EMERGJENCAT / Përmbytje dhe orteqe dëbore, Luizi përjashtohet nga shpenzimet javore

23 Janar 2023, 17:38Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rreshjet e dëborës kanë bllokuar banorët brenda shtëpisë së Vëllaut të Madh

TIRANË / KASHAR / THETH – Një seri ngjarjesh dramatike që lidhen me dukuritë e rënduara meteorologjike kanë ndodhur në vendin tonë ditët e fundit, duke mbajtur të mobilizuara dhe të tendosura në maksimum emergjencat civile dhe forcat e ushtrisë.

Kështu, aksi malor Qafë Thore–Theth edhe pse është hapur vazhdimisht nga borë-pastrueset, është bllokuar disa herë nga reshjet e dendura të dëborës. Ndërkohë Luizi ka patur një debat të ashpër me Oltën, çka ka krijuar një situatë acide mes banorëve të shtëpisë së Vëllaut të Madh. Emergjencat Civile bëjnë me dije se helmimi i disatë i atmosferës brenda shtëpisë ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e provave të këngës që po përgatisnin banorët.

Nga ana tjetër, edhe pse u duk sikur reshjet e shiut u pakësuan, sipërfaqet e tokave bujqësore të mbuluara nga uji mbeten problematike. Banorët e Obotit në ultësirën e Shkodrës ende janë të bllokuar dhe lëvizja e tyre bëhet vetëm me ndihmën e mjeteve të ushtrisë, ndërkohë që Kiara ka dëshmuar edhe një herë një karakter të dobët, duke krijuar përshtypjen se ajo po luan me elementin e lidhjes me Luizin vetëm për hir të lojës. Faktikisht Amosi ja bëri të qartë: “Dije se ai po të përdor. Nëse ti moj vajzë mendon se do fitosh pikë duke sajuar histori dashurie, votuesit kanë për të nxjerrë jashtë shtëpisë”.

Pavarësisht se Kiara nuk e priti mirë këtë deklaratë, ministri i Mbrojtjes Piko Meleshi siguroi publikun se forcat e ushtrisë jo vetëm që do mbeten në ndihmë të banorëve të bllokuar nga bora, por ministria ka dërguar ndërkohë edhe mjete e trupa për të asistuar disa zona të Kosovës ku ka patur gjithashtu përmbytje të mëdha. “Për mendimin tim, Armaldo Kllogjeri është lojtari më i pjekur dhe më me integritet aty brenda,” deklaroi ministri.

***

Ndërkohë Kombet e Bashkuara në një raport të fundit bëjnë me dije se bota po kalon krizën më të rëndë ushqimore që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendet që po e ndjejnë me pasojë më direkte mungesën e ushqimeve bazë janë ato të Afrikës Lindore dhe zonat e pazhvilluara të Azisë. Ministrat e Bujqësisë së dhjetra vendeve të mbledhur në Berlin, mes tyre dhe ministrja shqiptare Krifa Fridca, pohuan se mund të bëhet më shumë për vendet e prekura nga kjo krizë, që është ashpërsuar si pasojë e luftës në Ukrainë. Në këtë kuadër, Luizi është përjashtuar nga kuota e shpenzimeve javore, me banorët e tjerë që kanë deklaruar se nuk mund të përfshijnë në shpenzimet bazë tekat dhe dënglat e tij. Për më tepër, Diola ja tha hapur Luizit: “Nuk kam më respekt për ty dhe pikë. Kam menduar se çoç ishe, por paske qenë një këllëf total”.

Ukraine ka vijuar të jetë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve europiane, pas ngurrimit gjerman për t’i dërguar tanket e famshme Leopard qeverisë së Kievit. Për këtë çështje, Kristi këshilloi Efin që atë xhupin me jakë prej lëkure leopardi ta veshë vetëm kur del jashtë në oborr për të pirë cigare. “Mos e vish vend e pa vend, se është shumë i bukur dhe gjynah, mund ta dëmtosh,” sugjeroi Kristi.  

***

Zhvillimi më i papritur ndodhi ditën e djeshme, kur kryetari i Partisë Demokratike Salib Erisha deklaroi se jo vetëm do ta jepte votën e tij për Luizin, por do ftonte demokratët dhe aleatët e vegjël të mblidhnin fonde për të ndihmuar Luizin të kuronte sëmundjen e rëndë që të gjithë e morën vesh se ai nuk e kishte. Fonde për Luizin deklaroi se do mblidhte edhe kandidati socialist për bashkinë Shkodër, kreu i PBDNJ-së, kryetari i partisë çame dhe Baba Mondi. Ndërkaq, rruga e Obotit vijon të mbetet e bllokuar.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike vëllazërore

Video