RENDI PUBLIK / Tërmet, vullkan, uragan, tornado dhe tajfun në Policinë e Shtetit!

19 Tetor 2022, 15:33Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Makine policie ne prag te nje tornadoje

TIRANË dhe RRETHE – Mediat konvencionale, televizionet, gazetat por dhe portalet sapo kanë njoftuar në grup se një tërmet ka ndodhur në Policinë e Shtetit.

Tërmeti i shkallës 12 ballë sipas Rihterit ka shkundur rradhët e drejtuesve kryesorë të policisë, të cilët mezi mundën të mbaheshin pas tavolinave, karrigeve dhe dollapeve të zyrave, thonë burimet, të cilat shtojnë se shkaktari i kësaj fatkeqësie madhore natyrore ishte vetë drejtori i Përgjithshëm i ri i policisë, zoti Strumbullaku.

“Me synim përmirësimin e performancës së forcave të rendit, ashpërsimin e luftës kundër krimit, forcimin e krimit kundër luftës dhe kriminalizimin e krimit të luftës kundër ashpërsimit, vendosa shkaktimin e këtij tërmeti në rradhët e Policisë së Shtetit,” njoftoi drejtori i ri përmes një deklarate për shtyp.

Në përfundim të tërmetit, u vunë re ndryshime radikale në kupolën e policisë. Kështu, drejtuesi i policisë së Elbasanit e pa veten në krye të policisë së Korçës, ai i Shkodrës në Durrës, ai i Tiranës në Vlorë dhe ky i Vlorës në Berat.

Në këtë kuadër tronditës, mediat bënë edhe një retrospektivë të fatkeqësive të mëdha që kanë ndodhur në rradhët uniformave blu.

Kështu, ato përmendën vullkanin e para pak muajve që lemerisi hierarkët e policisë. Duhet shënuar se llava e nxehtë hodhi në ajër drejtorin e Policisë së Tiranës, i cili u degdis në postin e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërkohë që performanca e dobët e shefit të Gjirokastrës, e zbriti atë në krye të Akademisë së Policisë.

U kujtua gjithashtu edhe uragani i para dy viteve, kur dhjetë drejtorë policie u vërvitën në ajër dhe, kur era e furishme u qetësua disi, ata e panë veten në postet e njëri-tjetrit.

***

Policia e Shtetit është ndoshta institucioni më fatkeq publik jo thjesht në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin. Lexuesit e mbajnë mend sesi tornadoja e 2017-ës i shpartalloi krerët e policisë, shumica e të cilave u akuzuan për mbështetje të kultivimit të hashashit në gjithë vendin.

Tornadoja ishte aq e fortë saqë i ngriti thasët e hashashit në ajër dhe i çoi në rrugët e Amsterdamit, Milanos dhe Parisit. Të gjendur pa punë, pjesa më e madhe e drejtorëve të policisë filluan që në atë kohë të merreshin me burgosjen e qytetarëve zevzekë që nuk kishin paguar dritat, ndërsa në kohën e lirë shoqëronin kontejnerët me banana.

Por në historinë policore shqiptare do mbahet mend tajfuni i vitit 2001, pasojat e të cilit asokohe mund të shiheshin dhe nga orbita e Tokës, njësoj si Piramidat e Egjiptit dhe Muri i Madh kinez.

Shtypi shqiptar e ka regjistruar këtë tajfun, që nisi me djegien demonstrative të dy skafeve që transportonin klandestinë në Vlorë. Kryeministri i kohës deklaroi atëherë se skafet e vegjël, të pasigurtë dhe të papërshtatshëm për transport detar, nuk meritonin tjetër përveç djegies.

Të gjithë e kujtojnë se që nga ajo kohë, transportuesit morën masa dhe në skenë dolën skafe të gjatë, të fuqishëm, me katër motorë dhe mjaft komodë, që e përshkonin Otranton në një orë maksimumi, e madje ofronin edhe skonto.

***

Duke raportuar për tërmetin e fundit, si dhe duke shfletuar dosjet për fatkeqësitë e tjera shkatërrimtare në rradhët e policisë së shtetit, mediat e Tiranës deklaruan se këtej e tutje, gjasat janë rendi dhe ligji të mbretërojnë nëpër rrugët shqiptare. Patronazhisti megjithatë vuri re një detaj të vogël: Megjithë tërmetet e uraganet, vullkanet dhe tajfunet, shumica e emrave drejtues në Policinë e Shtetit mbeten po ata.

Mësohet se të argasur me fenomenet e egra të natyrës, tani shefat e policisë më shumë i tremben ndonjë puhize ose flladi.      

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-sizmike

Video