MBLEDHJA E KABINETIT / Ja sesi Shtriga e Qeverisë ja fiton zemrën Edit dhe lë në hije gratë e tjera ministresha

20 Nëntor 2022, 15:00Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotoja flet vete

TIRANË / KASHAR / LEKAJ - Koleget e tjera ministresha e shohin me një zili që bëjnë çmos për ta fshehur. Edhe ato kanë bërë të pamundurën që Edi të paktën njëherë t’u drejtohej me komplimentin “shtrigë”.

Kështu, Krifa Fridca raportonte rritjet të eksporteve bujqësore me 500 përqind, ndërkohë që kjo ishte në fakt përqindja e banorëve të fshatit që kishin marrë rrugët e botës.

Mirela Kumbaraja vendosi t’i vërë nga një tra të vogël me pagesë çdo pylli dhe qyteze të Shqipërisë që ka tre gra që bëjnë reçel fiku.

Hallva Margarina e Kulturës promovonte si punë të ministrisë çdo libër që botohej në vend nga privatët, dhe çdo orkestër që bënte muzikë në lokalet e natës e paraqiste si koncert.

Olta Gjaqka shkoi dhe më tej: Për të treguar se talentet e saj shkojnë përtej misionit të rëndomtë të shndërrimit të Shqipërisë në pikë referimi të diplomacisë globale, vendosi të marrë edhe statusin e investitores strategjike, me paratë që kishte fituar në Amerikë si kamariere gjatë studentllëkut.

Episa Spirodhalla, e cila e kuptoi që epitetin Skënderbej për Edin e dogji para kohe, tani po kërkon emra të tjerë heronjsh për ta thirrur idhullin e saj; nga Vrana Konti e Zenel Gjoleka, te Çelo Mezani e Osman Taka.

Ministresha Manastirllesha desh ja shkuli xhaketën Edit për të marrë me vete në inaugurimin e Infektivit të ri, ku treçereku i stafit ka shkuar në Gjermani dhe çereku pret të marrë vizën e punës.

Me pak fjalë, gjithë graria e qeverisë nuk po lë shtriganëri pa bërë, që një herë të vetme, Edi t’u drejtohet me përkëdhelorin sublim “shtrigë”.

Por më kot. Këtë titull fisnikërie ai ja ka rezervuar vetëm asaj, zëvendëses së vet, ministres së Rreshjeve, Shitjes së Korrentit dhe Kilometrave të Asfaltit, Bella Ballukes.

***

Nuk është e vërtetë se Edi e ka krijuar këtë dobësi vetëm se ai, si djali i shokut Kristaq, e sheh me tjetër sy mbesën e shokut Beqir. Kjo hipotezë mbi gjasme aleancën e bijve të nomenklaturës bie poshtë, se ja, vajzën e shokut Llambi, Edi e çoi në SPAK për abuzimet me tunelin e Kardhiq-Delvinës. Që domethënë se jo vetëm shokët Birosë dhe Komitetit Qëndror, por edhe fëmijët e nipat e tyre e kanë ruajtur genin e goditjes të grupeve armiqësore.

Jo, Edi nuk i sheh këto farefisnira të sëmura. Ai sheh vetëm produktin, dhe Bella prodhon vazhdimisht.

Bella shet dhe blen korrent me dhe pa këste. Inauguron rrugë që kanë filluar para dhjetë vjetësh, dhe që s’do mbarojnë as pas dhjetë vitesh të tjera. Promovon porte të reja detare që parashikojnë ndërtime pallatesh që do shiten, dhe me paratë e fituara nga apartamentet, kismet mund të ndërtohet dhe porti. Dhe mbi të gjitha, shumëfishon, pothuajse njësoj si Jezui që i shtoi peshqit në rrjetat e peshkatarëve të Galilesë me frymën e shenjtë. Po si?

***

Të gjithë mbajnë mend kur u rrit për herë të parë çmimi i karburantit dhe Bella u bëri thirrje shqiptarëve që të ecin më këmbë dhe të mos marrin makinën për të blerë bukën. Ose fruta-perimet. Mirëpo ecja me këmbë pakëson përdorimin e rrugëve. Dhe doli një problem: Si do shpenzoheshin gjithë ato miliona euro sufiçit të buxhetit të shtetit, kur dihet që mënyra më e mirë është duke shtruar rrugë të reja?

Atëherë në një mbledhje sekrete qeverie shoku Edi doli me thirrjen: Të bëjmë një korridor Adriatiko-Jonian Milot-Fier të atillë, që lezhjani të shkojë një vrap ta blejë bukën në Fier. Dhe anasjelltas. “Nuk e bëjmë me paratë e Evropës, se ata janë vesveselinj,” tha Edi, “jo po ku i çove paratë, jo po pse me këtë çmim kilometrin. Papapa, janë më keq se gjirokastritët”.

Këtu ndërhyri gjenia krijuese e Bella Ballukes.

“Unë zoti kryeministër,” propozoi ajo me zërin prej llastice që asnjë nga ministreshat e tjera nuk e imiton dot, “sugjeroj të bëjmë jo një, por pesë rrugë: E para nga Miloti në Thumanë, e dyta nga Thumana në Kashar, e treta nga Kashari në Pezë-Helmës, e katërta nga Peza e vogël në Pezën e madhe…”.

“Lereee mos e ngaj, e ke qa!”, tha Edi i ngazëllyer, “gjeniale. Pesë rrugë janë më shumë se një. Pesë projekte madhore, pesë kompani shqiptare që do punësojnë njerëz, pesë shembuj suksesi…”

“Edhe një pikë pesë miliard euro konçesione e PPP-ra, që shqiptarët t’i thonë fukarrallëkut tutje”, shtoi Ballukja.

Atëherë shoku Edi iu drejtua grave të tjera të qeverisë: Hë, çfarë i thoni ju kësaj?

Ato ulën kokën të skuqura nga marazi: Është shtrigë, s’ke ç’ti thuash!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa PPP dhe pa fonde BE-je

Video