TIRANË - Një mini-skandal treditor ka plasur në rradhët e forumit rinor të Partisë Demokratike, ku disa kandidatë për kreun e forumit kanë akuzuar se u janë vjedhur, manipuluar, shformuar, shpërdoruar dhe keqtrajtuar votat aq keq, sa ata janë duke menduar seriozisht nëse për këtë çështje duhet të ankohen tek kryetari i partisë, doktori SëBë.
“Nuk e kuptoj,” deklaroi për mediat kandidatja për kryetare rinore, Gjeraqina Qypi, “ne akuzojmë nga mëngjesi në darkë qeverinë se është në pushtet me vota të vjedhura, ndërkohë që ne vjedhim për të ndenjur në opozitë”.
Nga ana tjetër, kandidati tjetër humbës, Skifter Sqepi tha se vetëm tek një listë votuesish që kishte parë, rezultonin 120 vota për fituesin Brezhnjev Kacaferri, nga 87 emra votuesish që përmbante fleta.
Një kandidate e tretë, 29 vjeçarja studente e vitit të parë për inxhinjeri lulesh, Shëllira Mocarela u shpreh e lemerisur:
“Ditën për diell? Para syve tanë? Të rrëmbejnë votat tona, që i numëruam kokërr më kokërr? Dhe kush ta bëjë pa, kolegët, shokët tanë! Kjo është e tmerrshme. Nuk është kjo PD-ja që kam njohur!”
Dhe Mocarela pohoi hapur se sikur doktori ta merrte vesh këtë mishmash, me siguri që do skandalizohej!
***
Patronazhisti nuk e ka hala të qartë se çfarë lloj PD-je kanë njohur kaçaflaqët rinorë të demokratëve të sotëm, që skandalizohen kaq shumë nga një palo-tjetërsim i vockël votash. Po me siguri ata e kanë njohur historinë e lavdishme të kryetarit SëBë, të cilit një mëngjes të ftohtë dhjetori tre dekada më parë shoku Ramiz i kërkoi një nder: “Aman, do veç te studentët t’i qetësoç, se disa prej rebelëve janë tropojanë dhe ti e gjen muhabenë me ta!”
Se shoku Ramiz fliste gjirokastriçe për t’i kërrier popullit mallin e shokut Enver. Dhe SëBë jo vetëm që shkoi për të qetësuar studentët protestues që donin të formonin parti politike, por u bë dhe kryetari i partisë së re.
Historia thotë se ata donin të bënin kryetar Azemin, por atë çast SëBë-ja hyri në sallë dhe tha: “Azem, të kërkojnë përjashta, janë ca kushërinj nga Bajram Curri”. Azemi doli, por kur u kthye e gjeti partinë me kryetar të zgjedhur.
Kacaflaqët rinorë me siguri i kanë lexuar faqet e historisë së PD-së që rrëfejnë sesi vullnetarisht u larguan nga partia disa grupe, pastaj disa të tjera e të tjera, me socialdemokratë, me të djathtë ish-pronarë, me të persekutuar e ish-studentë protestues; të gjithë me mavijosje demokratike në fytyrë, brinjë të thyera e hematoma pluraliste. Sesi kryetari i përkohshëm Eduard Sallami doli me vrap hareshëm nga konventa e partisë në vitin 1995 dhe e ndali rendjen në Shtetet e Bashkuara, ku punoi i gëzuar në një garazh makinash për vite të tëra me emrin e rremë Hulio Ibanjez. Sesi një vit më pas, PD-ja fitoi zgjedhjet parlamentare duke marrë 107% të votës popullore e kështu me rradhë.
Padyshim që rinorët e skandalizuar janë në korrent të vendosjes demokratike të Gjelbërim Bashës në krye të partisë, pas një gare të gjelbër me kandidatin Olldashi në vitin 2013. Gara ishte kaq bio saqë nga gëzimi, pak kohë më vonë kandidati Olldashi pësoi aksident pluralist me makinë duke ecur me shpejtësi skëterrë 25 km/h në dalje të Tiranës.
***
Përtej historisë së lavdishme votë-numëruese të PD, rinorët demokratë janë të bindur se zgjedhjet e forumit janë thjesht një lapsus.
“Zoti SëBë me siguri që nuk di gjë, këtë lëmsh do ta ketë bërë Belindi me kokë të vet,” thonë kandidatët e zhgënjyer. E kanë fjalën për ish kryetarin rinor Belind Këllëfi, i cili në gjurmë të kryetarit të madh, donte ta linte forumin në duart e sigurta të Brezhnjev Kacaferrit. Ata madje e kanë akuzuar Belindin se brenda Këllëfit demokrat, fshihet një dhëndërr socialist. Por ky i fundit është kundërpërgjigjur: “Armikun që ta luftoç, duhet ta njohç nga afër! A nuk bëri kështu dhe kryetari legjendar SëBë, që e rrëzoi komunizmën pasi e njohu mirë nga brenda për 25 vjet?”
Megjithatë, gjaku i ri i partisë si Gjeraqina Qypi, Skifter Sqepi dhe Shëllira Mocarela kanë vendosur të informojnë drejtpërdrejt shefin e madh. “Ai do bëjë drejtësi, jemi të bindur që do shkulë leshtë e kokës kur ta marrë vesh manipulimin,” thonë rinorët.
P.S. Lajmet e fundit thonë se zgjedhjet e fundit për kreun e forumit rinor të PD janë anulluar. Kryesia ka vendosur që përkohësisht, në krye të forumit të komandojë yllin në ngjitje të partisë, gjirokastritin Tritol Shehu.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Rrjedhimisht, fare pak nga sa thuhet më sipër janë të pavërteta