LIFESTYLE / Revolucion në Policinë e Burgjeve, gati koleksioni i ri vjeshtë-dimër

8 November 2022, 12:47Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
LIFESTYLE / Revolucion në Policinë e Burgjeve, gati koleksioni i ri
Një nga modelet e propozuara të uniformave për policët e burgjeve

TIRANË / PEQIN / DRENOVË – Një revolucion po përgatitet të ndodhë në rradhët e policisë së burgjeve. Patronazhisti mëson se koha e uniformave shkel e shko, e këmishëve të zhubrosura, pantallonave gjithë zhul, rrypave të mesit me vrima të hapura me gozhdë dhe këpucëve të shqyera, u ka ardhur fundi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hapur tenderin që parashikon blerjen e uniformave të reja për policët e burgjeve, koleksioni vjeshtë-dimër 2022, që kushtojnë 2600 euro për person. Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se në garë do të lejohet të marrin pjesë vetëm marka globale të uniformave policore, si Guçi, Versaçe, Armani, Ralf Lauren, Qafiri shpk, etj.    

Sipas ministrisë, në uniformë përfshihen këmisha, xhaketa, pantallonat, një rryp mesi, një kapistër, një palë këpucë, dy kanotiere, dy palë brekë, një krem duarsh, një manikyr, një pincetë për vetullat dhe një rimel.

“Është e vërtetë që policia e shtetit është mbajtur disi me hatër gjatë këtyre viteve, qoftë për uniformat apo për rrogat,” deklaroi ministri i Drejtësisë, Kudusi Mënga, “por qeveria po e korrigjon gabimin, duke bërë që këtej e tutje policët e burgjeve të shndrisin nga pastërtia, hijeshia dhe kombinimi i ngjyrave”.

***

Uniformat e policisë së burgjeve kanë qenë gjithnjë problematike. Ato zbërdhyleshin me një të larë, zvogëloheshin ose zgjateshin si zorrë pas dy të larave, u dilnin ngjyrat aq shumë saqë gardianët shpesh ngatërroheshin me të burgosurit dhe anasjelltas. Madje Patronazhisti ka mësuar se disa episode të famshme arratisjesh nga burgjet shqiptare, e kanë zanafillën pikërisht tek fakti që gardianët u kanë hapur dyert burgaxhinjve veteranë, deri dhe derën e jashtme të oborrit, duke i ngatërruar për kolegë të tyre. Dhe e kundërta, disa policë burgjesh kanë kaluar javë të tëra në qeli, duke u lodhur më kot të bindin gardianët se janë gabimisht pas hekurave, se është bërë një gafë e rëndë etj etj.

“Po mor po,” u janë përgjigjur kolegët skeptikë, “kështu thoni të gjithë ju. Po ato vrasjet e grabitjet kush i ka bërë, unë?”    

***

Tani të gjithë këto keqkuptime do të hidhen pas krahëve. Nuk do të ketë më protesta të burgosurish, të cilët mes listës për kushte më të mira në burg, kanë kërkuar me këmbëngulje uniforma të hajrit për policët e burgut.

“Nuk ka torturë më të madhe për sytë e një të burgosuri, sesa kombinimi skandaloz i këmishës së policit me bluzën e brendshme, le pastaj kur veshin ca pantallona që stonojnë komplet me ngjyrën e murit të korridorit. Zot i madh, sa njerëz pa gusto! Nuk e di kush është ministër drejtësie tani, por paska qenë kokrra e katunarit,” deklaroi i dënuari Shero Opinga.

Sigurisht, dikujt mund t’i duket shifër e madhe shuma prej 2600 eurosh për person, për uniformat e reja të policëve të burgut. Por ministri i Drejtësisë Kudusi Mënga sqaroi se edhe për këtë çështje janë marrë masat.

“Për të balancuar kostot, është menduar që përkohësisht, rroga e policit të burgut të shkojë nga 250 euro në muaj, në 120 mijë lekë të vjetra në muaj. Mbase duket rrogë e vogël, por ama shkon i ndritur në punë! Pastaj, mos kujtoni se Policia e Shtetit i merr gjithmonë rrogat që u kemi rritur”.

Ndërkaq Patronazhisti njoftohet se mes kompanive gjigande të sipërpërmendura, gjasat më të mëdha për ta fituar tenderin e ka i mirënjohuri Qafiri shpk, me pronar Xhambaz Qafiri, baxhanak i ministrit Mënga.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike estetike 


Video