EKSKLUZIVE / Lebron Zaçe nuk është dakord!

20 Shkurt 2023, 17:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputeti Lebron Zaçe në Parlament duke mos rënë dakord

TIRANË / DIVJAKË / BERAT – Edhe pse autori popull në këngën e vet legjendare këmbëngul se ishte Berati ai që e pati fatin, realiteti flet ndryshe. Një këngë e re folklorike bën me dije se: Ç’fat që pati kjo Divjaka / e kapi Lebronin nga jaka...

Është fjala për deputetin e shquar socialist, Lebron Zaçe, i cili siç dihet botërisht, ka bërë të pamundurën për të mbrojtur interesat e votuesve të vet, kudo ku ka kandiduar. Në kurrikulumin e gjatë të Lebronit spikasin raste të shumta protestash, mos-rëniesh dakord, refuzimesh, ngritjesh zëri, acarimesh e kundërvëniesh.

E vetmja periudhë kur Lebroni u shfaq relativisht i qetë, a thua kishte marrë sedativë, ishte çuditërisht koha kur shërbeu si zëvendës-kryeministër, pra kur të paktën teorikisht kishte diçka në dorë. Edhe atëherë, arkivat e Patronazhistit thonë se zv.kryeministri Lebron Zaçe kishte patur tek-tuk momente acarimi, kryesisht në adresë të bashkisë së Tiranës pse kishte dhënë leje për ndërtimin e një pallati pranë shtëpisë së Lebronit, duke i prishur qetësinë atij dhe komshinjve të tjerë.

***

Por kjo ishte një periudhë e shkurtër dhe kalimtare. Sepse mediat raportojnë se deputeti i Divjakës Lebron Zaçe sërish nuk është dakord. Madje, Lebroni u ngrit dje në mes të parlamentit dhe, duke shastisur gjithë socialistët e pranishëm dhe ata të munguar, deklaroi: Jo, nuk jam dakord!

Në vijim Lebroni thirri edhe një konferencë për shtyp, për të saktësuar se ai kurrsesi nuk mund të binte dakord. Dhe për të përforcuar refuzimin e tij, Lebroni hodhi edhe nja dy video të shkurtra në fejsbuk dhe tuiter, ku siguronte votuesit e tij se edhe në të ardhmen e afërt, nuk kishte ndërmend të binte dakord.

***

Siç është logjike, temat ekskluzive për të cilat deputeti Lebron Zaçe nuk bie dakord, kanë të bëjnë me bujqësinë, që është dhe sektori kryesor dhe më fitimprurës i Divjakasve, Lushnjakasve dhe më gjerë. Në lidhje me çfarëdo hapi që ndërmerr qeveria - ku Lebroni ka bërë pjesë deri vonë - në këtë sektor, deputeti luftarak më e pakta ka shprehur rezerva. Në mjaft raste ka qenë thellësisht skeptik. Dhe më e shumta, ka qenë totalisht kundra. Reagimet e deputetit bujqësor në këtë drejtim, të paktën këto dy vitet e fundit kanë variuar nga: Nuk bëhet kështu kjo punë – jeni duke ja futur kot – nuk formalizohet bujqësia duke kërkuar fatura – gjithçka po e bëni për shou; e deri në: Po e vidhni fermerin, po e detyroni të ikë jashtë vendit, po u shërbeni grosistëve të importit!

***

Deri këtu mirë e bukur. Që domethënë shumë keq. Deri në momentin kur, ndërsa Lebron Zaçe po bënte një pauzë pushimi pasi kishte refuzuar dhe kundërshtuar gjithë ditën, i erdhi një ftesë nga i Gjati: “Lebron, e shof që ke shumë rezerva ndaj gjithçkaje është bërë për bujqësinë deri tani. Mbase të kam rënë në qafë. Eja dhe bëhu ministër i Bujqësisë, zbato vizionin tënd Divjako-lushnjarak se ndoshta na del më mirë. Fillo që të shtunën bile.”

Dikush do të mendonte se Lebron Zaçe do zihej pa mendje. Mbase do binte në heshtje, do bluante vendimin që do merrte. Apo do kërkonte të fitonte kohë.

Por jo. Instinkti i mbrojtjes së votuesit me çdo kusht, ADN-ja luftarake e tribunit popullor që nuk bën asnjë kompromis, triumfoi mbi çdo dëshirë tjetër. Lebroni ngriti zërin në oktavën e tetë – që e kapin vetëm sopranot profesioniste dhe këngëtari i Deep Purple – dhe deklaroi:

Kurrën e kurrës. Refuzoj. Nuk bëhen kështu këto punë. Nuk jam dakord, nuk jam dakord!!!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike agro-ushqimore        

Video