LAJM I SEKONDËS SË FUNDIT / Luizi emërohet zëvendës/drejtor i Policisë së Shtetit

6 Shkurt 2023, 16:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Luiz Ejlli

TIRANË – Rënia drastike e shifrave të krimit, pakësimi i aksidenteve rrugore, ulja e ndjeshme e rasteve të sherreve ordinere, dhunës në familje, bullizmit në shkolla, kopshte e çerdhe, janë vetëm disa nga arritjet e tij. Fakti është se ai as që është përpjekur shumë për të vënë rregull dhe disiplinë në këtë vend leshi. Por mjafton sharmi, edukata, fjalori i pasur, enciklopedizmi i tij proverbial, bukuria e brendshme dhe e jashtme, dhe të tjerat vijnë vetë si me magji.

Është fjala për Luizin, autorin e vetëm dhe të pazëvendësueshëm të luftës kundër krimit, dhunës dhe trafiqeve në Shqipëri dhe rajon, i cili është autori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i paqtimit të shoqërisë së trazuar shqiptare dhe asaj ballkanike. Ndaj dhe lajmi i sekondës së fundit, emërimi i tij si zv.drejtor i Policisë së Shtetit, për shumëkënd është vetëm një formalitet.

“E meriton, është njësh për zotin,” kaq mundi të thoshte mes lotësh drejtori i përgjithshëm i Policisë, Met Strumbullaku.

***

Prej ditësh tashmë, statistikat e mbledhura ishin mbresëlënëse. Sa dilte Luizi në televizor, nuk kishte më grabitje bankash; dhuna në familje shuhej si me dorë; qarkullimi në rrugë pakësohej në minimum, duke eliminuar episode si ngarja e makinës në gjendje të dehur, kalimi i semaforit të kuq, etj. Shumica dërrmuese e shqiptarëve vraponin nëpër shtëpi ose lokale, dhe të kapur dorë për dore ndiqnin gjithë emocion heroizmat e Luizit: Sesi i ngjyente ai flokët në jeshile, si i lante dhëmbët, si e bënte shurrën në kovë… ehh çfarë djali!

Patronazhisti mëson se gjatë kësaj kohe, edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë çuditërisht merrte goditje të tmerrshme.

Kështu, koincidojnë me kohën kur Luizi ishte në televizor, rastet kur tre trafikantë kokaine i lanë pakot me pluhur të bardhë në mes të rrugës dhe u futën në një kafene të shihnin Luizin; një shofer mauneje ishte duke parë Luizin në celular gjatë kontrollit doganor, kur polici e pyeti çfarë po transportonte dhe ai totalisht i pavëmendshëm, u përgjigj pa e ngritur kokën: E mo, nja pesë tonë banane dhe 200 kile kokainë, po pak shpejt se do fillojë votimi live.

Po kështu, mësohet se është ‘faji’ i Luizit që dhjetëra zyrtarë të mesëm dhe të lartë të qeverisë shqiptare i harruan pakot me euro dhe dollarë në kroskote makinash, dollape rrobash, tuba aspiratorësh, dysheqe krevatesh, sirtare komodinash etj, dhe u ngulën para ekranit.

“Për këto dhe shumë arritje të tjera, mund të them se Luizi është flamurtari i vërtetë i ligjit dhe rendit publik,” tha ministri i Përbrendshëm Glendi Çuçja.

***

Por Luizi ka mahnitur shqiptarët jo thjesht për luftën e tij të pakompromis kundër krimeve dhe trafiqeve. Ai është model për të gjithë, të rritur e kalamaj. Nëpër rrjetet sociale gëlojnë thëniet dhe sentencat e tij që kullojnë urtësi dhe mençuri, si: “Ça kam për t’ba un ty maj, ke me e pa”, “Vuj nga nji smunie e rand, m’kan met dhe 50 vite jet, m’duhen 5 milion euro”, “un ty t’shkrij krejt maj çapaçule, ktu kena me ken”, “Un ty t’baj me fol me vedi maj’, etj etj.

Edhe nënat duan që fëmijët e tyre ta kenë si shembull Luizin. Fjala vjen, nëna e re Taulanta Palla deklaroi se do të donte që djali i saj 10 vjeçar Jurgeni, “kur të rritet të bëhet, mashtro, skuth, mistrec, përfitues, manipulator, dembel kovë-shurrues si Luizi”.

“Osh i moth për Zotin,” shtoi zonja Palla, “unë vet sa mora rrogën, kam ngrit tre drona me parrullën ‘Luiz, je idhulli i rinisë shqiptare’. I baj thirrje KQZ-së t’i numroje mir votat, se po nuk fitoi Luizi, kjo çështje shkon deri në Strasburg! Posht kriminelat”.    

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike big-bradhëristike 

Video