ZGJIDHJA LOGJIKE / Çuçja shpjegon pse shkarkoi policin e ndershëm: Ishte tek pullë, gjithë të tjerët ishin të korruptuar!

8 September 2022, 14:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
ZGJIDHJA LOGJIKE / Çuçja shpjegon pse shkarkoi policin e
Çuçja duke i dhënë Nanos një dhuratë ditëlindjeje

TIRANË - Policë kokëshkretë, oficerë që dalin nga rreshti, që nuk veprojnë në harmoni me kolegët, që urrejnë dhe injorojnë punën në grup… Të gjithë këto vese ministri i Përbrendshëm ua kishte bërë të qarta shefave të policisë që kur mori drejtimin e dikasterit: Kush shfaq shenja si të mësipërmet duhet të japë menjëherë dorëheqjen ose do t’ia jap unë.

Megjithatë duket se porositë e Ministrit Çuçja nuk ishin ndjekur nga ish-drejtori i policisë. Ndoshta Gledisi mendoi se mbiemri Nano do ta ndihmonte disi që qeveria socialiste të tregonte njëfarë respekti për të dhe punën e tij. Por ja që nuk ndodhi kështu.

Rezultoi që ai i kishte të gjitha veset: Edhe nga rreshti doli, edhe punën në grup nuk e kreu, ndërsa harmonia me shefat e tjerë jo thjesht i mungoi, por stononte 100%.

Dhe fakti është që Çuçja nuk i duron stonaturat. Ai e thirri Nanon në zyrë për t’i kërkuar llogari, por drejtori i policisë doli prapë nga rreshti. Ai i tha: “Zoti Ministër, kam të dhëna se të gjithë shefat e policisë janë në borderonë e kriminelëve. Duhet vepruar menjëherë”.

Çuçja ç’është e vërteta u alarmua. Dhe veproi menjëherë. Në prani të Gledisit, mori në telefon drejtorin e financave në Ministri dhe e pyeti vrazhdë:

“Më thuaj këtu tani në vivavoçe, çfarë krimesh dhe zullumesh ke bërë, maskara! Paskemi lënë në borderonë tënde gjithë shefat e policisë dhe s’e paskemi ditur! Paskemi mbajtur gjarprin në gji! Uuu, leshpreri unë ç’më gjeti,” dhe çirrte faqet në telefon.

Kryefinancieri çuditërisht nuk e prishi terezinë, se ua kishte marrë dorën këtyre skenave:

“Unë kam bo zullume? Për Zotin jo, për çin të zej be zoti Ministër, ju më njihni mirë. Unë jom punë-shpi, shpi-punë, as kokën nuk e ngrej kur eci rrugës. Ju kanë gënjyer zotni! Mos më merrni m’qaf se do m’lini kalamajt rrugëve të Vjenës dhe të Parisit!”

Çuçja uli telefonin, ngriti supet dhe i tha kryepolicit:

“E shikon? Borderotë e rrogave tona janë të pastra. Kontrolloji mirë informatat, se nuk po i kupto hiç mirë kopetencat dhe detyrat, merr vesht!”

***

Takimi vazhdoi edhe pak. U përpoq Gledisi i shkretë t’i shpjegonte Çuçes se nuk e kishte fjalën për borderonë e rrogave të shtetit, po për të tjera fletore e shifra, kundrejt të cilave shefat harronin fare që kishin edhe rrogë për të marrë. Në fund, i dha fjalën që do fliste me shefin e madh, Edin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, dhe do takoheshin prapë.

Në zyrën e Edit gjeti dhe Bellën. Ua tha të gjitha, tëk e tëk e tëk.

“Drejtori i Policisë më tha që gjithë hierarkia e lartë merr lekë nga krimi i organizuar,” rrëfeu Çuçja, “dhe duhen marrë masa orgjente. E dinë dhe amerikanët, tha”.

Bella reagoi e para:

“Të gënjen,” tha prerë ajo, “e para e punës, krimi është çorganizuar komplet, nuk e shef që po vrasin njëri-tjetrin? Mos i beso, është mendjemadh ai. Na fliska dhe anglisht pale!”

Edi u mendua ca:

“Ç’është e vërteta… unë i kam dëgjuar dhe herë tjetër këto akuza. Por nga verifikimet e bëra, ka dalë se ata as i prekin me dorë lekët. Marrin vetëm euro. Dhe ndonjë dollar e stërlinë tek-tuk. Pra, dua të them, të dhënat e pasakta çojnë në konkluzione të pasakta, apo jo more shokë?”

Çuçja dhe Bella reaguan të entuziazmuar:

“E saktë! E ke qa! Sa bukur flet mor zot i madh! Je i madh shef. Ta shkarkojmë atë mendjemadhin. S’mund ta mbajmë atë dhe të heqim gjithë të tjerët. Ai e urren punën në grup dhe ky është kriteri i parë i një polici të suksesshëm. Na duhet një shef policie që di t’i rrumbullakosë shifrat”.           

***

Takimi i dytë i Çuçes me Gledisin ishte shumë i shkurtër. Sapo drejtori i policisë hyri në zyrë, Çuçja nuk e la as të ulej:

“Nuk ke arritur asnjë objektiv! Je i shkarkuar! Të mungon harmonia me kolegët! Ke hedhur baltë mbi borderotë tona të pastra! Refuzon të rrumbullakosësh shifrat! Ti si kriminel i rregjur, e ndoqe Sulon e shkretë dhe ai, që të shpëtonte veten, u hodh nga muri dhe u rrëzua me kokë…”.

Por vartësi i shkarkuar e ndërpreu: “Ke ngatërruar film zoti Çuçe. Po reciton Lulëkuqet mbi Mure. Ju mbani borderotë se unë po iki…”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike jo-harmonike


Video