
TIRANË / DURRËS / MEDELLIN – Konstatimi i Autoritetit të Konkurrencës se katër kompanitë e mëdha të miellit kanë krijuar kartel dhe kanë fiksuar çmimet e tregut në bashkëpunim me njëra-tjetrën, si dhe gjoba që institucioni që vigjëlon mbi tregtinë e ndershme u vuri të pangopurve, ka shkaktuar reagimin e opinionit publik dhe unioneve të tjera ekonomike.
Një ndër reagimet e para erdhi nga Korporata e Bardhë, e cila jo vetëm përshëndeti aktin e Autoritetit të Konkurrencës, por edhe kritikoi ashpër veprën abuzive të kolegëve tregtarë të miellit.
“Po jua themi si mielli miellit: Turp t’ju vijë! Si mund të abuzoni kështu me bukën e gojës? Merrni shembull nga ne, që tek e fundit merret vetëm me bukën e hundës, dhe prapë stimulon tregtinë e lirë dhe të ndershme!,” thotë ndër të tjera deklarata për shtyp e KB.
Në vijim Korporata – e cila kujtojmë se vetëm kohët e fundit është transferuar tamam në Korporatë, pasi për një kohë të gjatë e zhvillonte aktivitetin e vet institucional në një kontejner bananesh – bëri një pasqyrë të shkurtër të stilit të vetë të punës.
“Ne siç e dini, nxisim konkurrencën e lirë dhe të ndershme, që ul çmimet dhe ndihmon konsumatorin. Tregtarë të mëdhenj e të vegjël janë të lirë ta blejnë mallin e tyre ku të duan, ta sjellin si të duan, dhe t’ja shesin kujt të duan, me kusht që të paguajnë kuotizacionin e Dhomës sonë dhe ç’është me kryesorja, të mos bëjnë shaka me taksat e shtetit. Aaaa, këtu s’të falim: Çfarë i takon ministrit, jepja ministrit. Ça është e drejtorit të Policisë, jepja drejtorit të Policisë. Do hanë të gjithë bukë!
Meqë na kujtuat bukën! Po ku të lini ju të hash një çap bukë rehat? I mbani çmimet kacafiu, merreni vesh me shoshoqin në kurriz të fukarasë. Kur atij të ziut mezi i del të blejë miellin tuaj, si do i teprojë për miellin tonë? Le po shpikni dhe sebepe, shyqyr që doli lufta në Ukrainë dhe një e dy, i ka fajet lufta! Sikur të nxirrnim ne kështu justifikimesh me aq luftra, grushte shteti, përplasje grupesh që ka në Kolumbi, Venezuelë, Ekuador, Peru, Bolivi, sot do kishte shkuar kilja e kokainës sa kilja e gjelit të detit! Por nuk e bëjmë, se e dimë që në këtë dynja, ka vend për të gjithë. Dhe të mendosh që ju miellin tuaj e sillni nga Serbia, ne tonin e sjellim nga ana tjetër e botës!”
Në fund, Korporata e Bardhë i shtrin dorën e bashkëpunimit kartelit të miellit.
“Ne ofrojmë të paguajmë gjobën tuaj kësaj here, për këtë mjaftojnë dy pako nga mielli jonë. Por me kusht që të bëni kujdes me miellin tuaj. Okej?”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se mielli ka nevojë dhe për ca krunde