ART / Vizatuesi kontrovers shqiptar gati të hapë ekspozitën e paqes Rusi-Ukrainë  

22 Mars 2023, 19:23Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri shqiptar duke i mbushur mendjen Qirjakos qe t'i flase Nikos

TIRANË / SURREILLES – Luftës në Ukrainë po i vjen fundi. Kështu njoftojnë agjencitë e lajmeve duke cituar zëdhënësin e Kremlinit Sasha Kastravecov nga njëra anë, dhe ndihmësin e presidentit Ukrainas, këshilltarin Oleksandër Kastraveçuk nga ana tjetër.

Arsyeja është e thjeshtë. Të dyja palët kanë rënë dakord të takohen në ekspozitën që do të hapë pikturisti i njohur shqiptar Redi Ama, njëherësh kryeministër i vendit të sqifterëve. Siç dihet botërisht, në gjuhën e diplomacisë globale pranimi për pjesëmarrje në ekspozitat e vizatuesit kontrovers nënkupton automatikisht dorëzim pa kushte para sharmit të parezistueshëm të artistit politikan, dhe miratim të çfarëdo kërkese që mund të ketë ai.

Nuk është hera e parë që kryeministri Ama vë në punë prirjen e tij tejet të diskutueshme në vizatim, për të arritur qëllime politike. Ditët e fundit ai ja doli që përmes një grumbulli zhgarravinash që shpalosi në Athinë, të siguronte një paqe të qëndrueshme mes kryeministrit grek Qirjako dhe ministrit të tij të Jashtëm Niko. I kujtojmë lexuesit se Qirjakua dhe Nikua kishin disa javë që nuk flisnin. 

Me këtë rast Redi Ama deklaroi se edhe ndonjë paqartësi ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë do të quhej automatikisht e zgjidhur, me ndihmën e një çmimi të leverdisshëm prej 5 mijë eurosh për çdo vizatim të tijin.

***

Në fillim dikush e quajti kështu, dhe tani vetë Redi Ama e prezanton veten si “pikturisti më i mirë mes kryeministrave”. Kjo kategori shumë specifike dhe e ngushtë e ka bërë për vete, pas traumave që kaloi në rini në kategoritë e plota si pikturist i dështuar dhe si basketbollist i mbetur në tentativë.

Për të dyja dhimbjet e tij të mëdha, Redi Ama ngushëllohet bollshëm me kohën e tij si kryeministër dhe me zyrën e tij në krye të qeverisë. Kështu, kohën si drejtues qeverie dhe si kryesues mbledhjesh të kabinetit, ai e djeg duke zhgarravitur vija me ngjyra mbi vendimet e everisë, të cilave pastaj u vë një çmim. Ndërsa zyrën e punës e ka mbushur me kosha basketbolli të ngulur në mur, dhe me dizenjo fluturash të panikosura dhe zhabash me çizme meksikane, po ashtu të ngjitura në mur.

Dhe kujtdo miku të çmuar, presidenti apo kryeministri të huaj që i vjen për vizitë, ai i tregon sesi bën kosh nga një cep i zyrës në tjetrin, apo sesi e mbush fletoren zyrtare me bojra me ngjyra. Ata sigurisht, bëjnë sikur mahniten për t’i bërë qejfin, dhe e sigurojnë se çdo kryetar qeverie sillet po njësoj: E shndërron zyrën në studio të hobeve apo zanateve të mëparshme. 

Psh, një mjek kryeministër e kthen zyrën në studio vizitash apo sallë operacioni; një mësues e mbush qeverinë me kalamaj, të cilave pastaj u jep mësim në zyrën e vet. Apo një kungull e mbush zyrën me oriz, perime, erëza e djathë kaçkavall, dhe pastaj quhet Kungull i Mbushur.

***

Hapjen e ekspozitave si mjet paqeje, Redi Ama e ka aplikuar në çdo fazë të karrierës së tij, dhe në çdo funksion. Edhe kur ishte kryesues i rradhës i OSBE-së, ai hapi një ekspozitë personale në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë dhe ftoi Putinin dhe Zelenskin. Konflikti si me magji u ngri për gjashtë a shtatë vite rresht. Disa të poshtër thanë se ata e harruan luftën se ja plasën të qeshurës pasi panë paçavuret e Redit, po ç’rëndësi ka kjo. Ata po ashtu thanë se Redit në të vërtetë as i plaste fare për paqen, por donte të bënte ndonjë lek. Por vetë kryeministri i përgënjeshtroi këtë akuzë:

“Mua më dalin e më teprojnë 3 mijë dollarët që kam deklaruar si pasuri në fillim të viteve 2000, si dhe rroga zyrtare që kam. Ndonjë lek që nxjerr nga vizatimet nuk e dua për vete, po për kolegë që janë më keq se unë, dmth për kryeministrat në nevojë”.

Dhe kështu, Redi kohë pas kohe vendosi paqen dhe ujdinë në Venecia, Romë, Paris, Bruksel, Berlin etj. Diku 2, diku 3 e diku 7 mijë euro një fletë vizatimi, po çmimi është dytësor kur vjen puna për paqen.

Së shpejti Redi Ama do mbyllet në bodrumin e Surreilles për të përgatitur ekspozitën e paqes ukrainase. Por dashakeqët nuk rreshtin së hedhuri baltë mbi njeriun e punës. Kohët e fundit pati zëra se Redi Ama, as zhgarravinat me ngjyra të ndezura nuk i bën vetë: Atje në Surreilles, ka futur në punë nja dhjetë kalamaj nga Bangladeshi që kallangjosin fletë të bardha me kokë qeveritare si t’u vijë për mbarë, dhe në mbrëmje ja dorëzojnë kryeministrit.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-zhgarravinë

Video