FRYMËZUESE / Policë me integritet nuk duan t’i hanë bukën shtetit kur vjedhin jashtë orarit

23 Nëntor 2022, 14:34Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një polic pa të drejtë rroge në punën e vet private

SHQIPËRI / ITALI / SPANJË etj -  Një tjetër shembull frymëzues punonjësish buxhetorë me integritet dhe dinjitet profesional u bë publik ditët e fundit. Është fjala për rastin e oficerit të policisë Skifter Xhepisti, i cili kërkoi disa ditë leje pa të drejtë rroge, para se të udhëtonte drejt Italisë ku kreu një seri vjedhjesh dhe grabitjesh jashtë orarit të punës.

Siç është bërë e ditur, rastin e përshëndeti edhe drejtori i përgjithshëm i policisë Met Strumbullaku, i cili theksoi se këmbëngulja e policit të ri Xhepisti për të mos ngrënë bukën e shtetit kot ndërkohë që bënte kërdinë në vjedhje private në vendin fqinj, ishte një shembull për të gjitha uniformat blu.

“Për shumë vite ishim mësuar të shihnim policë që paguheshin nga buxheti i shtetit, ndërsa paralelisht kryenin edhe grabitje, por ja tek vjen një rast kuptimplotë që tregon se kohët kanë ndryshuar. Nëse oficeri Skifter Xhepisti nga Lezha ka vjedhur, ka grabitur apo thjesht u ka ndërruar pronësinë disa sendeve dhe objekteve me vlerë në Italinë fqinje, këtë do ta vërtetojë gjykata. Ajo që duhet shënuar është se ndërkohë ai ishte pa të drejtë rroge, dhe buxheti i policisë së Shtetit nuk ka humbur asnjë qindarkë,” theksoi Strumbullaku.

***

Për hir të së vërtetës, në vite ka patur edhe raste të tjera altruizmi, ndërgjegjeje të lartë dhe përgjegjësie ndaj pasurisë publike, nga rradhët e uniformave të çdo ngjyre, që i shërbejnë shtetit dhe shoqërisë.   

Patronazhisti ka shpluhurosur nga arkivat, dosje si ajo e pilotit shqiptar, kapiten Fluturak Trafiku, i cili vite më parë insistoi që t’i ndërpritej rroga e shtetit, ndërkohë që mori disa ditë leje për të fluturuar privatisht një helikopter plot me marihuanë nëpër qiejt e Spanjës. Edhe asokohe, hierarkë të lartë të ushtrisë shqiptare theksuan se piloti Trafiku nuk figuronte në borderonë e shtetit ndërkohë që trafikonte drogë private mes palëve akoma më private.

“Se ç’bën kapiteni në jetën private, ne s’mund ta dimë. Por ai duhet përgëzuar për integritetin e treguar karshi parasë publike,” deklaroi asokohe komandanti i Batalionit të Helikopterëve në fshatin Furkë të Tiranës, kolonel Pëllumb Qifti.

Por episodet frymëzuese të kësaj natyre shkojnë edhe më larg. Mjaftojmë të kujtojmë rastet e trupave elitare komando Çeço Pisqolla dhe Lame Koburja, të cilët nuk pranuan kurrsesi të vazhdonin të merrnin rrogë shteti gjatë një muaji shkëputjeje nga puna, kur kryenin vrasje me pagesë. Siç lexuesit e mbajnë mend edhe sot, Pisqolla dhe Koburja do të deklaronin për mediat se atyre u mjaftonte pagesa që merrnin për punën private, dhe nuk kishin pse t’i binin në qafë shtetit.

P.S. Këta kapituj domethënës të virtytit dhe ndërgjegjes ndaj publikes, nuk ndiqen nga të gjithë zyrtarët dhe ofiqarët publikë. Patronazhisti me dhimbje duhet të theksojë se në drejtim të kundërt me rrymën vijojnë të ecin sidomos ministra dhe drejtorë drejtorish, por edhe gjykatës e prokurorë, të cilët jo vetëm që nuk shkëputen nga rroga e shtetit kur vendosin të vjedhin, por përkundrazi: Pikërisht për shkak të detyrës, ata fusin thellë e më thellë duart në buxhet. Siç pranoi edhe vetë ministrja Bella Ballukja për Patronazhistin: “Keni shumë të drejtë. Por kjo kultura e shkëputjes nga borderoja kur firmosim për miliona euro zhvatje do pak kohë të ngulitet dhe të bëhet traditë tek ne. Megjithatë ne po punojmë në këtë drejtim, nën frymëzimin e shembujve që përmendët”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa lidhje me borderonë e shtetit      

Video