KOMENT / Italiani Longinnoti shkruan nga Dubai: Ja pse erdha të dhuroj brekë në Tiranë

14 Prill 2023, 17:06Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Super-investitori italian duke biseduar në Dubai me super-gazetarin e Syçkës

Unë quhem Longinotti, Gabriele Tarroni Longinotti. Mbiemri im në gjuhën tuaj të bukur do të thotë pak a shumë, ‘netë të gjata’. Që domethënë mezi shtyhen. Prandaj kam ardhur në Shqipëri dhe prandaj bredh edhe nëpër botë, sepse Italia ime është e mërzitshme. Mbiemri i mesëm mund t’ju kujtojë ato ëmbëlsirat, toronat, apo torroncino-t siç u themi ne. Se jam tip i ëmbël, ç’është e vërteta. U ngjis shumë të tjerëve, sidomos atyre me para. Sa për emrin, Gabriele mund t’ju kujtojë Gavrilin, për shembull atë poetin tuaj të famshëm arbëresh Gavril Dara. Në daçi të riun, por edhe në vjetrin.  

A jam unë arbëresh? Po deshët ju, edhe bëhem. Mjafton të më paguani për mundimin. Por këtë e bisediammo më vonë.

Tani, këtë sqarim po e bëj për opinionin publik, por edhe atë privat, që ka dëgjuar se mua në arrestuan në Rinas si italian mashtrues, më mbajtën ca muaj brenda dhe pastaj më liruan se akuza për mashtrim me 1 milion euro ndaj ortakut tim gjithashtu italian nuk kishte lidhje me Shqipërinë. Pra, në vendin e bukur të shqiponjave nuk kam kryer asnjë krim, thotë gjykata. Por unë shtoj se asgjëkund nuk kam kryer krim. Madje kam themeluar edhe një biznes me zoti parolacce. Në fillim më erdhi për të qeshur se në italisht parolacce domethënë fjalë të pista. Po pastaj e kuptova se miku quhej Paro Laçi.

Që ta dini, zotërinj, paratë vijnë tek unë, nuk shkoj unë te paratë.     

Sigurisht, ka një marifet të vogël. Unë kudo ku prezantohem i shtoj emrit tim një Dott. përpara, pra Doktor, dhe fap, dyert hapen si me magji. Por vetëm kaq. Edhe gjykatësit shqiptar thjesht i thashë se unë quhem Doktor Natëgjati dhe ai më liroi.

Edhe kur kam ardhur në Shqipëri, erdha për të ndihmuar, solla brekë për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Ata nuk i deshën, punë e madhe. Kështu siç ishin, pakot me brekë ja çova medias prestigjioze Syçka pikë net, dhe ata më falenderuan. Por kishin një kusht. Do t’i merrnin brekët, vetëm po të thosha të vërtetën për Lalin, atë që keni kryetar bashkie në Tiranë. Dhe unë pranova, sepse e vërteta të bën të lirë. Fjala vjen, unë tani jam i lirë – paçka se Shqipëria më ka dhënë ekspuls, dmth dëbim nga vendi. Jam i lirë këtu në Dubai, ku erdhi një gazetar prestigjioz i Syçkës dhe më mori intervistë. Nuk e di a e njihni, është një gazetar i pavarur, i paanshëm, parimor, i pamëshirshëm në investigime, që ka pranuar të punojë te Syçka vetëm pasi u bind se kjo media ishte ngritur me para të pastra të fituara nga shitja e boronicave. Quhet Blendian Kokrra.

Atij i thashë që Lali është i poshtër, që u tregua indiferent ndaj brekëve të ofruara, që Tirana meriton shumë më tepër etj etj. Dhe të gjitha këto ja thashë i pashtrënguar dhe i papaguar, por krejt i lirë këtu në Dubai.

Se ju e dini, këtu në Dubai jetojnë të lirë edhe mjaft shqiptarë të mirë, që ashtu si mua, nuk i kanë qejf atje në Shqipëri. Nuk e di pse. Por dëmi është i Shqipërisë, se ata në terezi e kanë, punojnë me djersën e ballit dhe shijojnë frytet e punës. Këtë i thashë edhe zotit Kokrra, madje i propozova që po të donte, mund t’i takonte ata shqiptarët, se ja prezantoja unë. Nuk e di pse u shkuan djersë të ftohta kur ja thashë këtë, se temperatura ishte 35 gradë. Po nuk deshi. A mbase i takoi, nuk e di.

Nejse. Pas intervistës, unë i kërkova t’i çonte të fala edhe një kolegut tim në Tiranë, dottore edhe ai. Quhet Dottor Berisha, por nuk ka asnjë lidhje me syçkën. Është personazh legjendar. Fola njëherë me të dhe i thashë se quhem dottor Natëgjati, dhe se po deshi ai, bëhem dhe arbëresh. Qeshi dhe më tha se kishte një histori të gjatë me miqtë e huaj me emra të çuditshëm. Për shembull, dikur kishte sjellë në Tiranë një kongresmen amerikan që ishte i gatshëm të dërrmonte komunistët e kamufluar shqiptarë gjatë një fushate elektorale. Sigurisht, kundrejt pagesës, se denoncimi i komunistëve kushton. Kongresmeni amerikan quhej Xhejms Trafikanti, dhe gjithandej nëpër takimet e fushatës, Berisha e prezantonte: Tani do t’ju thotë dy fjalë edhe zoti Trafikant! Nuk e di pse i humbi ato zgjedhje dottore, por Trafikanti e bëri punën e vet. Mora vesh se sapo u kthye në Amerikë, e përjashtuan nga Kongresi dhe e dënuan për trafiqe, por besoj se ka qenë gabim. Janë nisur nga emri. Është njësoj si të më dënosh mua Netëgjatin, për errësirën.

Përfundimisht, Lali është i poshtër. Ja thashë dhe zotit Kokrra; shkruaje aty i thashë, se llafet i merr era. Pas intervistës i ofrova një masazh nga disa vajza shqiptare; se këtu në Dubai ka disa të tilla. Janë vajza të mira, nikoqire, kokëulura tërë kohës, kaq të zëna janë me punë. Nuk e di a u masazhua zoti Kokrra, se mbase mediat e pastra, të pavarura dhe me gazetarë kurajozë e me integritet nuk i pranojnë këto gjëra. Por ama ta dini: Lali është i poshtër. Po jua thotë i juaji, Gavril Torona Natëgjati.      

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa titullin dott. përpara

Video