e di ti që shumica e shqiptarëve mezi e mbyllin muajin? Si do ta blejnë naftën, gazin dhe benzinën time ata kur nuk u del hesapi për bukë?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që e pi kafen 700 lekëshe  

 


Video