SHOWBIZ / Deputeti shkodran, i eliminuari i fundit i spektaklit ‘Dancing with Mona”

14 Janar 2023, 18:58Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mona (kjo djathtas me pantallona prej te burgosuri) duke marre ne prove nje kandidate

TIRANË / JALË / LALZ –Dy javë para se të largohej, ai kërcente me Monën. Meqë iku në kërkim të lumturisë, udhë e mbarë i qoftë, tani le të kërcejë me Spiropalin”.

Kështu deklaroi para pak orësh kryetari i jurisë së spektaklit “Dancing with Mona”, baletmaestri Lilo Çepani, lidhur me largimin e deputetit shkodran Agron Çela nga formati më i pandjekur televiziv i viteve të fundit.

Siç pakkush e di sot, shfaqja dikur e famshme “Dancing with Mona” si bosht kryesor të saj ka konkurrimin e gjithë pjesëmarrësve në një kërcim me Monën, dhe juria e drejtuar nga baletmaestro Çepani jep vlerësimin. Ndër konkurrentët veteranë që kanë mbetur në spektakël renditet edhe Tit Vasili, ndërsa mes banorëve të rinj që kanë hyrë në shtëpi së fundi – për kujtesë, quhet Shtëpia e Lirisë – është dhe Teodori i Blushëve.

***

Spektakli “Dancing with Mona” është nga formatet më të vjetra të këtij zhanri në Shqipëri. Në edicionet e para quhej “Kërcen prifti nga belaja” dhe ishte mjaft i ndjekur nga të gjithë ata që mezi prisnin të shikonin priftërinj në bela. Fillimisht, thelbi i garës ishte ky: Kush ja dilte t’i rrinte aq afër Monës sa të kërcente me të, qoftë dhe për pak, kualifikohej për më tej. Të shumtë ishin konkurrentët që, sa afroheshin, ja fusnin vrapit në drejtimin e kundërt.

Por me kalimin e kohës, konkursi u bë mjaft interesant, pasi ata që arrinin të kërcenin me Monën, kalonin në fazën tjetër duke përfituar ndonjë drejtori, doganë, tatime, deputetllëk, apo bashki të vogël dhe të mesme.

Historia mban mend shumë emra - dhe shumë të tjerë i ka harruar - që kanë kërcyer me Monën, dhe që kanë marrë nota pozitive, ose negative nga Lilo Çepani. Nga të eliminuarit e fundit të “Dancing with Mona” ishte dhe Lulzimi. Siç e mbajmë mend të gjithë, Luli u kualifikua në disa faza me Monën, duke kërcyer me sukses Passo Doble, Tango, Cha Cha Cha e Pogonishte, po u skualifikua në vallen e Dibrës. Edhe Edi i Kristaqit ishte për disa kohë pjesë e formatit, por për shkak të gjatësisë dhe shiatikut, u detyrua ta braktiste shoun.

Një nga heroikët e “Dancing with Mona”, Tit Vasili, shpjegon për Patronazhistin sekretin e jetëgjatësisë së tij në këtë spektakël.

“Unë që kur kam ardhur tek Mona, kam qenë vetvetja,” thotë Titi, “nuk më interesojnë votat e publikut, as se kush do fitojë në fund. Unë nuk di të shtirem”.

“Mbase prandaj dhe njerëzit më votojnë,” shton Titi, që zgjedhjet e fundit mezi mblodhi njëmijë vota, por me vendim të kryetarit të jurisë Lilo Çepani u bë deputet i Lirisë së Shtëpisë së Monës.         

***

Por kohët e fundit gjërat nuk po shkojnë mirë në ‘Dancing with Mona”. Dhe nuk është thjesht çështja e deputetit të Shkodrës. Deri vonë, Mona kishte në bregun e Jalës, një shtëpi pionerësh, ku çdo behar merrte në provë brezat e rinj të valltarëve dhe valltareve, për të nxjerrë mes tyre më të talentuarit për të kërcyer në dogana, tatime e skena të tjera të artit.

Patronazhisti mëson se ky aset ditët e fundit ka marrë flakë dhe ka pësuar dëme serioze, duke i lënë valltarët e vegjël jashtë, në shi e në erë. Edhe një ide e hedhur nga dikush, që artistët e vegjël t’i çonin në Lalëz, u hodh poshtë, pasi rezultoi që Mona e kishte shitur kasollen e Lalzit, për të mbledhur fonde për një palë syze të reja firmato.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike artistike

Video