E FUNDIT / Amerika ka shpallur non-grata Blinkenin dhe Juri Kimin!

4 Maj 2023, 18:06Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Autori i shkrimit duke folur për Amerikën

Nga Salib Erisha

Të dashur shqiptarë. Edhe ju ballkanas, europas dhe amerikanas. Vendosa t’ju shkruaj këtë letër të hapur, dhe t’ju hap këtë letër të shkruar, për t’ju dhënë disa lajme që jua kanë fshehur. Ju njoftoj se Amerika ka shpallur si persona të padëshiruar Andon Blinkenin dhe Juri Kimin. I keni parasysh besoj. E dyta ka qenë ambasadore e SHBA-së këtu në Tiranë. I pari sekretar shteti në administratën e presidentit Bajden.

Ngjarja ka ndodhur kështu: Zoti Bajden e kuptoi që shpallja ime non grata ishte një gabim i tmerrshëm. U tremb akoma më shumë kur dëgjoi se unë e kisha hedhur Amerikën në gjyq, mu në mes të Parisit, dhe me çështjen time vendosi të angazhohej falas avokati më i shquar francez Zhan Pier de Viçidol.

Burimet e mia thonë se Presidenti ishte lemerisur kur i erdhi lajmi. “Si do t’i dal unë para Salibit tani, si do t’i them mirëmëngjes e mirëmbrëma moj xhan? Po francezëve çfarë t’u them, kur të më pyesin si ja punove kështu studentit më të mirë specializant që kishim në vitet 70-të, që gdhihej e ngrysej sa me operativët e Sigurimit, sa me rezidentët e UDB-së në Paris?” Po po, kështu i thosh të shoqes, dhe shfrynte, “Ah Andon Andon, ç’më bëre”. 

Që nga ajo ditë, i tha sekretarit të vet të shtetit, mu hiq sysh mos të të shoh më. Dhe asaj juristes, a Jurit, si ma ka emrin, i thuaj të mos shkelë më në Uashington.

Kjo është e vërteta. A e keni vënë re këto vitet e fundit, që Blinken bredh sa andej këtej nëpër botë, si çifutët nëpër shkretëtirë? Nuk guxon të shkelë në Amerikë, se është non-grata. Edhe kur shkon ndonjëherë, rri pak ditë dhe ikën prapë. Se Bajdeni nuk e sheh dot me sy. Ndaj Andoni sajon gjasme udhëtime pune lart e poshtë, nëpër Europë, Azi, Afrikë, Amerikë Latine. Nuk ja mban po ju them.

Kjo e jona këtu është akoma më keq. Ka ngelur në Tiranë dhe bën si ambasadore, se ka frikë të kthehet. Se e di që sa të shkelë në tokën amerikane, do t’i thonë: Pa hajde këtu ti kukumjaçkë, ç’qe ajo që i bëre Salibit? E di ti që ai është shok me Bushët, Të Vjetrin dhe të Riun, me Reganin, Ajzenhauerin, Klintonin dhe Linkolnin? E di ti që ai ka thënë, this iz a mirakëll of fridom?

Ndaj rri Juri në Tiranë, o zotërinj! Është katandisur si mos më keq, po ju them. Njëherë m’u lut Erla, aman merre në punë Doktor, dhe jepi një rrogë si sekretare se ka një tufë kalamanj.

Po atë Eskobarin, që gjasme punon në Departamentin e Shtetit e keni parasysh? Edhe atë e kanë pushuar nga puna. Vjen vërdallë nëpër Ballkan dhe bën si gore, demek do vërë rregull në rajon. Uuu pika burrit!

Po puna nuk mbaron këtu. Së shpejti Amerika do shpallë non grata edhe Bajdenin. Se edhe ai është një kunadhe që s’e ka shokun. Ka qenë shok me Sorosin ndaj nuk e duan. Nuk e honepsin fare po ju them. Mua këtë ma tha Rupi, në qoftë se e njihni. Po ku do të njihni ju Rupin! Gjatë e ka Rupert, nga fisi i Murdokëve. Është pronari i madh i Foks Njuzit, njësoj si im bir tek Syri pikë kom.

Kështu pra, Rupi më siguroi se Bajdeni nuk e ka të gjatë. “Duro dhe pak”, më tha, “se ky Bajdeni maksimumi edhe njëzet vjet jetë ka, pastaj do ngarkojë mushkat për në Shish Tufinë”. E kishte llafin për Shish Tufinën e Amerikës, sa hyn në Uashington, majtas.

Por ama, edhe Rupi është çik bishtpërdredhur. Rrezik edhe atë e shpallin non grata. Se vajti e shkarkoi komentatorin kryesor të Foksit, Fakër Karlsonin. Dhe për çfarë? Se për shkak të gënjeshtrave që kishte thënë live për tre vjet rresht mbi zgjedhjet amerikane, Murdoku u detyrua të paguajë 700 e ca milionë dollarë për të mbyllur një gjyq! Dhe po bëhet gati të paguajë po kaq për një gjyq të ngjashëm. Po a shkarkohet Fakëri, komentet e të cilit janë botuar edhe tek syri? Është njësoj si Zeni të shkarkojë Fakër Pekën apo Adi Trastën! E paimagjinueshme…

Këto kisha për t’ju thënë të dashur shqiptarë. Amerika na e mori të keqen, se është shpallur non grata nga Amerika. Prandaj rrëmbeni ato cfurqe, hunj, drunj e lopata, dhe oburra të nisim revolucionin!           

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike grata e vinci

Video