REAKSION ZINXHIR / Zgjerohen hetimet: Berberit të Arbenajt i gjenden 300 mijë euro të fshehura mes brisqeve!

10 Janar 2023, 17:20Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berberi i besuar i Ahmet Arbenajt duke mprehur briskun

TIRANË – Lajmi se ish-shefes së kabinetit të ish zv.kryeministrit Ahmet Arbenaj i është vjedhur shtëpia, në momentin e parë u përcoll me keqardhje dhe empati nga opinioni publik shqiptar. Të etur për të mësuar vazhdimin e kësaj padrejtësie ndaj një punonjësi shembullor të shtetit, njerëzit prisnin të dëgjonin se si ish-kabinetses i ishin grabitur kursime të tipit 5-10 mijë euro, ndonjë varëse apo unazë e dhuruar nga gjyshja kur mbaroi shkollën e lartë, ndonjë lap-top, celular, mikrovalë apo pallto të shtrenjtë.

Por me kalimin e orëve, rezultoi se punonjëses shembullore të shtetit i ishin vjedhur dhjetra mijëra euro, pastaj doli se shuma ishte rreth 120 mijë, plus inxhi, byrzylyqe e varëse të shtrenjta. Akoma më pastaj, në shtëpinë e pastrueses hajdute u gjetën edhe ca bishta të vogla, gjithsej rreth 500 mijë euro të tjera.

Në këtë pikë, shqiptarët ranë dakord se hajdutja, që kishte marrë bashkëpunëtor edhe të birin, e meritonte 100% emrin e zanatit, PASTRUESE. Por ashtu duke ngurruar dhe me zë të hollë, prokurorët nisën të bëjnë edhe ndonjë pyetje disi të sikletshme. Si për shembull, ku i gjeti gjithë këto para ish-kabinetsja? 

***

Sipas një sondazhi të shpejtë të Patronazhistit, 120% e të anketuarve deklaruan se pyetja “Ku i gjeti kaq shumë para ish-shefja e kabinetit të Ahmet Arbenajt?” e ka përgjigjen brenda.

“A ka menaxhuar për vite të tëra veprimtarinë zyrtare rindërtuese, shtetformuese, inceneratore, reformatore dhe shembullore të Arbenajt? Atëherë ç’pyet a derëbardhë. Aty janë lekët, aty është bereqeti,” u përgjigjën të anketuarit.

Në këtë linjë, Patronazhisti ka mësuar se tashmë janë duke u hetuar jo thjesht ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Arbenajt, por gjithë rrethi i njerëzve që në një mënyrë a një tjetër, kanë patur kontakte të vazhdueshme me të. Fakti është që prej vitesh në Tiranë qarkullonte një fjalë e urtë, “Afër Tigrit, afër Mbretit”. Që domethënë se të punoje me dhe/ose për Ahmet Arbenajn, në mos rrjedhtë do të pikojë. Dhe në qoftë se shuma si ato që iu gjetën ish-kabinetses së Arbenajt quhen thërrime, mendo sa ka qenë gjithë buka.

***

Zhbirilimet e para kanë qenë të suksesshme. Të dhëna ende të rezervuara për publikun e gjerë, thonë se kërkimet nëpër shtëpitë dhe pronat e individëve që kanë patur kontakte me ish-rindërtuesin kanë zbuluar çudira.

Kështu, policia ka kapur shumën e pajustifikuar të 45 mijë eurove në shtëpinë e gomistit të besuar të Arbenajt, kuptohet, fshehur brenda një gome. Rreth 25 mijë euro janë gjetur në bahçen e kopshtarit të ish-ministrit, maskuar poshtë një arke me spinaq. Kopshtari deklaroi se nuk dinte gjë, dhe se paratë kishin mbirë vetë.

Ndërsa kërkimet vazhdojnë, kulmi i rradhës u shënua pas kontrollit në shtëpinë e berberit të Arbenajt, të cilit iu gjetën 300 mijë euro në prerje 500-she, poshtë një kutie me brisqe firmato.

Berberi deklaroi se ato ishin fitime të zanatit: “Unë të rruaj vëlla. Këtë zanat kam. Me mua, kushdo që vjen e ulet në kolltuk, del si rruar qethur. Çka këtu për t’u habitur?”…

Ndërkaq, ministrat e tjerë të Edit, përfshirë dhe vetë Edin, por edhe drejtorë, deputetë e hierarkë socialistë, deklarojnë se nuk e kanë takuar kurrë Arbenajn, nuk e njohin dhe se këto ditë është hera e parë që dëgjojnë për të…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që qethet dy herë në vit. Aq i ka mundësitë…

Video