
Po mendohesha si ta nis këtë letër: I dashur I Gjatë, apo I Gjatë I dashur. Është pak zor të vësh dy mbiemra bashkë, paçka se njëri luan funksionin e emrit. E di se je shumë skrupuloz për pastërtinë e shqipes, ashtu siç je i fiksuar pas fjalive të gjata që nganjëherë vazhdojnë me paragrafe të tëra. Është e kuptueshme megjithatë, duke qenë se gjatësinë e përdor si virtyt në çdo konferencë shtypi me të huajt që takon jashtë, apo me ata që hyjnë brenda. Fjala vjen, do ishte shumë më e kollajtë për mua nëse këtë letër do t’ja nisja shokut Lebron Zaçe: Fjali konçize, maksimumi katër fjalë secila, dhe me një paragraf do të kisha filluar e mbaruar ankesën time. Po s’kam ç’bëj, do shkruaj pak gjatë se s’kam kohë t’i bie shkurt, siç thoshte shoku Karl Marks.
Ta ngas llafin për Aktiv1stin. Po ç’qe kjo që na bëre o kumandar? Për kaq na deshe ne patronazhistëve, që çfarë s’kemi bërë për ty? Pse na nxorre jashtë loje o Njësh, apo për atë 1-in te fjala Aktiv1st. Në qoftë se kishe atë merak, edhe Patronazh1sti e njeh njëshin.
Unë që po të shkruaj për gjithë grupin tonë, të lutem ta shikosh edhe njëherë këtë punë. Nuk na lanë gjë pa thënë të liqtë, dhe gjithë partia na doli në mbrojtje hapur, publikisht dhe pa doreza, me Ju o Skënderbe në krye, e gjithë shokët e shoqet e tjera, Mamica, Vrana Konti, bile edhe Hamzai Ahmet Arbenaj na doli për zot. Patronazhistët do t’i mbrojmë se s’kanë bërë asgjë të keqe, thatë, thjesht kanë mbajtur shënim mbështetësit tanë, dhe do ta bëjnë prapë. Kështu bën çdo parti perëndimore progresiste e majtë e qendrës, nga Kina në Venezuelë, nga Vietnami në Kore të Veriut.
Të dëgjonim dhe s’të gëzoheshim dot. Na dhe krahë e na dhe zëmër. Se atëherë kur dolën listat tona me emër mbiemër dhe me ata që kishim marrë në patronazh, nuk dilnim dot rrugëve. Na shikonin shtrembër komshinjtë, dyqanxhinjtë e lagjes, bile dhe farefisi. Dikush na kërcënoi, të tjerë na mbështynin; më e pakta, nuk na flisnin me gojë. Por sapo na mbrojte Ti, njerëzia u çel e u qesh, filluan të na përshëndesin, të na ftojnë për kafe, bile në plot raste kamarierët na thoshin, “këtë uiskin e ke nga ai shoku aty”. Për më tepër, prindërit që kishim në listat tona filluan të na njoftojnë vetë: Im bir bën 18 vjeç këtë muaj, ma shto në listën e partisë, të kam rixha…
Prandaj kur dëgjuam se kishte shpikur Aktiv1stin, na ra si bombë. I dashur I Gjatë, më dëgjo pak:
Vetë kuptimi dhe pesha që mbart fjala Aktiv1st - sado njësha të ketë brenda – është shumë më i rëndomtë dhe démodé. Nuk të ngjall asnjë frymëzim, nuk përcjell asnjë mesazh autoriteti. Patronazhisti ka lezet, të mbushet goja kur e shqipton, sepse merr në Patronazh grupe të tjera njerëzish, nënkupton respekt, post, mision, hierarki, instancë. Ka brenda edhe një çikë Padron, po deshe. Na duket dhe neve vetja të gjatë, sepse të patronazhuarit përmes nesh shohin Tyja, o Skënderbe.
Po Aktiv1sti? Nuk të thotë asgjë. Aktivistë jemi të gjithë, fundja, sepse atë punë bëjmë gjithë ditën në zyrë, aktivizohemi me like, me share, me emoji, me komente pafund që i shkruan i njëjti rob, por ndërron emrat: Ermali, Lira, Tani, Uitni, Françeska, Drini, Jurgeni… e për të treguar larmi gjeografike e moshore, ndonjëherë i fusim ndonjë Zef, Mazllëm, Kiço, Miço, Qeramudin, Kovi, Kozi etj etj. Por deri këtu ama. Nuk është interneti dhe aplikacioni gjithçka në jetë, se këta derra të japin like, por votën nuk e ke të sigurtë. Aktiv1sti është masë, turmë, anonimitet, një me Hodo leckamanë. Patronazhisti është pikë orientimi, është pushtet, është marrëdhënie direkte me popullin, kërkesë llogarie.
I Gjatë i dashur, unë e di që ti ke mbi shpatulla hallet e gjithë Ballkanit, Europës dhe botës, e mbase është mendjemadhësi nga ana ime të të drejtohem drejtpërdrejt Ty; por vrije pak mendjen:
Në fund të fundit, edhe ti vetë je një Krye-Patronazhist, je ati ynë, je kryeshefi i shefave patronazhistë. Po këtej e tutje çfarë i bie të quhesh, Krye-Aktiv1st? Baahhh, nuk ngjit hiç. Le që, me atë 1-in brenda, ngjan më tepër me fjalëkalim emaili sesa me titull serioz.
Mendohu dhe njëherë kumandar. Mos më keqkupto, aktivistin e rëndomtë mbaje, tek e fundit, e vëmë të ruajë pulat e kooperativës, por ne mos na hiq. Nuk kemi sy e faqe të dalim në lagje. Ja, jo më larg se dje njëri nga të patronazhuarit e mi më pa nga larg, u ngërdhesh dhe më tregoi celularin me dorë, si me thënë: “S’ta kam më nevojën, kam shkarkuar app-in e Aktiv1stit”.
Këto janë turpe o kumandar. Se po vijnë zgjedhjet. Na rikthe në krye të sofrës, se përndryshe në vend të votave do numërosh celularët pastaj. Unë kaq di të them!
Vini Re: Patronazhisti, si rubrikë satirike që qan hallet e popullit, një herë të vetme u fut në konflikt interesi duke qarë hallin e vet. Na falni