
TIRANË / FIER / NJU JORK – Doktori u mërzit shumë, por ai që u mërzit më shumë ishte Lilo Çepani. Kishte bërë të pamundurën kur ishte president, që të fuste të fejuarën e Ali Beut në Gjykatën Kushtetuese. Bëri sherr me gjithë dynjanë, dhe më në fund ja doli. Dhe myzeqari Ali Beu, ja si ua shpërbleu: Futi në veprim spiunin e rënë nga fiku, veglën e imperializmit amerikan Çarls Mekgonigal, i cili me mënyrat e veta detyroi gjykatën që vulën e Partisë Demokratike t’ia jepte Ali Beut.
***
Interesant si është jeta. Ngado që të rrotullohet, guri i rëndë prapë shkon në vend të vet. Këtë i thoshte Lilua njëditzaj Doktorit.
“E mban mend Doktor, kur bëje si i djathtë i thekur, si konservator engles, duke mbajtur rreth vetes ish të burgosur e duke dekoruar diversantë? Të thosha, mos i tradhto vlerat komuniste, se reaksioni atë do, të na përçajë. Dhe ja, e mbajte gjarprin në gji. Ali Beun, nipin e kriminelit me damkë Dhosi Dhoska, na e bëre dhe ministër drejtësie pale. Tani po na bien dhe anglo-amerikanët, po ne nuku dorëzohemi…”.
Doktori tundi kokën mendueshëm: “Drejt, drejt. Kena gabue. Por Ali Beu nuk ka fitue! Tash je me mue! Kena me triumfue!!!”
***
Ditën që gjykata e Apelit vendosi se çështja e vulës së PD-së do rikthehet për gjykim nga e para dhe tani për tani kryetar i partisë njihet Ali Beu, Doktori e kuptoi skemën që ishte luajtur gjithë këto kohë: I Gjati dhe Ali Beu, si reaksionarë të thekur, në bashkëpunim me monarko-fashistin Jorgo Soros në Amerikë, i kishin paguar hafijes Mekgonigal kaucionin 500 mijë dollaro, që ai të gjykohej në liri dhe jo në burg. Duket qartë se kushti ishte që Çarlsi, nga Nju Jorku të kërcënonte gjykatësit në Tiranë se duhej të merrnin një vendim pro Ali Beut, përndryshe do t’i shpallte non-grata.
Pasi e përvetësoi mirë skemën në kokë, thirri karikaturistin e njohur Ilo Pinci. Ilua kishte pas qenë dikur edhe aktor, dhe për ironi të fatit, të gjitha rolet i kishte ose si bir tregtari që donte të arratisej nga komunistët, ose si tregtar që bashkëpunonte me gjermanët dhe Lefter Lefterin, ose si personazh skuth, i paaftë dhe mendjengushtë. Por këto ishin thjesht role, aspak Ilua pe tamami, se Ilua nuk e duron dot imperializmin dhe larot e tij të brendshëm dhe të jashtëm.
Doktori ja sqaroi Ilos gjithë situatën, dhe ky bëri fët e fët një karikaturë me shtampat e gatshme që i mban gjithmonë me vete: Gazep Bardhi, Ali Beu – nip i kriminelit me damkë Dhosi Dhoska – vetë I Gjati dhe Dajë Sami, dmth Amerika, duke ja marrë një valleje pogonishte në kurriz të popullit shqiptar.
“Doktor, një pyetje kam,” i tha Ilua me delikatesën që e karakterizon që kur studionte midhjen e Butrintit, “këtij Dajo Samiut, t’i vë surranë e Mekgonigalit?”
Doktori, i zënë pa mendje nga toskërishtja e çuditshme e Ilo Pincit, tirons me origjinë nga Dibra, iu përgjigj me një gjirokastriçe që as ai vetë nuk e kuptoi se nga i doli:
“T’ja bëç mo, posi. Ashtu të paça! Me të rinj si tia mo, do t’ja kërrejmë binanë socialimperializmitë, imperializmitë, monarko-fashizmitë…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-grata