
TIRANË – Duke qenë se e kishte pushim, ditën e djeshme ministrja shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, kryediplomatja e vendit dhe njeriu që zyrtarisht zotëron në majë të gishtave të gjitha zhvillimet rajonale, europiane e botërore, personi që sjell vërdallë diplomatët e gjysmës së botës dhe i njeh me sy mbyllur korridoret OKB-së, Kongresit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë, pa harruar dhe kthesat e kancelarive të Europës; me fjalë të tjera Volta Llaçka, vendosi të pijë një kafe me një shoqe që punon andej nga SPAK-u.
Në fakt, kështu u tha ekspertja e padiskutueshme e diplomacisë edhe gazetarëve të stacionuar pranë SPAK-ut, që rrinë aty gjithë ditën dhe shohin kush hyn e del; e sidomos ata që hyjnë e nuk dalin.
Kështu, Llaçka me zhdërvjelltësinë që e karakterizon iu afrua vetë e para punonjësve të shtypit dhe i parapriu çdo keqkuptimi të mundshëm.
“Hë mo, si kaloni, mirë?”, tha ajo e buzëqeshur. “Mos kujtoni se më ka thirrur ndonjë prokuror? Jo jo, do pi kafe me një shoqe që punon këtu. Nuk e largoj nga orari i punës, mos u bëni merak. Kafenë do ta pimë në orën e pushimit”, dhe bëri të largohej.
Kur një reporter i tha se kjo është hera e dytë që vjen brenda pak kohe në SPAK, Volta Llaçka iu kthye:
“Uaa, po e kam shoqe more. Po nuk besove, shko interesohu. Quhet….Olta… Jo, Molta. Punon në administratë. Po, Molta Baçka quhet, gjithmonë e ngacmoj se e ka emrin si kruasant. Kemi qenë shoqe që kur isha studente në Amerikë, atëherë kur erdhi Edi për vizitë në shtëpi dhe im atë i tha: Edi, dua që kët gocën time ta marrësh partizone”…
E bindur se emri që dha tingëlloi shumë i natyrshëm dhe askush nuk e kuptoi që e kishte sajuar në çast, ministrja Llaçka hyri në ndërtesën e SPAK-ut, prej nga doli pas dy orësh.
***
Pasi doli, maja e diplomacisë shqiptare u afrua pranë te tufa e gazetarëve, që të mos dukej se kishte ndonjë gjë për të fshehur.
“E di, e di. Ju do pyesni pse ndenja dy orë me shoqen time, kur ajo e kishte lejen vetëm për një orë. Po ja, bëmë pak muhabet. Se unë jam dhe investitore strategjike dhe llafosim gjëra të komplikuara. Çfarë gjërash, do thoni ju. Punë grash, aman. Psh, kur je ministre e Mbrojtjes, është më mirë t’i japësh privatit portin e Sarandës, apo atë të Shëngjinit. Apo, a ja vlen më mirë të shkosh në Peshkopi me papaq, me makinë apo me helikopterin e punës? Kshu gjërash”.
Duke e ruajtur buzëqeshjen dhe gjakftohtësinë, Volta Llaçka foli edhe për kafenë që piu me shoqen e saj imagjinare, Molta Baçka.
“E dini, kur e kam pushim, kthehem dhe unë në femër të zakonshme, nuk bisedoj për hallet e Shqipërisë dhe Ballkanit se s’dua të shes mend. Pamë filxhanet, kot për gallatë. Unë i thashë me shaka, uaaa paske një haber nga qeveria sot, rrezik të vjen ndonjë ministre për vizitë. U shkrimë së qeshuri. Pastaj ajo më pa filxhanin dhe tha: Uaa, paske një haber nga prokuroria e posaçme anti-korrupsion sot. Rrezik të shkosh në kokërr të burgut po nuk telefonoi i Gjati për ta zvarritur çështjen edhe ca! Ja, kështu më tha. U shkrimë së qeshuri po ju them…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike taktiko-strategjike