TRE MUSHQETARËT / Opozita formon Task-Forcën anti-Lal për të marrë Tiranën

1 Nëntor 2022, 11:32Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gerti Bogdani dhe Belind Këlliçi

TIRANË - Opozita e bashkuar shqiptare ka nisur betejën për të fituar zgjedhjet lokale, me fokus kryesor Tiranën, menjëherë pas marrëveshjes së dhjetë historike mes Lilos dhe Doktorit. Burimet njoftojnë se numri 10 i paktit është fiksuar, duke nisur nga marrëveshja e parë që nisi që në vitin 1992, kur Doktori i tundi Lilos dosjen e spiunllëkut të shokëve në Sigurimin e Shtetit.  

Përqëndrimi më i madh i forcave opozitare do të jetë tek marrja e kryeqytetit, mëson Patronazhisti. Prandaj dhe Lilua me Doktorin kanë caktuar tre mosketierët anti-Lali Eri, që kanë nisur fushatën se kush do rrëmbejë kurorën e mis Anti-Lalit, pastaj shoqëruesi i parë i anti-Lalit dhe në fund, Miss Fotozhenia demokratike.

Duke marrë spunto nga fakti që lufta për çlirimin e Tiranës në dizetekatrën, nisi me betejën e Mushqetasë pranë kryeqytetit, dhe meqë fjalën Mosketierë demokratët nuk arrijnë ta shqiptojnë mirë, baza e ka etiketuar treshen si Tre Mushqetarët.

Belindi

Një nga kandidatët anti-Lal është Belindi. Ai është djalë i popullit, njeri i thjeshtë, pa pretendime. Çdo mëngjes kur niset për punë në PD, bukën e merr me vete të mbështjellë me gazetën RD online. Ai nuk i duron të ardhurit në Tiranë, dhe shpreson se bashkinë do ta fitojë me votat e të ikurve. Do t’i japë fund sundimit të Lalit, që e ka mbushur Tiranën me ndërtime. Patronazhisti mëson se bukën e mëngjesit ja përgatit i vjehrri, zyrtar i lartë socialist dhe projektues ndërtimesh pikërisht nga ato që kanë mbushur Tiranën. Por këtë element Belindi nuk e cilëson si difekt, por si pikë e fortë, pasi ai thotë: “Që ta luftosh armikun, duhet ta njohësh mirë”.

Një tjetër pikë e fortë e Belindit është se emri i tij është gjinia mashkullore e Belindës. Ai beson se kjo do t’i japë dorë që zgjedhësit t’i japin votën duke menduar se po votojnë për shokun Beqir.       

Gerti

Edhe Gerti është tirons i vjetër. Por deri tani ai nuk ka shprehur publikisht anicir për ardhacakët. Pika e tij e fortë është se për njëfare kohe la mjekër dhe gjithë Tirana, me autoktonë dhe emigrantë, menduan se Gerti tashmë është rritur e pjekur. Një tjetër avantazh i tij, është se me mbiemrin Bogdani, shumë zgjedhës do t’ja japin votën duke e ngatërruar me ish-futbollistin e njohur të kombëtares. I cili për dreq, e ka emrin Erion.

Por asi i vërtetë nën mëngë i Gertit është se ai ka qenë mjaftist për ca kohë. Për vite të tëra më pas, Gerti thoshte nëpër korridoret e PD-së se Mjafti ishte vetëm një incident, se ai ka qenë i gënjyer për nja dy muaj, por pastaj ngriti dy gishtat lart dhe u sul në ballë të luftës demokrate. Të tjerë zëra thonë se situata është me e thjeshtë: PD’ja thjesht mblodhi mjaftistët skarco.

Iliri (jo nga Skrapari)

Mos e ngatërroni me Lilon. Doktor Iliri, përveç se familje mjekësh demokratë, u bë ndër figurat e njohura publike gjatë pandemisë, ku fliste për ecurinë e Covidit dhe jepte këshilla veresie. Edhe ai me mbiemër të famshëm autokton, sipas qarqeve demokrate është një kandidat i natyrshëm për Tiranën.

Por ka një problem me figurat e promovuar nga pandemia, që zgjodhën t’i hyjnë politikës. Doktor Iliri mbase e ka harruar, po edhe socialistët e bënë këtë eksperiment. Dhe deputetet mjeke pandemike të PS-së, sapo fituan mandatin, e kuptuan që ja kishin futur kot; dhanë dorëheqjen dhe iu rikthyen zanatit.

Ka edhe një konspiracion për këtë histori. Në partinë e Lilos, Monika po i fryn skenarit sikur Doktor Iliri, sapo të fitojë bashkinë do japë dorëheqjen dhe do ja lërë vendin Lilos së saj, që sipas studimeve më të fundit, është super-politikan.

P.S. (në fakt, P.D.) Dëshirë për të kandiduar në Tiranë ka shprehur edhe çuni i Zefit nga Shkodra. Por partia ka qenë skeptike që një humorxhi t’i hyjë sektorit më fitimprurës në karagjozllëk, siç është politika. “Nuk bën,” mësohet se ka thënë Doktori, “kam frikë mos e pësojmë si Ukraina. Sa zgjodhën një humorist si President, i shpallën luftë”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-zgjedhore 

Video