SOLIDARITETI / Grinda Dumja përshëndet fitoren e Jorgjie Mellonit

26 Shtator 2022, 13:38Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputetja Grinda Dumja duke shkelur syrin e majtë dhe mbajtur hapur të djathtin me të cilin sheh më mirë

TIRANË / ROMË / MILANO / INTER – Nënkryetarja e e Lulzim Bashës së Partisë Demokratike të reformuar që u përmbys nga PD-ja tjetër dhe që rrjedhimisht shkarkoi dhe Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë e për pasojë e la edhe nënkryetaren të paqartë nëse është zëvendësshefja e PD-së apo thjesht një deputete që shkel syrin nga të gjithë anët në përpjekje për të marrë ndonjë sinjal aleancash politike, por që deri tani ka marrë duartrokitje vetëm për stilin e syshkeljes dhe për kombinimet e shkëlqyera të alta-moda’s në pasarelën parlamentare të koleksionit legjislativ vjeshtë-dimër 2022-23, pra politikania Grinda Dumja, ka përshëndetur sot fitoren e madhe në zgjedhjet parlamentare italiane, të kryetares së partisë Vllazën të Italjes, Jorgjie Melloni.

Pas këtij paragrafi hyrës me zero ndërprerje për frymëmarrje, që ngjason me ligjërimin kumbues të Grindës, e cila kur fillon të flasë i bën akrepat e sahatit me dhimbje koke, dhimbje mesi dhe shiatik, është me vend të theksojmë se ajo i dërgoi Jorgjies një video-mesazh të ngrohtë dhe miqësor.

***

“Unë si nënkryetare opozitare e një pjese të PD-së ku në fakt nuk kam qejf të bëj pjesë, sepse Luli është mashtrues dhe të gënjen edhe për orën, e jo më për ditën, të përshëndes ty zonja Jorgjie, për këtë fitore madhështore të së djathtës italiane. Meqë jemi tek ora, besoj se ka ardhur ora edhe për një fitore të së djathtës shqiptare sovraniste, që për hir të së vërtetës duhet drejtuar nga një grua e fortë me vlera konservatore,” thekson Grinda në mesazhin e saj.

Në vijim Dumja ndalet në bindjen e saj të patundur se vetëm një femër me parime, jo si ato që divorcohen e martohen tre herë në vit, e meriton të bëhet kryeministre e djathtë në Shqipëri.

“Zonja Jorgjie, unë jam nga Durrësi, madje dhe shtëpinë e kam pas sa hyn në Durrës, djathtas. Jo vetëm kaq. Edhe në Tiranë, sa herë shisja të njëjtin apartament nga dy e tri herë, zgjidhja që ajo banesë të ishte sa hyn në pallat, djathtas. Kur shkoj në parukeri, zgjedh gjithmonë kolltukun e djathtë. Edhe me Lulin u ndava se kur më vuri nënkryetare, në krahun e djathtë vendosi Jorindën. Kur i bëra flokët ngjyrë gruri dhe i shkela syrin e djathtë, më tha “lipsu tutje, shejtane, s’mbajnë nga këto flokë gratë tona”. Dhe kujt? Mua, që jam aristokrate dhjathtarake brez pas brezi. Mbiemri ynë i lashtë ka pasur origjinën nga oxhaku i vjetër i Dumbabës, por në kohën e diktaturës e bëmë Duma për t’u shpëtuar raprezaljeve”.

***

Në vijim të mesazhit, Grinda u ndal në tmerrin që u ka futur socialistëve në parlament, veçanërisht kryeministrit pinjoll të komunistëve, duke i folur Jorgjies në regjistër tërësisht personal.

“Dëgjo dëgjo pak. E di ça i kam punu Ramës mi. Ja plasa mu në mes të parlamentit, ti i ke frikë gratë e bukura, të forta, të artikuluara që e kanë shtëpinë sa hyn në Durrës, djathtas, kështu i thashë. Nuk dinte ku të fuste kokën ai vampiri mi. Ja bëra tetë me dy kur prishi rezortin e Fanes, “otto con due”, si i thoni ju. Po a prishej ai rezort, ajo mrekulli? E di çfarë dhomash, çfarë suitash ka Fania mi goc? Ehh ç’krevate, ç’kujtime…”.  

Në fund, duke e uruar edhe njëherë për fitoren, Grinda Dumja e ftoi kryeministren e ardhshme italiane Jorgjie Melloni për një vizitë në Tiranë.

“Do të jeni e mirëseardhur zonja Jorgjie. Ne gratë e forta të së djathtës, që dimë të kombinojmë çantën me këpucët, karficën e xhaketës me byrzylykun dhe getat me shallin, duhet të ndihmojmë njëra-tjetrën. Madje kur të vini, e kemi gati muzikën e mirëseardhjes. A e keni dëgjuar këngën e famshme ‘Jorgjica - Jorgjica’?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e qendrës   

Video