
TIRANË / ELBASAN etj – Në një gjest kuptimplotë solidariteti që ngriti peshë zemrat e gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve, një grup demokratësh të vërtetë bënë një foto grupi ditën e djeshme, ku u shfaqën të gjithë me sy të nxirë, hematoma dhe enjtje në gjysmën e fytyrës, si dhe me një palë syze dielli pilotësh gjasme për të mbuluar plagët. Patronazhisti mëson se afërmendsh, veprimi ishte një shprehje e fortë mbështetjeje për kryetarin Sal Iberisha, i cili, siç dihet tashmë, ra viktimë e një komploti ndërkombëtar. Gjesti u përsërit nga grupe demokratësh në gjithë Shqipërinë, madje dhe nga degët e PD-së në diasporë.
Për të bërë një retrospektivë të shkurtër, le të rikujtojmë sesi një vegël e komplotistëve që shtirej si i lojtur, goditi Iberishën me grushtin e majtë gjatë protestës historike me 500 pjesëmarrës të 6 dhjetorit 2022, nga të cilët 15-20 protestues ishin truproja të liderit. Që megjithatë nuk arritën të frenojnë planin djallëzor. Hetues të paanshëm të PD-së konkluduan se fakti që grushtuesi përdori të majtën, nuk lë shteg për dyshime se e majta ndërkombëtare, në bashkëpunim me atë lokale, ishte organizatore e sulmit të poshtër.
“Goditja me të majtën, në faqen e djathtë të Doktorit, dëshmon se sulmuesi ishte porositur nga Edi Rama, Sorosi, majtistët pseudo-europianë dhe grupimet trockiste brenda parlamentit europian,” thanë hetuesit e pavarur demokratë.
***
Reagimi i demokratëve të vërtetë nuk vonoi. Për të treguar se ata nuk mposhten dhe as intimidohen nga këto sulme, një grup demokratësh në Tiranë dhe një tjetër në Elbasan, realizuan një koreografi me foto grupi ku të gjithë u shfaqën me faqen e djathtë të enjtur, plot me hematoma dhe të mbuluar me syze dielli njësoj si ato që kishte vënë Sal Iberisha. Motoja e pjesëmarrësve ishte “Nuk na frikësoni dot”.
Patronazhisti ka mësuar edhe detaje pikante të prapaskenës së realizimit të fotove. Sipas disa pjesëmarrësve, që folën në kushte anonimati, në realitet shumica e hematomave u shkaktuan gjatë zënkave mes kandidatëve të primareve demokrate, ku u përfshinë dhe mbështetës e familjarë të secilit kandidat. Në solidaritet e sipër, kandidatët nisën të akuzojnë njëri-tjetrin se kishin futur votues socialistë në listat e simpatizantëve; se kishin vjedhur vota, kishin manipuluar shifrat e votuesve në tabelat përmbledhëse, kishin blerë komisionerë ose të gjitha sa më sipër bashkë. Por pas urdhrit të liderit që grushtet solidarizuese të ndërpriten, të rrahurit arritën në përfundimin se mund t’i përdornin hematomat dhe të nxirat, për një fotografi historike uniteti.
Një nga personazhet qëndrore të fotove është edhe Laki Luçiano nga Elbasani. Si prurje e botës akademike, Luçiano vjen më këtë festë hematomash me një përvojë të pasur në rrahje dhe nxirrje profesioniste. Kujtojmë se ai e mori epitetin Laki pasi ishte me shumë fat që në primaret demokrate të Elbasanit, nuk iu desh të garonte me askënd se ishte kandidati i vetëm në garë. Kjo, pavarësisht se Patronazhisti ka të dhëna se për të arritur të ishte kandidat i vetëm, Laki Luçianos iu desh të prodhonte disa faqe të djathta të enjtura nga grushte të majta anonime.
***
Solidaritet me Sal Iberishën shprehën edhe mjaft dekanë demokratë të syve të nxira në vite, si Arben Hamami, Eduart Alekum Selami, Nerican Teka, etj.
“Dhuna në politikë është e papranueshme,” thanë ata duke fërkuar kyçet, shpatullat dhe këllqet që ende u dhimbnin edhe pas 20 e kusur vitesh nga dajaku, për të cilin Iberisha ka bërë be e rrufe se nuk di gjë.
Patronazhisti mëson se kanë në plan të bëjnë foto solidarizuese me Iberishën, edhe një grup ish-gazetarësh të viteve ‘90-të, një tufë ish-socialistësh të vitit 1996, disa mijëra pensionistë që shitën shtëpitë mes viteve 1994-97 dhe u ngrohën në diell, etj.
Por realizimi më origjinal solidarizues, mësohet se po përgatitet nga një grup banorësh të fshatrave pranë Vorës, të cilët kanë kërkuar të fotografohen pikërisht në çastin që janë duke u hedhur në erë nga shpërthimi i një depozite të madhe baruti.
Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike e pa-atashuar pranë grushteve, të majta apo të djathta qofshin