SULMI KIBERNETIK / Qeveria siguron: Nuk kemi humbur asnjë të dhënë, Iranianët thjesht bënë një kopje!

3 Tetor 2022, 16:02Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Eri Dama duke siguruar shqiptarët se Irani thjesht bëri një kopje

TIRANË – Qeveria shqiptare nguli këmbë edhe një herë ditën e djeshme se sulmet kibernetike ndaj bazave të të dhënave qeveritare në çdo sektor janë zbrapsur me sukses, madje janë zbythur me turp, dhe shteti nuk ka humbur asnjë të dhënë.

“Iranianët u përpoqën të na bënin dëme, por nuk ja dolën. Për shkak të syçeltësisë dhe vigjilencës së pashoqe të ekspertëve tanë në bashkëpunim me FBI-në, të dhënat tona në gjendjen civile, shërbimet në e-Albania, komunikimet konfidenciale të zyrtarëve, baza e të dhënave sekrete të policisë, shërbimet inteligjente, sistemi i drejtësisë etj, janë tërësisht të paprekura”, deklaroi i emocionuar kryeministri Eri Dama.

Kryeministri e bëri këtë komunikim pasi hakerat iranianë publikuan gjithë databazën MEMEX të informatave sekrete të policisë shqiptare mbi personat e dyshuar, ata të skeduar për krime të ndryshme etj.

I pyetur mbi këtë skandal, Eri Dama deklaroi duke buzëqeshur:

“Po ça skandali mor aman, po ça gazetarësh jeni ju o derëzinj! Për sqarim, gjithë të dhënat që publikuan iranianët, i kemi edhe ne. Pra ata nuk kanë arritur të vjedhin asgjë. Në dëshpërim e sipër, ngaqë dështuan në planin e tyre djallëzor, ata thjesht bënë nga një kopje të të gjitha sistemeve tona, dhe po mburren me to!”

­­***

 Kryeministri Eri Dama vijoi sqarimin për reporterët kokëgdhë dhe gjithë shqiptarët injorantë që kanë ngelur ende në atdhe, se qeveria vijon të ketë akses të plotë në e-Albania, në regjistrin e gjendjes civile, në hipotekat etj etj.

“Për vetëm 2 milionë euro në muaj që na kërkojnë hakerat, ne mund të hyjmë e dalim kur të duam në databazat tona, puna vazhdon normalisht dhe të gjitha shërbimet janë operative. E ritheksoj, të gjitha të dhënat janë aty, nuk kanë humbur. Gjithçka nxjerrin në publik iranianët janë kopje, origjinalet i kemi ne,” insistoi Eri Dama.

Ndërkaq kreu i qeverisë e bëri të qartë se Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare nuk i vjen asnjë e keqe nga publikimi i të dhënave, qofshin ato dhe sekrete shtetërore.

“Po ju them diçka,” qeshi hidhur kryeministri, i mërzitur me naivitetin e popullit, “të dhënat që publikohen, nuk janë më sekrete. Rrjedhimisht, nuk kemi se çfarë sekretesh të humbasim, kur ato pushojnë së qeni të tilla. Pra, iranianët na marrshin të keqen”.

Në të vërtetë, kryeministri shprehu merak vetëm për një detaj.

“Kur thashë që nuk kemi humbur asnjë të dhënë, kjo është e vërtetë,” deklaroi Eri Dama, “kemi vetëm një siklet të vogël: Na ka humbur një faqe excel me listën e fermerëve që përfitojnë subvencione për grurin. Prandaj u bëjmë thirrje këtyre katnarve të aplikojnë prapë”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e pa-hackuar   

Video