MJEDIS / Divjakë, censusi zbulon se specia e rojeve të Parkut Kombëtar po pakësohet

18 Janar 2023, 21:50Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Moment i shumë viteve më parë, nga lëshimi i një rejnxhërsi të ri në natyrën e egër

LUSHNJE / KARAVASTA / TIRANË – Një lajm i trishtë me pasoja për mjedisin dhe jetën e egër vjen nga Divjaka, konkretisht nga Parku Kombëtar i Karavastasë. Pas disa viteve rresht që moratoriumi i qeverisë qëndron në fuqi, u duk se numri i shpezëve dhe krijesave që enden të lira në natyrën e egër, erdhi duke u rritur. Të dhënat e raportuara nga vëzhguesit e specializuar të florës dhe faunës, tregonin vit pas viti se ishin shtuar individët e specieve si pelikani kaçurrel, lejleku flokë-terital, dallëndyshja tullace, kaprolli i egër, tufat e levrekut dhe qefullit, rojet e parkut, të mbiquajtur rejxhërsa etj.

U duk se mirëmbajtja e parkut dhe rikthimi i jetës së egër ishte në rrugë të mbarë, duke shtuar këtu edhe rritjen e numrit të vizitorëve, të cilët tregonin sidomos interes për specien e rojeve të parkut, me të cilët dilnin spesh fotografi.

Por censusi i javës së kaluar tregon një të vërtetë të hidhur: Pavarësisht moratoriumit, numri i rejnxhërsave ka rënë ndjeshëm, pothuajse përgjysmuar.

Sipas specialistit Loni Betoni, “këtë vit vumë re se rojet e parkut jo vetëm janë pakësuar, por ata as nuk bëjnë më fole në florën e Karavastasë, dhe individët që janë kthyer në park nga sezoni i kaluar janë Zero”.

Duke tentuar të gjejnë arsyen e emigrimit pakthim të kësaj specieje, vitin e kaluar specialistët ekspertët i vendosën një pajisje të vogël me GPS disa prej rejnxhërsave, dhe rezultoi se të gjithë kishin ngritur fole të reja në Angli, Francë, Gjermani, Itali etj.

***

Të shastisur nga ky rezultat i papritur, për shkak se moratoriumi presupozohej të shtonte numrat e jetës së gjallë në parkun e mrekullueshëm, specialistët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura kërkojnë të gjejnë shkakun e kësaj drame.

Duke folur jashtë kamerave të Patronazhistit dhe duke kërkuar anonimatin, eksperti i AKZM-së Trifon Sqepi shprehu dyshimin se ndoshta, një nga shkaqet e zhdukjes së mistershme të rojeve mund të jetë dhënia e qindra lejeve për serra, magazina bujqësore, impiante ajrosjeje e vaditjeje brenda territorit të Parkut.

“Kjo mund të ketë ngushtuar hapësirat jetike të rojeve dhe ata janë larguar. Por kjo është veç një hipotezë,” tha me zë të ulët në kushte anonimati, Trifon Sqepi.    

***

Duhet thënë se edhe ministreshat e Mjedisit dhe Bujqësisë, përkatësisht Mirela Kumbaraja dhe Krifa Fridca, kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë pakësim të species.

Patronazhisti ka mësuar se ato kanë hedhur idenë që të provohet me një program të ri çiftëzimi - një projekt për të cilin mund të bëhet një tender modest prej 5-6 milionë eurosh – për të shtuar numrin e individëve roje. Pas një periudhe inkubacioni, rejnxhërsat e vegjël mund të lëshohen sërish në natyrë.

Por mësohet se ideja ka ngecur. Kjo për arsye se rojet e larguara të Parkut të Karavastasë, i kanë çuar këtë mesazh ministreshave:

“Nëse doni të na çiftëzoni me patjetër, na e sillni palën tjetër këtu në Angli, Gjermani, Francë etj. Përndryshe, zahmet e keni, çiftohuni vetë!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike mjedisore 

Video