TIRANË – Në fillim vendosën se duhej shkurtuar emri, për të qenë sa më goditës dhe i kapshëm për veshin e masës. Tek e fundit, emërgjatët që e shkurtuan emrin kanë patur goxha sukses. Për shembull Ed Rama filloi të ngjisë shkallët e karrierës jo se i kishte shalët e gjata dhe i kapërcente ato dy e nga dy, por se hoqi dorë nga emri démodé Edvin. Për të mos përmendur pastaj Leo Mesin, Tos Nanon, Pand Majkon, Lul Bashën… Bile edhe Erioni bëri si bëri, dhe zbuloi Lali Erin.
Ja tha edhe Doktori. Mos shiko mua, i tha, se unë Saliun s’kam si e shkurtoj, por Belind nuk shkon, duket si emër kruasani.
Varianti i parë ra poshtë shpejt: Menduan fillimisht ta shkurtonin në Lind Kërriçi, por stononte fund e krye. As atij vetë nuk i pëlqeu. “Duket sikur jam kalama, foshnje fare, i sapolindur. Nuk do më marrin seriozisht, pavarësisht se unë jam veteran në politikë”.
Atëherë vendosën për Belon. Belo në italisht domethënë bukuran, simpatik, i hijshëm, i lezetshëm, i ka të gjitha brenda. Të josh ta votosh me sy mbyllur.
Edhe vjehrri socialist e miratoi: “Me këtë emër do marrësh të gjitha votat e emigranëve tanë në Itali,” i tha dhëndrrit. Dhe ashtu bënë. Sajuan një logo me një mishmash gishtash që bëjnë gjithfarë shenjash të sikletshme dhe më pak të sikletshme, dhe shkruan emrin: Belo Kërriçi. Punët sikur ishin vënë në vijë.
***
Tani kandidatit të një pjese të PD-së për një pjesë të Tiranës i duhej një program elektoral. Duhej premtuar diçka e fortë, por fillimisht do ishte mirë të hartohej dhe njëfarë preventivi, sa do kushtonte premtimi, nga do dilnin paratë…
Këtë hap e ndërpreu prapë Doktori.
“Premto çfarë të duash”, i tha, “dhe premtoje falas. Populli e pëlqen plaçkën veresie. Ti s’kishe lindur hala, por në 96-ën unë dola me parrullën “Me ne fitojnë të gjithë”, dhe vërtet, vetëm një vit më vonë fituan të gjithë, papërjashtim. Pastaj edhe Edvin Kristaq Rama tani vonë premtoi shëndetësinë falas. E kuptoi lojën shejtani”.
Shtabi i fushatës i dha të drejtë Doktorit. Duhej diçka e prekshme, e përditshme, e pashmangshme… Dhe Bukurani vendosi: “Do bëjmë transportin urban falas. Le të udhëtojë populli për qejf, të lëvizin lart e poshtë. Qoftë ata që shkojnë në punë, qoftë ata që dalin të kërkojnë punë. Le që kur të vij unë në pushtet, të papunë nuk do ketë fare!”
***
Fushata nisi me furi. Thashethemet për autobuzët urbanë falas pushtuan kryeqytetin. Mirëpo nisën kleçkat. Se Bukuranit i duheshin edhe votat e fshatarëve të Tironës, pasi bashkia nuk ishte vetëm qyteti. Banorët e fshatrave të afërt dhe të largët kërkuan edhe ata transport falas, ndryshe nuk do t’ja jepnin votën. Bukurani kërkoi të konsultohej prapë me Doktorin.
“Jepua,” tha prerë Doktori, “të gjithë falas, fshati të rrethojë qytetin. Le të lulëzojnë njëqind lulet, të konkurrojnë njëqind shkollat. Nuk ka rëndësi ngjyra e maces, rëndësi ka të kapi minjtë…”, dhe e kapi nostalgjia për parrullat e Revolucionit të madh Kultural kinez, që shpërtheu edhe në Tiranë pikërisht atë vit të bukur 1968 kur ai u pranua në Partinë e Punës.
Një të thënë e një të bërë, Bukurani nisi të premtonte gjithçka për këdo. Madje autobuzin e bëri element qëndror të fushatës, e ngjeu me logon e re, shkroi dhe emrin e vet “Belo” dhe vinte vërdallë nëpër qytet. Enthusiazmë i math.
Por autobuzi, aq i mirë dhe komod sa është, ka një problem: Harxhon naftë si dreqi, pastaj shoferi do edhe rrogë… Bukurani iu ankua sërish Doktorit: “Shef, ky autobuzi falas na ngriu nga paratë, nuk më dalin deri në fund të fushatës. Si do ja bëjmë?”
Doktori u step, pastaj i tha i nervozuar: “Do t’i lutemi Lilo Çepanit për një kredi të butë. Por po të mbaruan dhe ato, dil kërko vetë pastaj. Ose tek e fundit, ditët e fundit të fushatës bëj si të bësh dhe përdor urbanët e bashkisë, 40 lekë bileta është, mos u bëj cingun! Nuk ka falas në kapitalizëm!”
Bukuranit nuk i pëlqeu ky devijim. Nisi të flasë duke iu marrë fryma: “Po ka, si nuk ka! Ne kemi premtuar urbanët falas. Kemi premtuar dhe shumë gjëra të tjera veresie për qytetarët. Se shteti social… se fryma konservatore… Rilindja e mafies… Kupola e krimit… Pastaj unë po fitova bashkinë, ti do më bësh edhe trashëgimtar të PD-së, apo jo?...”
Doktori e kuptoi që Bukurani e kishte humbur toruan dhe po delironte. Ja plasi të qeshurës dhe I tha:
“Më fal që po ta them, po je pak ezmer nga natyra ti Belo…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-zgjedhore anti-raciste