TIRANË - Kur e patën njoftuar në fillim se Edi po bënte një ligj enkas për të, Lilos në fakt i erdhi mirë, por nuk e dha veten. Pyeti gjasme me indiferencë: “E mo atë punë ka firauni. Po ça ligji është?” Po ja, i thanë, “do ndalojë të merret me politikë atë IMënë nga Librazhdi që spiunoi shokët te Sigurimi I Shtetit, që i detyroi edhe ata të bëheshin spiunë, e pastaj të gjithë bashkë spiunonin njëri-tjetrin, ndërsa Doktori i spiunonte të gjithë te UDëBëja”.
Lilos sa s’i ra pika. Por e ngushëlloi antikomunisti i tërbuar, Gimi, djali i shokut Gaqo: “Mos u mërzit shef, se kur isha unë ambasador në OKB, krijova lidhje me ca amerikanë të rëndësishëm. Do flas me ta. Kanë kaluar 20 vjet, ata atëherë ishin 80 e kusur vjeç, po besoj gjallë do jenë akoma. Ja t’u dërgoj një faks”.
Lilua s’foli, por vendosi ta mbajë vrapin tek Doktori.
***
Pasi ja kishte hequr partinë nga duart të shoqes - nga frika se mos e gëlltiste dhe mbytej, aq të vogël e kishte katandisur - vendosi t’i vërë emrin e gruas së Doktorit. “E quajta Partia e Lirisë,” i tha, “domethënë tani biem krushq. Apo baxhanakë?”
Që atëherë kishin hyrje-dalje të shpeshta, duke sajuar sebepe nga më të ndryshmet. I bënin shoshoqit vizita: “Urime për sekretarin e ri organizativ”, “T’i gëzoni primaret e reja”, “ky forumi i ri i Gruas ju shkon shumë me divanët” e kështu me rradhë.
Por këtë herë vizita ishte serioze.
“Doktor,” i tha Lilua, “duhet të zyrtarizojmë aleancën parazgjedhore dhe të përgatitemi ta godasim fort Edin në zgjedhjet lokale. Do ta shkatërrojmë fare. Prandaj erdha të flasim për çështje madhore strategjike. A ma jep mua kandidatin për kryetar bashkie në Devoll, Skrapar dhe Librazhd? Dua dhe kryetarin e parlamentit të bashkisë së Tiranës, si dhe postin e kryenormistit në kooperativën e tipit të lartë Krutje. Tani do më shohin ata se kush jam unë. Unë kam lindur në njëmijë metra mbi nivelin e detit oreee. Bile kur zbrita në Tiranë, më thanë: Si mbërrite gjallë deri këtu poshtë nga gjithë ajo lartësi?”
Doktori ja dha të gjitha, pasi u konsultua me aleatin e tij strategjik, Kujtim Gjuzin. Por e paralajmëroi: “Kujdes nga Edi, se mos komploton me amerikanët kundra teje. Mirë mua më shpallën kulak, po duhet të të ruajmë ty që je pa damkë akoma…”
***
Aty Lilua e humbi gjakftohtësinë, që e karakterizonte që ahere kur kërceu gjithë elegancë e hijeshi mbi tavolinat e parlamentit për të kapur për getash Jozefinën. Vendosi të dalë në konferencë për shtyp.
Thirri gazetarët dhe kamerat, dhe deklaroi:
“Musolini!!! Klareta Petaçi!!! Vojo Kushi!!! Avni Rustemi!!! Populli i 2 Marsit!!!”
Një nga gazetarët dashamirës, i kujtoi me takt se duhet të fuste dhe ndonjë folje e kundrinor nëpër të, dhe t’i zgjaste pak fjalitë. Atëherë Lilua vazhdoi:
“M’fal m’fal një sekondë. Jo, m’fal m’fal… Hë, e kujtova: U bëj thirrje dashnoreve të Duçes të rrëmbejnë cfurqet, të zbresin nga Mali me Gropa dhe t’i bashkohen popullit të 2 Marsit, për t’i kujtuar imperializmit amerikan se ky vend ka Vojo Kushër, që iu hodh sipër tankut, por ka dhe Avni Rustemër, që iu fut avionit nga poshtë. Aleanca e Partisë së Doktorit, me partinë e gruas së Doktorit, do bëjë që Shqipërisë t’i kthehen prapë doktorët, të cilët kanë ikur të gjithë në Gjermani për faj të kësaj qeverie të degjeneruar…”
Gazetarët filluan të largohen një nga një, ndërsa Lilua vazhdonte ligjëratën e kthjellët: “… Fashistë trima! Syleshët po e marrin në qafë Perandorinë tonë. Në repartin e xhenjos kanë humbur mina me sahat. Kanë humbur e thashë për delikatesë, sepse i kanë grabitun…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike lirike, por jo metike…