KUJDES / AKU të njofton se gjëja që sapo hëngre përmban substanca të rrezikshme!

21 Shtator 2022, 12:51Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Inspektori i AKU-së duke të njoftuar ty se ajo që po ha është e rrezikshme

TIRANË – Ti aty! Po po, ti që je duke u përtypur. Agjencia Kombëtare e Ushqimit sapo të njofton se ushqimi që je duke ngrënë është nxjerrë nga qarkullimi nëpër raftet e marketeve, magazinat e shumicës dhe doganat shqiptare, dhe është në proces sekuestrimi.

Vendimi është marrë pasi analizat e fundit kanë zbuluar se produkti përmban substanca të rrezikshme për shëndetin.

“Për shkak të shqetësimeve të ekspertëve lidhur me praninë e lëndëve kontaminuese, AKU të njofton se llokma e ushqimit që pak sekonda më parë e fute në gojë dhe je akoma duke e përtypur, do të sekuestrohet,” sapo deklaroi inspektori i AKU-së Lakror Trahanaja posaçërisht për ty.

Trahanaja sqaron se gjëja që tani është duke zbritur nëpër ezofag dhe shumë shpejt do mbërrijë në stomak, me gjasë mund të përmbajë baktere të listerisë, salmonelës, E. coli, thërrmija qelqi, copëza metalike, toksinë botuline, mbase dhe sëmundje të ndryshme që vijnë nga ushqimet e ndotura, që shkenca ende nuk ka arritur t’i klasifikojë.

“AKU është në krye të detyrës duke shfrytëzuar çdo mjet që ka në dispozicion, për të nxjerrë nga qarkullimi produktin copëza të të cilit ende të kanë mbetur nëpër dhëmbë,” të njofton inspektori Trahanaja, “sepse konsumimi i tij mund të të shkaktojë temperaturë të lartë, dhimbje të fortë koke, kapsllëk, marje mendsh, dhimbja barku, artrit, dështim barre, aneurizma, ose vdekje të befasishme. Për saktësim, e kam fjalën për ushqimin që sapo ka filluar të tretet në stomakun tënd”.

Duke i mbetur besnik misionit si roje e sigurisë ushqimore të konsumatorit shqiptar, Trahanaja po të sqaron se këtë moment është shumë vonë për të provokuar të vjella, apo për të ndaluar përhapjen e patogjenit tejet virulent dhe/ose agjentit nervor kimik që po hyn në çdo qelizë të trupit tënd.

“Megjithatë,” sapo shtoi inspektori heroik, “ne do donim që nëse të ka mbetur sadopak ushqim nga ai që sapo hëngre, ta rikthesh në raftet e dyqanit ku e ke blerë. Duhet ta sekuestrojmë dhe me këtë rast, të bëjmë dhe një kronikë televizive. Pak shpejt lale, se po vijnë kamerat”.

Ndërsa sekondat po kalojnë, Patronazhisti merr informacione se inspektorët e AKU-së po tundin kokat në shenjë mosaprovimi që ti vazhdon të hash ushqimin e rrezikshëm.

“Në qafë paç veten, o shqiptar i papërgjegjshëm” janë duke deklaruar inspektorët, “ne të dolëm borxhit”.        

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e fiksuar pas salçiceve të luftës së Vietnamit, patatinave nga koha e hapjes së ambasadave, kruasanëve nga rënia e Murit të Berlinit dhe kutive me konserva që kanë tepruar nga Provokacionet e Gushtit. Të gjitha me datë skandence të vitit 2025   

Video