
MOJ SARANDË, MOJ DELVINË – Ka për të mbetur gjithnjë mister sesi mundi të bënte një karrierë kaq të gjatë politike Ahmet Arbenaj. Siç pohoi edhe vetë Arbenaj në emisionin e njohur të gazetarit akoma më të njohur Fendi Ballziu, atij po i bien kot në qafë, sepse firma e tij nuk figuron asgjëkundi. Ndoshta kjo është arsyeja pse I Gjati vuajti ca për ta hequr qafe. Në fund, Arbenajn nuk e morën në qafë firmat e tij, por firmat që të tjerët kishin hedhur për të, për shpenzime udhëtimi, strehimi, ushqimi dhe veshmbathjesh.
Por mesa duket, për ata që kanë hedhur firma, e ardhmja paraqitet e ndritur dhe e begatë. Siç mëson Patronazhisti, është pikërisht firma, sekreti pas të cilit fshihet karriera meteorike e kreut aktual të shtetit, zotit Gëzuar Bajram. Rezulton se pas operacionit të privatizimit të bazës ushtarake detare të Limionit në Sarandë, si protagonist figuron edhe presidenti i sotëm, deri dje shef i Shtabit të Ushtrisë shqiptare. Me logjikën primitive të Patronazhistit, që s’merr erë nga jeta; që një komandant ushtrie të shesë bazat e ushtrisë, është njësoj si një kuzhinier të shesë kusitë, furrat dhe sobat, dhe ta bëjnë krye-shef; ose një hidraulik të shesë të gjitha veglat e punës, dhe pastaj ta bëjnë drejtor ujësjellës-kanalizimesh.
Në shitjen e bazës paska patur gisht dhe ish ministrja e Mbrojtjes Volta Llaçka. Shumëkush do pyeste si i vajti fati kësaj zyrtareje pas këtij allishverishi. Se I Gjati nuk të fal për këto gjëra. Në fakt, e dënoi rëndë. Zyrtarisht e bëri Llaçkën kryediplomate të Shqipërisë, pra Ministre të Jashtme, që të ulet e të bisedojë me kokat e diplomacisë botërore. Ndërsa për bakshish, privatisht e bëri edhe investitore strategjike, pasi Volta me njëqind mundime kishte arritur të sillte në vendin e skifterëve një firmë gjigande turistike amerikane, të themeluar nga kunati i Llaçkës.
Një kontribut të veçantë për Limionin e shkretë pati edhe deputeti socialist me mbiemër prej gjenerali bjellogardist, Kollçak. Jo si deputet, por si gjeneral i ushtrisë dhe si Shef Shtabi, njësoj si Gëzuar Bajrami. Po njësoj, I Gjati që s’i duron padrejtësitë, e bëri deputet që t’i vërë gishtin kokës dhe të nxjerrë mësime.
***
Ja pra, konkluzioni i Patronazhistit është ky: Po ke firmosur, do bësh hajër. Vërtet do jesh gjithmonë në kokë në torbë, me gjak të ngrirë e me frikë në zemër se mos i Gjati apo të tjerë gjatoshë para dhe pas tij, një ditë të bukur të ftojnë në SPAK për një kafe e një dorë muhabet, por ama karriera do të ecë.
Kështu kishte firmosur dhe ajka e republikanizmit shqiptar, ish ministri i Mbrojtjes Mehdi Fatmiri, për Gërdecin, dhe që nga ajo kohë, Doktori e sajdis si pakkënd tjetër. Në thelb, të gjithë ata që rrotullohen ende si satelitë në orbitën e Dokut, diku kanë firmosur. Qoftë pas vitit 1990, qoftë para, qoftë fiks në vitin 1990. Si fjala vjen, studenti shembullor I.M., të cilit menjëherë pas firmës tek shokët e Sigurimit, iu këndua kënga: “I le dhitë dhe dole malit, lule-Lilo partizani”. Sigurisht, Lilua nuk doli malit, por zbriti në fusha dhe i bëri pjellore, njësoj si malet. Ndërsa këto të fundit i rrafshoi duke u marrë gurët.
Për t’u ndalur paksa tek ata që s’kanë firmosur, ose që u penduan pse firmosën, të gjithë ata… nuk dihet se ku janë. Ose siç thuhet në terma shkencorë për këto raste, “nuk janë më në tavë”. Ndonjë e mori dhe e strehoi Amerika për sadaka, të tjerë u pensionuan sepse nuk ecën me hapin e kohës.
***
Së fundmi, azhanset thonë se deputetin bjellogardist socialist e kanë thirrur në SPAK. Po ashtu ftuan për një kafe edhe ish-turtulleshën e Mbrojtjes, aktualisht ministreshë strategjike e Punëve të Jashtme. Pikëpyetja e dytë më e madhe në vend - pas asaj se kush do ta fitojë Big Bradhërin – është: Po Gëzuar Bajramin do ta ftojnë?
Vini Re: Besojeni ose jo, Patronazhisti është rubrikë satirike