
KURBIN – Edhe pse me shumë hezitim, qytetari i përmendur shpeshherë nga kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë kësaj fushate elektorale më në fund ka reaguar për Patronazhistin, duke i kërkuar atij të mos e përfshijë më në debate politike.
Banori i Kurbinit Noc Rroku, me një moshë të pacaktuar, i bën një thirrje të prerë kryeministrit Rama: “Me emrin tim është abuzuar gjithë këto vite pluralizëm, ndaj i bëj thirrje të mos më marrë më nëpër gojë! Boll kena hallet tona!”
I rikujtojmë lexuesit se Rama, për herë të fundit e përfshiu Nocin pa dëshirën e këtij të fundit, në një takim elektoral në qarkun e Gjirokastrës. Ai u bëri thirrje të pranishmëve në tubim, që të votojnë kandidatin e mazhorancës për kryetar bashkie, në të kundërt të mos kërkojnë rrugë të re nga qeveria.
“Po nuk votuat kandidatin tonë, mos u ankoni pastaj se keni mbetur me rrugë të vjetër. Votoni për ne, ndryshe keni për të marrë Noc Rrokun,” tha Rama.
***
Pas u vu në dijeni të këtij kërcënimi, Rroku deklaroi për Patronazhistin se kreu i qeverisë po u fryn dasive krahinore. “Zoti Rama e di që unë jam nga Kurbini, dhe as që kam ndërmend të shkoj në Gjinokastër për t’i bërë qejfin e tij. Noc Rroku ka pa veç punën e vet dhe nuk i ka ra kujt në qafë, aq më pak gjinokastritëve apo përmetarëve,” këmbënguli ai.
I pyetur nga Patronazhisti përse Rama e përmend kaq shpejt, Noci pasi u mendua pak, tha:
“Ndoshta zotni kryeministri më ngatërron me një lezhjan, Nua Rrokun. Po e mbani mend, për shumë vite në murin e ish-fabrikës së letrës në Lezhë qëndronte e shkruar me të madhe shprehja: ‘Pronë private! I zoti toks, Nua Rroku’. Nuk e di është bërë pronar Nua Rroku sot e kësaj dite, po unë nuk kam lidhje me të”.
***
Në retrospektivë, kërcënimet me Noc Rrokun janë një histori e vjetër në fushatat elektorale shqiptare. Madje disa arkeologë thonë se kanë gjetur artifakte të përdorimit të Noc Rrokut si paralajmërim se bashkëbiseduesi nuk ka për të përfituar kokërr gjëje, edhe para viteve 90-të. Sipas tyre, që në vitet 80-të qytetarë të pakënaqur bisedonin fshehtaz me njëri-tjetrin se kishin vajtur në dyqan për të blerë bukë, por morën Noc Rrokun; se shkuan të shefi i strehimit për të kërkuar apartament; për të blerë televizor, frigorifer, për të marrë mishin e racionit etj etj. Por në të gjitha rastet u dhanë Noc Rrokun.
Legjenda Noc-Rrokiane vijoi edhe pas rrëzimit të komunizmit. Parti e liderë të ndryshëm politikë, në fushatat e tyre elektorale premtonin gjithçka, por në fund votuesit merrnin Nocin e shkretë.
Një nga episode më emblematike u shënua në fund të vitit 1996, kur presidenti i atëhershëm Sali Berisha u premtoi shqiptarëve se paratë e tyre të pastra do t’u ktheheshin një më një nga firmat piramidale. Por shumica e shqiptarëve sërish morën Noc Rrokun.
Noci u përdor suksesshëm edhe nga kryeministri i ri, Fatos Nano, që i siguroi viktimat e piramidave se do merrnin shumicën e parave të humbura. Kuptohet se çfarë morën të gënjyerit.
***
Vetë Noci nuk e kupton sesi erdhi puna që emri i tij të lidhej me mashtrimin dhe mosmbajtjen e premtimeve. Ai vetë, thotë se në jetë ka qenë serioz, punëtor, ka mbajtur familjen dhe ka rritur e shkolluar fëmijët.
“Vetëm një herë, mbaj mend që ka ardhur një kandidat për deputet dhe më premtoi t’i gjejë punë çunit në Tiranë, sipas shkollës që ka kry. Ne vendosëm me ja dhanë votat si fis,” rrëfen ai.
Kur Patronazhisti e pyeti çfarë ndodhi më pas, ai u përgjigj:
“Si përfundim, kandidati u ba deputet, por unë mora Noc Rrokun…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike noc-rrokiane