
TIRANË – Në një zbulim që e përmbys totalisht gjithë rrjedhën e hetimeve të deritanishme të SPAK mbi aferën e inceneratorëve dhe rolin e ish ministrit zëvendës/kryeministër rindërtues Ahmet Arbenaj në to, prokurorët specialë Braho Braushi dhe Nakuç Kapuçi bëjnë me dije se zotit Arbenaj i është gjetur një faturë që e ka paguar vetë.
Fatura, thonë investigatorët syshqiponjë, i është gjetur Arbenajt e fshehur në xhepin e pasmë të një pale pantallonash xhins që janë veshur nga i sipërpërmenduri në vitin e largët 1999. Edhe pse ish funksionari i lartë socialist është përpjekur ta mohojë pronësinë e xhinseve, fakti që pantallonat kanë qenë të pozicionuara strategjikisht në një raft të pluhurosur me sende të vjetra në një nga pesë garazhet e shtatë shtëpive të Arbenajt, vërtetojnë katërcipërisht se fatura është paguar nga vetë autori.
“Zoti Arbenaj protestoi ashpër, dhe deklaroi para nesh se ai nuk ka paguar kurrë asnjë faturë, sado simbolike. Mua njerëzit e thjeshtë më duan shumë, përfshirë fshatarët e mesëm. Ata më ftojnë për dreka e darka, për zijafete e marifete, hotele e aviona, motele e makarona, dhe unë nuk dua t’ua prish se u thyhet zemra, deklaroi Arbenaj. Prandaj nuk ka mundësi që këtë faturë ta kem paguar unë në vetë të parë, na tha ai,” pohojnë për mediat prokurorët Braushi e Kapuçi.
Megjithatë hetimet këmbëngulëse nxorrën në pah se gjatë studimeve super të larta në Harvard të Amerikës, kishte ndodhur një incident që deri tani kishte mbetur në errësirë.
Ishte nëntor i vitit 1999, kur Ahmet Arbenaj pas një pasditeje të lodhshme leximesh, vendosi të marrë një kafe amerikane dhe një ujë amerikan pa gaz në kafeterinë afër shkollës.
“Bëjnë tre dollarë e 50 cent,” i tha kamarierja, një amerikane me origjinë latine.
“E di sa bëjnë,” buzëqeshi Arbenaj me injorancën e punonjëses, “por unë jam Ahmet Arbenaj. You know, El Tigre, The Tiger. Unë nuk paguaj, se kam alergji nga pagesat”.
“Nuk e di kush të ka gënjyer me tigrin, se mua më dukesh më tepër si maçok,” ja ktheu kamarierja, “por do paguash dhe me një këmbë, bile”.
Sipas dëshmitarëve okularë, kështu ndodhi që me duar të dridhura, Arbenaj nxori paratë dhe pagoi një herë të vetme nga xhepi. Faturën e mbajti si kujtim i hidhur, dhe si mësim për herë të tjera.
***
Prokurorët specialë të SPAK-ut, Braho Braushi dhe Nakuç Kapuçi, deklaruan me këtë gjetje, rrëzohet si kala pe rëre miti i papagueshmërisë së Ahmet Arbenajt.
“Ne e kuptojmë që mediat edhe mund ta ekzagjerojnë, për vetë natyrën e punës së tyre. Prej disa muajsh shkruajnë e thonë se Ahmet Arbenajt ja kanë paguar të gjitha pronarët me letra të inceneratorëve, nga ushqimi, fjetja, udhëtimet, shkollimi i fëmijëve, dritat, uji, kafetë, interneti, kanalet televizive me pagesë, parkimet, berberin, kostumet, këpucët, shapkat e pizhamet. Por ja që kjo nuk është e vërtetë. Faktet flasin qartë,” thanë Braushi e Kapuçi.
Në mbyllje të prononcimit, heronjtë e drejtësisë dhanë dhe një arsyetim që i la reporterët gojëkyçur, edhe pse me gojë hapur.
“Ka dhe nga ata gazetarë, që hedhin dyshime sikur në fakt, Ahmet Arbenaj është pronari i vërtetë i inceneratorëve. E zëmë për një çast se është kështu. Po atëherë a nuk i bie që të gjitha akuzat se atij ja kanë paguar të tjerët faturat e udhëtimeve dhe hoteleve, janë gënjeshtra me bisht? Se me këtë logjikë, del se ai ka paguar vetë për shpenzimet e veta! Ja pra, ç’do të thotë të merresh me shpifje!”, deklaruan Braho Braushi dhe Nakuç Kapuçi.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-faturë