ART-KULTURË / Rikthehet vegla e vjetër muzikore, Muli zbulon bilbilin!

13 Shkurt 2023, 23:38Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Muli duke u ushtruar ne veglën e vjetër pellazge

TIRANË - Në një ngjarje me rëndësi për trashëgiminë kulturore që ka tërhequr dhe vëmendjen e UNESKO-s, fokusi i mediave shqiptare dhe atyre rajonale ditën e djeshme ishte zbulimi i një vegle të harruar muzikore, që e ka origjinën deri tek pellazgët. Zbuluesi fatlum ishte Muli, i cili nga gëzimi për këtë gjetje, filloi t’i bjerë që në momentin që i ra në dorë.

Muli, një mjek i shquar i cili shumë vite më parë, u njoftua se e kishte marrë diplomën e mjekut teksa kishte turnin e rojes në godinën e Partisë Demokratike, me të marrë bilbilin, filloi të shfletojë literaturë shkencore për të zbërthyer mënyrën e përdorimit. Patronazhisti mëson nga burime konfidenciale se Muli e kuptoi që mjafton t’i frysh, dhe vegla muzikore lëshon tingull. Por herën e parë pati një incident të vogël.

“Qenka e thjeshtë, vetëm ajër dashka,” tha Muli në fillim, dhe vendosi t’i fryjë fort. Por me kalimin e sekondave, mjeku i shquar vuri re se rezerva e çmuar e oksigjenit në mushkëri po i mbaronte. Atëherë i dha karar të ndërpriste muzikën, të merrte frymë prapë dhe t’ja niste fryrjes nga e para.

Sapo ja mori dorën teknologjisë bilbilistike, Muli u nis drejt parlamentit. Shumë shpejt, dhe me të drejtë, të gjithë filluan ta quanin Mul Pellazgu.

***

Mul Pellazgu është simboli më i arrirë i meritokracisë në demokracinë e sistemit të vlerave dhe ngritjes individuale të bazë të kontributit dhe aftësive. Pavarësisht se niveli i vështirësisë së kuptimit të fjalisë së mësipërme do të ishte i pamëshirshëm për qelizat e brishta cerebrale të Mulit, ai ashtu turbull mbase e kupton që është njëfarë simboli.

I thellë, elokuent, serioz, poliedrik, jo thjesht i lexuar por erudit, Muli – që emrin e plotë e ka Flamur – dha një tjetër shembull inteligjence ditën e hënë, e cila ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit të frikshëm në Turqi e Siri.

Kështu, për t’u solidarizuar, Muli mësoi se ditën e hënë flamujt e institucioneve do të vendoseshin në gjysmë shtizë. Ngaqë e di se edhe vetë është një institucion për PD-në, Flamuri u kacavar në një shtizë tek selia e Partisë Demokratike, arriti deri tek gjysma dhe qëndroi atje për plot 30 sekonda. Por e kuptoi që po e linin fuqitë, dhe pasi u zverdh e u nxi, e la veten të rrëshqiste poshtë në shenjë solidariteti.

Por kjo bëmë ishte pesë me hiç në krahasim me bilbilin.

***

Për ata që nuk e dinë, përveç talenteve të tjera, Muli ka edhe talentin e deputetit. Rrjedhimisht, ai hyri serbes në tempullin e demokracisë duke i rënë bilbilit. Në fillim policët tek oborri i godinës u lemerisën dhe vrapuan ta rrethonin, pasi e kujtuan për kundravajtës. Por sapo shefi i policëve e njohu, u tha të tijve i lehtësuar: “Ahaa. Alarm falso, lëreni se qenka Muli. Mos ja vini re!”

Kështu Muli hyri në sallë, dhe për emocionin e papërshkrueshëm të ministres së Kulturës Hallva Margarina, nisi t’i binte mjeshtërisht bilbilit, vetëm me një notë. Sapo folësit e rradhës kujtonin se Muli mbaroi, ai mbushej me frymë dhe i binte prapë. I ra prapë e prapë, dhe për gjysmë ore i mrekulloi jo vetëm deputetët dhe ministrat e krimit, por gjithë shqiptarët, sepse seanca ishte në transmetim direkt.

Por dikur u lodh, dhe kolegët që kishte afër, e dëgjuan të mërmëriste, “ta dija që ishte kaq e lodhshme, më mirë do kisha marrë edhe një diplomë inxhinierie”….

Vini Re: Patronazhisti, si rubrikë satirike që është, ka mësuar se Muli është ftuar të marrë pjesë në festivalin folklorik të Gjirokastrës, me kushtin që bilbilit t’i fryjë nga Memaliaj…     

Video