VOX-OSKOPI I MUAJIT / Bella Ballukja, Lul Basha dhe Dua Lipa do hyjnë në jetën tuaj…

28 Nëntor 2022, 22:34Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VOX-OSKOPI I MUAJIT

DASHI – Do të jetë një muaj kursimi për ju. Ministrja Bella Ballukja do të hyjë në jetën tuaj këtë dhjetor, duke ju këshilluar të zbrisni me shapka dhe tuta shtëpie tek dyqani i bukës, dhe të mos merrni makinën. Me paratë që do kurseni, Ballukja do ju këshillojë të prenotoni një apartament pranë portit të ri të Durrësit.

DEMI – Edhe pse ankoheni se nuk ju marrin seriozisht, veprimet tuaja nuk do të kalojnë pa u vënë re. Policia dhe forcat speciale do të trokasin aq befasisht në derë këtë muaj, saqë nuk do keni kohë të fshihni tre thasët e hashashit dhe dhjetë refugjatët afganë që po gaditeshit t’i çonit në Han të Hotit.

BINJAKËT – Lexueset profesioniste të filxhanit përdorin shprehjen klishe,”do marrësh një haber të mirë nga qeveria”. Por ju vërtet do merrni lajmin e mirë se qeveria do japë 50 mijë lekë të vjetra shpërblim për pensionistët me rastin e Vitit të Ri. Problemi është se ju jeni tek të 30-tat dhe 50 mijë lekëshi i babait nuk ju zgjat as dy ditë.

GAFORRJA – Do të shpërtheni nga zemërimi, kur të zbuloni se hakerat iranianë kanë vjedhur dhe do nxjerrin në treg komunikimet me whatsupp të mbi 500 mijë shqiptarëve, mes tyre edhe të tuat. Ideja se bashkëshortja mund të shtjerë në dorë mesazhet e tua disamujore me Brixhildën, komshijen e katit të tretë, ju bën të luani mendsh dhe të shani këtë qeveri idiote dhe këtë shtet teveqel që nuk ruan dot asnjë sekret.

LUANI – Do të hysh në një fazë krize ekzistenciale këtë muaj, kur të vësh re si ti si shqiptar i mirë, bën maksimumin për të kursyer energjinë elektrike, ndërsa lokalit të Tuçit poshtë pallatit, që mban dritat jashtë e brenda ndezur 24 orë, i vjen fatura e korrentit sa gjysma e shtëpisë tënde. Megjithatë, çunat e OSHEE do të të shpjegojnë se ky është një rast i veçuar dhe nuk ka lidhje me faktin se Tuçi e ka vëllanë deputet socialist. 

VIRGJËRESHA – Yjet janë të lumtura t’ju njoftojnë se ndikimi i Marsit do bëjë që ministria e Krifa Fridcës t’ju aprovojë një grant fermerësh prej 10 mijë eurosh. Paralelisht, drejtori i Krifës do ju sqarojë se që të merrni paratë realisht, gjysmat duhet t’ja besoni atij në dorë kesh. Për t’i ruajtur.   

PESHORJA – Mbani frymën! Lulzim Basha do të hyjë në jetën tuaj këtë muaj – por jo nga dera që Bella Ballukja përdori për të hyrë në jetën e Dashit – duke ju zënë totalisht pa mendje. Megjithatë ai do ta kuptojë që jeta juaj nuk është selia e PD-së, dhe ju nuk jeni ndonjë oligark nga i cili mund të vjelë diçka. Ndaj Luli do kërkojë falje, do mërmërisë se kërkonte Alibeajn po ngatërroi adresë, dhe do zhduket sa hap e mbyll sytë.

AKREPI – Arsimi dhe shkolla e mirë është fokusi juaj në jetë, për çka keni marrë lavdërime nga gjithë farefisi dhe të njohurit. Prandaj e keni ndarë mendjen, që sa të merrni diplomën e universitetit, të aplikoni për punonjës lavazhi në Mançester ose Liverpul. Duke ngjallur që tani, zilinë e lavazhierëve të Tiranës. 

SHIGJETARI – Mos i dëgjoni dashakeqët që ngulin këmbë se jeni mospërfillës ndaj femrës si koncept. Do ta tregoni me vepra këtë muaj se femrat janë tejet të pranishme në jetën tuaj: Mamaja ju gatuan ende, edhe pse keni kaluar të dyzetat; motra ju lan e ju shplan, ndërsa gjyshes i përlani gjysmën e pensionit, duke u justifikuar se t’u prishën paratë në lavatrice, pasi i kishe harruar në pantallona.    

BRICJAPI – Do të mallëngjehesh dhe do të emocionohesh kur të kuptosh sesa shumë njerëz të njohin dhe e dinë kush je, pavarësisht se ti nuk i ke parë kurrë. Kjo do të ndodhë sapo fotografia jote të vendoset në listën e të kërkuarve të policisë.

UJORI – Lëre fantazinë të marrë udhë këtë muaj, duke hapur profile false në facebook dhe duke ngacmuar shantazhuar burra e gra, të rinj e të reja. Vijo me fantazinë e çliruar në qelinë e burgut, duke imagjinuar më kot se do të të vizitojë ndonjë familjar për të të sjellë cigare dhe ndonjë kafshatë bukë.

PESHQIT – Po ta themi hapur, do pësosh një zhgënjim të madh në jetën sentimentale. Sepse kishe lësh një takim me Dua Lipën në sheshin Skënderbej, por për fat të keq ajo erdhi bashkë me 10 mijë të tjerë dhe nuk këmbeve dot një llaf për së mbari, se kishte shumë zhurmë.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike nën ndikimin e Jupiterit

Video