
DASHI – Muaji do të nisë qetë për ty. Megjithatë duhet të përgatitesh për surpriza të hidhura rreth datës 14 shkurt, pasi Olta ta ka bërë të qartë se po e kruajte prapë, ajo do tregojë emrat e të gjithë dashnorëve që ke patur tre vitet e fundit. Pra, boll na bëre të ndershmen dhe të urtën, se të njohim mirë ç’plaçkë je!
DEMI – Një ish-agjent i FBI-së me emrin Çarls Mekgonigal do të hyjë në jetën tënde këtë muaj, dhe do të ofrohet të ndërmjetësojë për ta nxjerrë Lul Bashën si spiun të rusëve, me emrin Nikita Bashenkov. Por ka trokitur në derën e gabuar, sepse ty s’të hyn fare në xhep Luli; ti historikisht keni qenë votues i Tak Ngjelës.
BINJAKËT – Një ngjarje dramatike do të ta prishë terezinë, por ti do ruash qetësinë dhe nuk do bësh asnjë veprim. Sepse pastrueses së shtëpisë tënde do t’i zbulohen të fshehura në tubin e aspiratorit nja 400 mijë euro në pako 500-she, por ti do mohosh kategorikisht se ato para kanë qenë të tuat.
GAFORRJA – Bella Balluku do të hyjë furishëm në jetën tënde, me njoftimin madhështor se tuneli i Llogarasë më në fund është hapur. Kjo do ta bëjë më të këndshëm udhëtimin tënd me furgon drejt Rivierës këtë verë, kur do t’i rikthehesh punës sezonale si kamarier.
LUANI – Një barrë e rëndë do bjerë mbi supet e tua të njoma këtë muaj. Ndikimi i Marsit mbi shenjën tënde do bëjë që të kesh dy idhuj të rinj: Luizin dhe Doktor Berishën. Psikika jote e brishtë mbase mund ta përballonte secilin veç e veç, por me të dy mashtruesit bashkë nuk ke asnjë shpresë.
VIRGJËRESHA – Aktivistët e mbrojtjes së kafshëve do të të akuzojnë se je treguar mizor dhe i pamëshirshëm, duke mos ja hapur telefonin Tigrit. Po pse more qelbësirë, sa kohë Arben Ahmetaj ishte në qeveri i rrije para mbrapa, kurse tani bën sikur s’e njeh?
PESHORJA – Do të përpiqesh të kopjosh Edi Ramën këtë muaj, duke bërë vizatime idiote në bllokun e shënimeve gjatë mbledhjeve të punës. Kjo me shpresën se punimet e tua do të shiten për mijëra euro në ekspozitat e Venecias, Parisit, Berlinit. Por e vetmja gjë që do përfitosh do jetë pushimi nga puna.
AKREPI – Më në fund je pjekur! Këtë muaj do marrësh vendimin e prerë që të heqësh dorë njëherë e mirë nga kalamallëqet. Kjo përfshin edhe kalamajtë, që do t’ja ngecësh prindërve dhe do dalësh të bredhësh npër botë, duke u shtirur si beqar.
SHIGJETARI – Je një qenie unike, e papërsëritshme. Edhe nëse ke pasur dyshime për këtë, duhet t’ua vësh veshin më shumë njerëzve që të njohin, të cilët njëzëri bien dakord se hajvan më të madh se ty nuk kanë parë ndonjëherë!
BRICJAPI – Mos dëgjo çfarë thonë bota se demek paske një natyrë thellësisht të paqëndrueshme, lëkundje të frikshme emocionale dhe psikoza që i bën të tjerët të largohen një orë e më parë prej teje. Në fund të fundit, të gjitha këto zëra janë në kokën tënde.
UJORI – Në shekuj, zjarri është vlerësuar si simbol i vitalitetit dhe fuqisë. Kije parasysh këtë këndvështrim optimist këtë muaj, kur të harrosh fasulet në zjarr dhe t’i vësh flakën kuzhinës.
PESHQIT – Populli ka një fjalë të urtë; gur-gur bëhet muri. Dhe në rastin tënd, tre gurët që hodhe në xhamin e dritares së komshiut do të të mbyllin me sukses për ndonjë muaj brenda mureve të komisariatit.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike horoskopike shkencore