SKANDALI / Mediat ruse akuzojnë deputeten Kryemadhova se ka marrë para nga oligarkja shqiptare Testagrande!

16 Mars 2023, 13:22Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Majtas deputetja ruse Kryemadhova djathtas oligarkja shqiptare Testagrande

MOSKË / PETROGRAD – Një deputete ruse ka përfituar para përmes transfertash të dyshimta bankare, burimi primar i të cilave rezulton të jetë një nga kompanitë e oligarkes së njohur shqiptare Mari-Antuaneta Testagrande. Skandali që ka përfshirë politikën ruse dhe ka shkaktuar protestën e shoqërisë para-civile dhe asaj para-ushtarake të vendit, është publikuar nga gazeta e njohur Skraparski Pravda, duke prodhuar një stuhi reagimesh nga analistë, organizata niet-qeveritare dhe borde të transparencës, që janë të shumta në Rusi.

Deputetja në fjalë është Monika Kryemadhova, parlamentare e Partiya Svobody (në shqip, Partia e Lirisë), e cila deri tani nuk ka reaguar.

***

Për publikun rus janë të njohura përpjekjet e parreshtura të Shqipërisë për të ndërhyrë dhe diktuar zhvillimet e brendshme politike, ekonomike e mediatike të Federatës Ruse. Kremlini i ka bërë disa herë thirrje Tiranës të heqë dorë nga ndikimi dashakeq dhe okult, dhe të pranojë marrëdhënie korrekte dypalëshe në dobi të dy vendeve dhe popujve. Por ndikimi i super-pasanikëve shqiptarë është kaq i madh, saqë praktikisht ata diktojnë politikat e vendit strategjik ballkanik.

Dhe në krye të kësaj oligarkie okulte është Mari-Antuaneta Testagrande, e cila deri vonë ka qenë eksportuesja më e madhe e Socializmit Integrues në botë, ndërsa kohët e fundit ka hyrë fuqishëm në sektorin e import-eksportit të Lirisë.

Siç dihet zyrtarisht, pasurimi i Testagrandes në kaosin e tranzicionit post-diktatorial të Shqipërisë, nisi me blerjen e një sipërfaqeje toke në periferi të Tiranës, ku ndërtoi një trekatësh modest, sa për të futur Testën. Pas disa vitesh e shiti shtëpinë, bleu një tjetër, e shiti, bleu një tjetër, e pastaj i shiti të gjitha dhe bleu një tunel të vjetër në Kërrabë, me sugjerimin e të shoqit, Lilo Çepani, me profesion ulës peshash. Gjithmonë zyrtarisht, rezultoi që ky tunel i braktisur të përmbante një damar shumë të pasur minerali ari; aq i pasur, saqë floriri nxirrej prej andej në formë napolonash dhe frangash ari.

Megjithatë, kjo është thjesht biografia zyrtare. Privatisht, zonja Testagrande njihet për përsosjen e mëtejshme të thënies së famshme të pasanikut italian Silvio Berluskoni: “Mos më pyesni për milionin e parë; të gjitha të tjerat i kam me letra”. Këtë thënie ajo e modifikoi në: “Mos më pyesni për milionin e parë, as për të dytin, as për të tretin… as për 100 milionët e parë. Shkurt, mos më pyesni”.

*** 

Në Rusi, sidomos në qytetet kryesore si Moska dhe Petrogradi, skandali i Kryemadhovës ka nisur të ngrejë pikëpyetje se në këmbim të çfarë shërbimesh të errëta në dobi të Tiranës, janë marrë këto para. Sipas disa faksimileve të botuara në shtyp, paratë janë transferuar përmes një kompanie guackë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve të Ksamilit. Aktivisti i shquar Arlind Qorrovalni ka kërkuar publikisht që Kryemadhova dhe bashkëshorti i saj, biznesmeni i pllakave të gurit Ilir Derimaska - cili akuzohet se po i shndërron Malet Urale në djathë zviceran nga gropat e shumta që ka hapur - të japin shpjegime.

Por deri tani, i vetmi reagim i Kryemadhovës ishte nxjerrja e këpucës dhe vërvitja në drejtim të Qorrovalnit…

 

Vini Re / Patronazhisti është rubrikë satirike pro-napolon

Video