SAPO BËRI VAKI / Ahmet Arbenaj pranon të dalë para gjyqit, por vetëm tek Zonja Eni

23 Shkurt 2023, 23:58Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ahmet Arbenaj duke i treguar Te Gjatit nje pale kepuce qe kishte qejf te blinte sapo te merrte rrogen

TIRANË / GJINOKASTËR – Në një dalje të bujshme televizive të enjten mbrëma tek emisioni i njohur “Opsion” i gazetarit Fendi Ballziu, ish ministri rindërtues incenerues Ahmet Arbenaj hodhi dritë njëherë e mirë dhe u dha përgjigje shteruese të gjitha pikëpyetjeve që qarkullojnë prej muajsh në media, në lidhje me ndershmërinë dhe fukarallëkun e tij proverbial.

Duke u shfaqur tërësisht i hapur me publikun, Arbenaj – që u paraqit në studion e zotit Ballziu me një xhaketë me arna, këpucë prodhim i vitit 1978 por të mbajtura me nikoqirllëk, dhe pantallona të marra borxh – deklaroi se në lidhje me inceneratorët nuk dinte asgjë. I pyetur pse udhëtimet e shpeshta me avion dhe hotelet e shtrenjta ku rrinte ishin paguar me kartën e afaristit çudibërës Klodian Zoto, ai pranoi haptaz se kjo nuk kishte mundësi, ose nuk mbante mend, ose nuk ishte fare e vërtetë, ose asnjë nga opsionet e mësipërme.

Kur u pyet nga gazetari Fendi Ballziu e kujt ishte vila në Lalëz, Arbenaj reagoi i prekur në nder: “Ç’ne unë në Lalëz, unë jam na Gjirokastra. S’ja kam idenë ku bie Lalëzi, mezi kam vajtur disa herë, vilën e ka partnerja ime. Ka gjë me emër aty Ahmet Arbenaj?”

I pyetur me takt nga Ballziu nëse kishte ngjyer ndonjë çikë gishtin me fondet e rindërtimit nga tërmeti, Arbenaj u përgjigj i neveritur: “Po s’të vjen pak zor o Fendi? Ça janë këto pyetje? Unë asnjëherë nuk ngjyej gishtat, se punoj me doreza. Kushti i parë që në punosh në qeveri, është të mos lesh gjurmë gishtash! Je dhe gazetar i vjetër pale”. Ballziu u ndje i turpëruar nga naiviteti i vet.

I pyetur nëse i ka dhënë Lilo Çepanit dosjet e inceneratorëve për t’i përdorur me shënjestër të përzgjedhur kundër qeverisë, socialisti i thekur hapi zemrën dhe pohoi se s’ja kishte idenë për çfarë bëhej fjalë.

Por pyetja më kritike ishte ajo nëse i Gjati i kishte bërë dalje nga politika dhe nuk e qaste më, madje as ja hidhte sytë. Këtu Arbenaj, pasi rregulloi pak pantallonat që të mos dukej çorapja e grisur, deklaroi:

“Unë s’kam nevojë të më hedhin sytë të tjerët. Unë jam në Qeverinë Socialiste që kur morëm përsipër të zbardhnim atë punën e firmave piramidale. Që atëherë e mora me shumë pasion këtë formë gjeometrike. Edhe kur punova drejtor tatimesh, bëja forma piramidash në zyrë me tufa dollarësh. Pastaj eurosh. Edhe kartat telefonike dhe telefonia rurale më pëlqente shumë. Thashë me vete, ne qytetarët flasim rehat, pse të mos telefonohen dhe këta fshatarët? Po I Gjati ka qenë mashtrues që atëherë. I kërkova të më ndihmonte me fushatën elektorale kur kandidoja përballë Lul Bashës në Tiranë, dhe humba. E kupton? Humba me Lulin, që të gjithë i thërrasin Lul Humbësi. E megjithatë, kur erdhën zgjedhjet prapë, dhe unë ja bërë prapë Të Gjatit një piramidë të vogël mbi tavolinë, që të më kandidonte në Korçë. Këtë stil - e quajta me shaka stili i Tigrit – më vonë ja mësova dhe Aldës, shefes së kabinetit, por asaj të shkretës sapo rendiste tufat e parave njëra mbi tjetrën, i rrëzohej stiva. Ishte pak e leshtë. Ehhh, po kush t’i njeh sakrificat në këtë vend more zotëri…”.

Në fund, Ahmet Arbenaj i deklaroi Fendi Ballziut se sido që të vinte puna, ai nuk i trembej drejtësisë.

“Unë jam i pastër, dhe jam gati të dal para çdo gjykatësi. Ja për shembull, meqë punoni tek i njëjti televizion, thuaji Zonjës Eni dhe Arditit të dal këtë të diel. Jemi të tre me origjinë nga dogana e Kakavijës dhe do merremi vesh…”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë anti-piramidale  

Video