INVESTIGIM / Zbulohen të tjera motra sekrete të rrjetit okult Ballukja

28 Shkurt 2023, 17:13Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një grup motrash Ballukja duke festuar në përvjetorin e betejës së Tendës së Qypit

TIRANË – Para pak javësh, lajmi se pothuajse-kryeministrja e qeverisë shqiptare Bella Ballukja kishte një motër okulte, të maskuar nën mbiemrin Hirko, e cila urtë e butë ishte vendosur në krye të qeverisë së gjyqësorit dhe merr vendime se cili gjykatës e prokuror e meriton të qëndrojë në punë e cili jo, bëri xhiron e shtypit.

Gjykatësja Ameba Hirko u bë shumë shpejt simboli i suksesit të reformës në drejtësi, një reformë që ka shkarkuar me të drejtë qindra vetë nga detyra. Por që ka harruar të emërojë të tjerë, duke bërë që ngarkesa e punës të bjerë mbi një numër gjithnjë e më të vogël gjykatësish e prokurorësh.

Por edhe kësaj plage, reformatorët ja gjetën ilaçin: Vendosën të pakësojnë dhe përqendrojnë gjykatat e Apelit. Synimi, siç pohoi zonja Hirko, është që në një të ardhme të afërt të ketë sa më pak, deri në aspak gjykata e zyra prokurorie, çka do të ulte në minimum shpenzimet në sistemin e drejtësisë. “Synimi i reformës është që në një të ardhme, kostot e sistemit të shkojnë drejt zeros, me përjashtim të rrogës sime,” deklaroi para pak kohësh gjykatësja Hirko.

***

Projektet ambicioze që synojnë të çojnë shpenzimet drejt zeros, nuk janë gjë e re për motrat Ballukja. Ato e kanë filluar jetën publike te kompania celulare greke AMC, njëfarë kafazi i artë ku punuan me përkushtim dhe ja dolën ta shesin për një copë bukë.

Vetë gjykatësja Hirko, ka shprehur revoltë dhe neveri ndaj sistemit të kalbur të drejtësisë, që kur vendosi të mbeste në klasë kur studionte për juridik, dhe në shenjë proteste e mbaroi shkollën për 5 vjet kur gjithë studentët e nënshtruar ndaj regjimit të vjetër e mbaruan për katër.

Por këto janë ato që dimë për motrat Ballukja, të cilat kanë shtënë në dorë ekzekutivin dhe gjyqësorin shqiptar. Dhe këtu fillon dhe investigimi i ri i Patronazhistit.

Sipas të dhënave tona, zbulohet se familja Ballukja ka edhe motra të tjera sekrete, dhe rrjeti i tyre okult ka shtënë në dorë shumë pushtete, duke konkurruar me familjen Rotschild. Kështu, përveç ekzekutivit dhe gjyqësorit, familja zotëron edhe pushtetin legjislativ. Patronazhisti mëson se mbiemri i fëmijërisë së kryetares aktuale të Kuvendit është Lindita Ballukja. Burime të sigurta pohojnë se ajo i lyer flokët në bjonde, për të humbur gjurmët.   

Motra të tjera Ballukja janë shpërndarë në sektorë kyçë, si ai bankar, pushtet lokal, agrikulturë, art e kulturë.

Por investigimi nuk mbaron këtu. Patronazhisti zotëron pas shumë përpjekjesh, çertifikatën origjinale të lindjes së presidentes së Komisionit Europian. Besojeni ose jo, emri i plotë i saj Ursula von der Balluken.

I pyetur për këtë çështje, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balluku u shpreh i rezervuar mbi vërtetësinë e lajmit.

“Nuk e besoj të jetë e vërtetë,” tha zoti Balluku, “unë kam qenë prezent kur Ursula dhe Bella janë takuar në Bruksel dhe i janë drejtuar njëra-tjetrës, ‘të keqen motra, sa më ka marrë malli’, por mendoj se kjo mënyrë të foluri ka qenë thjesht për solidaritet gjinor”.

P.S. Patronazhisti ka marrë disa indicie serioze se rrjeti Ballukja mund të ketë shtënë në dorë edhe opozitën, konkretisht Partinë Demokratike. Disa informata thonë se pas emrit të sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, fshihet një tjetër motër sekrete e Bellës, me emrin e vërtetë Gazepe Ballukja!

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-okultizëm 

Video