BUJQËSI/ Fondet e BE-së, ferma model në Berat punëson mbi njëqind vetë

11 Nëntor 2022, 23:06Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministrja Krifa Fridca duke u dhënë kurajo fermerëve të Beratit

BERAT – Mund të quhet shembull i një suksesi të padiskutueshëm të qeverisë shqiptare, konkretisht i programeve për bujqësinë, rasti i serave moderne në Drenovicë të Beratit, i bërë publik së fundi nga mediat.  

Serat e Drenovicës e kanë të gjithë shitjen e produktit të garantuar, dhe duke përfituar nga fondet e Bashkimit Europian përmes programeve HASHASH II dhe HASHASH III, kanë zgjeruar dhe mekanizuar aktivitetin e tyre. Ministrja e Bujqësisë Krifa Fridca, pak kohë më parë e vizitoi personalisht këtë stabiliment, në kuadrin e një turi diskutimesh me fermerët për uljen e tvsh-së në bujqësi.

Një nga pronarët e serave, 33-vjeçari Geri Hashashllari, deklaronte atëherë se me kontratat që kishte lidhur, malli i tij shitej direkt në rrugët dhe tregjet e Bashkimit Europian. Madje kërkesa vinte duke u rritur.

“Zonja ministre, ne kemi një problem, atë të transportit,” do t’i drejtohej asokohe Hashashllari zonjës Fridca, “unë kam investuar në mushka, por edhe ato të shkretat duan të hanë, pastaj kostot e samarëve, kapistrave etj. Prandaj kam blerë edhe dy makina, të cilave u kam modifikuar kroskotin dhe dyert anësore për një transport sa më të sigurtë. Por naftën e paguaj me çmim tregu, dhe jo me subvencion. Unë dua financime, se edhe presat që e shtypin mallin në pako një kilëshe janë vjetëruar”.

Fridca i premtoi ndihmë, duke theksuar para kamerave se Hashashllari ishte shembulli i fermerit që punon në vend të vet dhe nuk zgjedh rrugën e shkurtër, emigrimin.

“Kjo serë ka punësuar 95 gra, që paguhen… vini re: Plot 5 mijë lekë të reja në ditë. Gati-gati po më prishet mendja të vij dhe unë të punoj këtu në fundjavë”, bëri shaka Fridca. Në vijim ajo shtoi se janë punësuar edhe 8 roje, çka nënkupton zhvillim dhe mirëqenie për gjithë zonën.

Nga ana e tij, Hashashllari sqaroi se si fermer, i është dashur të bëjë dhe punësime të tjera.

“Unë zonja ministre, paguaj part-time edhe dy elektriçistë, se më duhet korrenti për pompat e ujit dhe dritat. Madje kam në rrogë edhe disa policë të zonës,” tha fermeri beratas, duke marrë lavdërimet e ministres.

Ai shtoi se me fitimet e serës, e ka çuar djalin për studime në Europë, ku ai ka qëndruar pas diplomimit për të punuar si pritës dhe shpërndarës i mallit të fermës. 

Në përfundim, Fridca përmes kamerave, u bëri thirrje gjithë fermerëve të ndjekin shembullin e Geri Hashashllarit, por edhe të kolegëve të tij në zonë, si Marin Huana, Hasho Shashaj etj, që i kanë merituar financimet e ministrisë që ajo drejton.  

“E ardhmja është këtu, në Shqipëri. Puna dhe vetëm puna do na nxjerrë në dritë,” deklaroi Krifa Fridca.

Vini re: Patronazhisti është rubrikë satirike aromatike   

Video