DENONCIMI / Ahmet Arbenaj: Po më shantazhojnë, duan të më kthejnë prapë zv.kryeministër!

19 Dhjetor 2022, 17:10Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ahmet Arbenaj duke hyrë në parlament me çantën plot dizinfektantë

TIRANË / LONDON – Një reagim i fortë ka ardhur pas disa javësh heshtje, nga ish zëvendës/kryeministri rindërtues i qeverisë shqiptare, Ahmet Arbenaj, në përgjigje të akuzave të shumta se ai është autori kryesor i skemës tashmë të famshme ambientaliste të incineratorëve.

Siç dihet, skema - që parashikonte riciklim maksimal të mbetjeve qytetare dhe fshatare, dhe djegien finale të plehrave që nuk kishte burrë nëne t’i riciklonte, me synim prodhimin e një sasie të atillë energjie sa do nxirrte jashtë loje gjithë kaskadën e Drinit - është denoncuar nga armiqtë e mjedisit si mashtruese dhe dëmprurëse për shëndetin e publikut.

Armiku i mjedisit, pisanjosi Myrto Këllira ka deklaruar prej vitesh në media se skema e frymëzuar nga Arbenaj kishte për qëllim pastrimin e mjedisit shqiptar në një shkallë aq të madhe, saqë në Shqipëri do të shkaktohej mungesë e patolerueshme mikrobesh dhe bakteresh të dobishme, duke dëmtuar kësisoj imunitetin natyral të njerëzve.

“Është fakt se pas konstatimeve të para për një pastrim të mjedisit në nivele alarmante, banorët e Shqipërisë nisën të largohen masivisht nga vendi nën pretekstin e kërkimit të një jete më të mirë dhe rrogave më të fisme në Gjermani, Angli, Skoci, Uells etj,” akuzon zoti Këllira, “por arsyeja e vërtetë e eksodit ka qenë dhe mbetet gjetja e mikrobeve dhe baktereve europiane për një imunitet të shëndetshëm”.       

***

Patronazhisti rikujton se akuza si këto dhe më të rënda, detyruan nënkryetarin e qeverisë shqiptare Ahmet Arbenaj të linte mbërdhe mistrinë, llaçin dhe tullat e rindërtimit, të hiqte përparësen në shenjë proteste dhe të jepte dorëheqjen.

Arbenajn madje e akuzuan edhe se pronarët e incineratorëve i kishin paguar me kartë krediti dreka e darka, kafera dhe kapuçino, hotele dhe pushime, masazhe dhe udhëtime, aviona e makina, sepse demek qenkërka kolaq i pandreqshëm dhe pavarësisht se nuk di ku t’i çojë milionat, ja donte shpirti edhe ndonjë udhëtim falas e ndonjë briosh veresie.

Ndërkohë, thonë akuzat, edhe pse incineratorët hala nuk kishin filluar nga puna, pagesat e qeverisë për projektin vijonin lumë. Pronarët e incineratorëve protestonin se nuk i meritonin paratë, se nuk mund t’i pranonin, se nuk i zinte gjumi natën, pasi fabrikat ende nuk po incineronin asgjë. Por këto protesta ranë në vesh të shurdhër, pasi Arbenaj ua kishte prerë copë: “Ose merrni paratë, ose mu bëni def nga sytë!”

***

Pas dorëheqjes, Ahmet Arbenaj heshti për disa kohë. Ama kur shkonte si deputet i thjeshtë në Parlament, në shenjë proteste nuk votoi asnjë ligj pastërtor. “Aty të rrini, në llucë si derrat, kromashër,” thoshte me vete. Gjithçka në lidhje me pastërtinë, mjedisin dhe anti-mikrobet i shkaktonte alergji. Deri aty sa kur në Kuvend mbërriti një draft për pastrimin e parave, ai u bë keq një javë rresht, me temperaturë dhe bajame të enjtura.

Por edhe heshtja ka një kufi. Dje ish zv/kryepastërtori deklaroi për mediat se gjithë dallga e akuzave ndaj tij, ishte tendencioze dhe shantazhuese.

“Segmente të caktuara në bashkëpunim me segmente të pacaktuara, po më bëjnë presion që të rikthehem në postin e zëvendëskryeministrit,” deklaroi Arbenaj, “por po deklaroj këtu, se unë nuk përkulem ndaj shantazheve; dhe historinë e qeverive dhe institucioneve qeveritare e kam mbyllur. Përfundimisht, këtu lulet i hanë gomerët”.

Në vijim, Arbenaj sqaroi se do të hapte një faqe tjetër të karrierës së tij, kësaj rradhe në sektorin privat.

“Sapo më njoftuan se është pranuar kërkesa ime për të punuar si kryelavazhier në Londër”, përfundoi Arbenaj.      

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pastërtore

Video