
TIRANË / SKRAPAR / NJU JORKT – Me një ton të prerë dhe serioz, ku zhgënjimi i lexohej qartë në atë që kirurgu plastik në San Marino i tha se këtej e tutje do ta ketë fytyrë, simpatizantja e Lirisë së Partisë dhe dikur udhëheqëse me qera e partisë së Integrimit, me fjalë të tjera kontesha e Zerqanit Mari-Antuaneta Testagrande, deklaroi së fundi për mediat se ndihej thellësisht e prerë në besë.
Ajo e kishte fjalën për Dorin, çunin e hallës së Lilos, i cili rezultoi se kishte dalë duarsh dhe i paskësh bërë shërbime edhe Edit, që i ngecshin ngjalat në fyt jarebi. Dori qenkësh përzier me këtë ish agjentin e FBI-së, bridhte vërdallë me një email qeveritar që ja kishte dhënë Edi dhe tundte një kartvizitë si këshilltar veresie i kryeministrit.
“Shikoni këtu, unë jua garantoj se sa ishte në partinë e Integrimit, Dori ishte thjesht dhe vetëm çuni i hallës së Lilos. Sillej korrekt, e bëmë dhe zëvendësministër dhe mendja i punonte ditë-natë vetëm për integrimin. Por ai na e kishte fshehur faktin se përveç se çun halle i Lilos, paskësh qenë dhe çun tezeje i asaj nepërkës së Edit, ministres Etilda. Korba unë, kujt ja kishte marrë mendja?”, deklaroi kontesha për mediat.
Zonja Testagrande shtoi: “Ta dija unë, do t’i thosha: Zgjidh, ose çun halle me Lilon, ose çun teze me Etildën. Nuk ka më njëra dorë në revani, tjetra në bakllava – Lilua im është bakllavaja, sigurisht. Do t’i thoja të zgjidhte, njësoj si presioni që të bën gjermani kur të jep pashaportën: O nënshtetësi integruese, o nënshtetësi ramisto-diktatoriale! Ai mistreci paska zgjedhur diktaturën…”
Duhet sqaruar se në këtë deklaratë, Patronazhistit si njeri sonsiblë i bëri shumë përshtypje fakti që Dori, sa ishte me Lilon, ishte shumë në rregull, korrekt ke zoti, shpi-punë, punë-shpi, ecte vetëm në trotuar, respektonte semaforët dhe nuk shihte dynjanë majtas-djathtas. Ama sa iku nga Lilua, si u tërbua ky djalë fare? Sikur të mos ishte fare kushëri i parë me Lilon? Po si nuk i ngjau një fije xhanëm? Po të gjitha tabijatet nga ana e Etildës t’i kishte marrë zavalli?
***
Është fakt shkencor që Dori nuk është nga integruesit e parë - që sipas Mari-Antuanetës – sa janë me Lilon, janë shumë në rregull, por ama pastaj befasisht u merr koka erë.
Partia Integruese, që më pas ndërroi emrin në Liria e Partisë, e përfaqësuar nga simpatizantja e saj kontesha e Zerqanit, deklaroi një vit më parë se të gjitha veset e këqija, Lefter Koka dhe Alqi Bllakua i mësuan me Edin.
“Sa ishin me ne, ishin shumë në rregull. Në momentin që vendosën të hidhen me Edin, se nga i mësuan të gjitha të zezat e botës moj motër, nuk di ç’të them. U tronditëm kur dëgjuam se ishin marrë me korrupsion, se kishin vjedhur, kishin devijuar fonde, përfituar rroga stratosferike për një firmë,” tha kontesha, “unë dhe shtatë macet e mia mbetëm pa mend. E mbaj mend si tani, më ngeci havjari në fyt. Po unë kam përshtypjen se ai Edi u bën këtyre ndonjë kurs të përshpejtuar të ligësive. Lilua i shkretë u bën të rinjve kurse verore virtytesh në Jalë, kurse ky diktatori u mëson gjithë pisllëqet”.
Të njëjtën gjë do të pohonte kontesha fukareshë edhe kur Nasipi, përfaqësues i zonës operative-Berat-Skrapar në partinë integruese, vendosi të çapisë andej nga socialistët.
“Çudi e madhe,” tha asokohe kontesha, “ky Nasipi sa ishte me ne, ishte shumë në rregull. Si u prishën kështu këta njerëz xhanëm!”.
Në historinë relativisht të re të partisë së Lilos, janë me dhjetra e qindra, njerëzit që befasisht u prishën, duke qenë mirë e bukur dhe krejt në rregull. Por historianët dhe arkeologët kanë zbuluar së fundmi se edhe para se të lindte partia, ka patur njerëz që duke qenë shumë në rregull, vendosën të spiunonin shokët e shkollës që kishin lakra në kokë, tek shokët e Degës së Brendshme. Madje ka patur edhe të tjerë njerëz që në kohë të vështira vendosën ta fusnin floririn e shtetit në xhep, për ta ruajtur. Zërat thonë se janë ende duke e ruajtur. Të tjerë zëra thonë se njerëzit e Degës dhe këta të floririt, mund të jenë i njëjti njeri. I vetmi që nuk ka ndryshuar gjithë këto vite, duke po ai që ka qenë, krejt në rregull.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa djem hallash