LETËR E HAPUR / Ministrja Ballukja udhëzon fëmijët: Ja si t’u bëni zbor gjyshërve për të kursyer korrentin!

17 Shtator 2022, 17:44Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bella duke u dhene femijeve detajet e fundit te operacionit anti-gjysh

Nga BELLA BALLUKJA

Të dashur fëmijë!

Siç e keni mësuar në abetaren e re, sulmi i pabesë i Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar ndër të tjera edhe një krizë energjetike botërore, nga e cila Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim. Sepse dihet që shkëmbimi i zjarrit, të shtënat me topa e tanke, goditjet me raketa dhe fluturimet e dronëve Bajraktar, shkaktojnë thatësira në ajrin e Ballkanit, e rrjedhimisht, pakësim të rreshjeve. Kjo sjell uljen e nivelit të shirave dhe pakësim të ujrave në Liqenet e Kaskadës së Drinit.

Për të mos e zgjatur, të dashur fëmijë, juve ju ka rënë barra e kapërcimit të kësaj krize energjetike në Shqipëri. Madje po të përpiqeni dhe pak më shumë, mund të ndihmoni edhe Ballkanin e Europën. Mund ta kisha zgjidhur dhe unë, por për arsye strategjike m’u desh të shisja shumë energji ujore nga e jona për një copë bukë, dhe të blija sa frëngu pulën, energji nga jashtë. Ju padyshim e njihni pulën, po mos e sjelltë Perëndia të merreni me frëngun! Upupupu sa të liq që janë.

Jua bëj këtë thirrje, këtë apel, siç themi ne të rriturit, sepse ju fshihni brenda vetes një fuqi të fshehtë që as vetë nuk e dini se e keni. E kam provuar vetë kur kam qenë e vogël dhe kur bëja prova me zërin e hollë, të llastuar dhe lozonjar, për të kërkuar gjëra që s’mi jepnin. Sapo holloja zërin dhe vrenjtesha në fytyrë gati më të qarë, më hapeshin të gjitha dyert. Nëse e keni vënë re, kështu bëj dhe tani.

Po ç’mund të bëni ju për të kursyer energjinë? Po jua shpjegoj më poshtë.

Së pari, thojini Lali Erit të fikë dritat e rrugës, se la nam. S’e kuptoj si mund të jetë një kryetar bashkie kaq dorëshpuar. Një zyrtar publik duhet të jetë simboli i kursimit. Unë për shembull, kur kam qenë tek Albkontrolli, mezi blija një tapet persian 150 mijë euro për zyrën; mezi harxhoja 40 mijë euro për dy muaj karburant, mblidhja thërrimet për trajnuar dy punonjës me 60 mijë euro në Europë, për të njëjtat kurse që vende të tjera paguanin plot 6 mijë euro; mendoni, firmosja tendera edhe në gusht, sepse më hanin duart për punë.

Kjo është kryesorja; të të hanë duart. Thotë Lali se shiste fiq, po mua më ka rënë bretku në Athinë. Kam studiuar aq shumë nëpër shtëpitë e grekëve sa më mori Oktapodhasi me vete në Tiranë. Hajde Bella tha, se do blejmë AMC-në dhe do t’i mbushim shqiptarët me celularë, do shqepen duke folur me njëri-tjetrin. More vij që ç’ke me të, i thashë, dhe do t’i bëj të flasin me vete.

Kështu pra, ju do më ndihmoni të bëjmë prindërit dhe gjyshërit të flasin me vete. Se kështu dhe kursejnë. Së pari, hiqni karikuesit nga priza. A mori dy vija celulari i babit? Hiqeni nga korrenti, se s’ka ç’e do më shumë. Maksimumi, si pusht që është, do t’i çojë fshehtaz mesazhe komshijes së katit të tretë. Nuk u karikua plotësisht celulari i mamit? Punë e madhe. Gjasat janë që ajo ta harxhojë gjithë ofertën duke bërë llogje me Eftiqinë, dhe duke u ankuar për babin që i mbetën sytë tek kati i tretë.

Akte të tjera heroike që mund të bëni: Fikeni lavatriçen dhe urdhëroni mamin t’i lajë rrobat me dorë dhe me ujë të ftohtë. Kijeni parasysh, gjithmonë me zërin e hollë qaraman dhe gjysmë lozonjar, siç bëja unë me Edin te Bashkia kur më thoshte shtrigë. Ehh çfarë kohërash. Shtrigë më thotë dhe tani. Është i madh Edi! Ishim duke vajtur njëherë në Korinth…

Më falni se u zhyta në kujtime. Tjetra, kërkojini mamit t’jua hekurosë rrobat me hekur të ftohtë. Më besoni, hekuri i ftohtë harxhon shumë më pak korrent se hekuri i ngrohtë. Ai i nxehti pastaj të grin fare.

Një metodë tjetër kursimi është që ujin e vakët kur bëni dush, të mos e dirdhni, por me të të lani pjatat. Pasi të lani pjatat, as këtë ujë mos e dirdhni, por lani sheshin. Dhe pasi të lani sheshin, ujin që tepron përdoreni për të larë makinën. Por edhe pasi ta keni larë makinën, nuk është nevoja ta ndizni. Siç e kam thënë dhe herë të tjera, për të blerë bukë shkoni në këmbë. Thuajuni prindërve që edhe për të blerë tamponë dhe prezervativë, të ecin se nuk i gjen gjë. Është fizkulturë dhe dobësohen. Mos shikoni mua. Unë dua shumë të eci por jam shumë e zënë; ju as që ja keni idenë ç’domethënë të shesësh e të blesh korrent; të bësh tendera rrugësh; të firmosësh konçesione, të japësh liçensa tecesh, hecesh, panelesh diellore e qiellore; të inspektosh punime duke parë harta projektesh që s’i kupton fare dhe të shtiresh sikur sugjeron ndryshime në projekt sa për kamerat…         

Dhe tani vijmë tek më kryesorja: Çfarë të bëjmë kur gjyshërit i zë gjumi para televizorit me telekomandë në dorë?

Gjëja më e kollajtë është t’i fikni televizorin. Por ju mund të bëni më shumë. Fjala vjen, t’i hiqni bateritë telekomandës. Që edhe po u zgjua, të mos e ndezë dot televizorin. Në qoftë se gjyshi insiston të ndezë televizorin, thojini mirë, ta ndez unë, dhe ofrojini një gotë ujë ku të keni hedhur një tabletë valium. Pa e kuptuar, gjyshi do flejë përsëri.

Por nëse prapë ai malukat nuk fle, vini ulërimën dhe kërkoni të shkoni në banjë se po ju shpëton çiçi. Mbani mend mirë, çiçi, jo Çuçi. Kur gjyshi t’ju shoqërojë në tualet, dilni shpejt jashtë dhe mbylleni brenda. Aty në banjo nuk ka se ç’korrent të harxhojë. Maksimumi, ai mund të ndezë tharësen e flokëve që për hir të së vërtetës, nuk i hyn fare në punë.

Tani, mund të ketë dhe raste ekstreme kur gjyshi këmbëngul të konsumojë korrent. Ja se ç’do bëni: Shkruani një letër ku ta akuzoni se ja ka me hile partisë, se në 1960-ën ka dashur të rrëzojë sekretarin e parë nga pushteti me ndihmën e sovjetikëve; se ai është autori i tezave të zeza kineze të teorisë së rrëshqitjes, duke shmangur luftën frontale me armikun. Kësisoj, partia do ta akuzojë si armik dhe gjyshi do rresht së harxhuari korrent kot së koti.

Kjo skemë që sapo ju përshkrova me gjyshin imagjinar, është thjesht një sugjerim, se unë nuk di të ketë ndodhur në realitet. Por unë di që ju mund të bëheni heronjtë e energjisë. Të kursejmë sa më shumë, të luftojmë, jetojmë e punojmë si në rrethim. Unë do përpiqem ta çaj rrethimin herë pas here, se do kem ca punë në Vjenë, Bruksel, Athinë, Paris, Porto Çervo, Mykonos etj, por ju mos u bëni merak. Sa të shes e të blej ca korrent, e do kthehem prapë.

P.S. Të dashur fëmijë, kini parasysh se çfarë thamë për gjyshin, vlejnë edhe për gjyshen. Forca, do t’ia dalim!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me flokë të prera shkurt, pa balluke

Video