THELLOHET SKANDALI / Zbulohet se Belua nuk ka kryer as filloren!

24 Prill 2023, 13:28Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotoja qe na tregoi Belua duke lozur tenis qe i vockel

TIRANA – Lajmi se kandidati i preferuar i një pjese të PD-së për të garuar për një pjesë të Tiranës kishte sajuar letrat e shkollës së mesme, është vetëm maja e ajsbergut, njoftojnë burimet për Patronazhistin.

Një investigim gazetaresk arriti pak ditë më parë në përfundimin se Belo Kërriçi është ndihmuar nga vëllai i madh (i cili nuk ka lidhje me Luizin) për të figuruar si maturant i shkollës së mesme në të cilën vëllai është anëtar i bordit. Pastaj i njëjti vëlla, që punon edhe në administratën e një universiteti në Amerikë, e ndihmoi që të rregjistrohet aty, të studiojë e madje ta mbarojë shkollën e lartë me vlerësimin “Suma”.

Por historia nuk mbaron me kaq. Sepse rezulton që i njëjti vëlla, e ndihmuar Belon të manipulojë edhe dëftesat e shkollës fillore.

Investigimi nxjerr në dritë se deklarata e Belos seai ka kryer shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë, nuk është e vërtetë. Patronazhisti mëson se edhe në këtë rast, ka qenë vëllai, asokohe në klasë të 7-të, ai që ka kryer një regjistrim fals të Belos që në klasë të parë, dhe ka bërë vazhdimisht detyrat e ka dhënë provimet në emër të Belos.

Duke biseduar me bashkëkohës të Belo Kërriçit, Patronazhisti konkludon se Belo vërtet nisej çdo mëngjes për të shkuar në shkollën “Pjetër Budi”, por nuk hynte brenda.

“Jo, Belua që në klasë të parë hidhte në shpinë çantën me raketat dhe topat e tenisit – se e kishte pasion që i vogël – dhe futej në një lokal pranë shkollës ku luante bilardo gjithë ditën, pastaj kthehej në shtëpi,” pohon për rubrikën tonë bashkëkohësi i Belos, Jurgen Kapaku. Sipas tij, me kalimin e viteve Belua filloi të piqej, dhe pavarësisht se çdo mëngjes hidhte në shpinë çantën e raketat dhe topat e tenisit, tashmë hoqi dorë nga bilardoja dhe filloi sporte të tjera, si tavëll, yç, topa-djegësi etj.

Këtë fakt e pohojnë edhe bashkëkohësit e tjerë të Belos, si Çet Karburanti, Mimoza Karfica, Dino Hashurja, Belinda Kopuku etj.  

Në kuadër të parimeve të shenjta të gazetarisë së mirë, Patronazhisti pyeti mbi këtë zbulim të ri edhe vetë Belo Kërriçin, i cili e përgënjeshtroi katërcipërisht se nuk kishte krye as filloren, pas 9-vjeçaren.

“Thashethemet se unë nuk kam kryer as ciklin e ulët, janë shpifje të ulëta,” tha kandidati, “ashtu siç akuzat se nuk kam kryer të mesmen, janë shpifje të mesme. E para, unë jam kampion kombëtar në tenis, ja dhe fotot që e tregojnë. E dyta, unë kam frekuentuar rregullisht shkollën 9-vjeçare Pjetër Budi. Për këtë, kam dhe një vërtetim të shkruar me dorën e vet nga zoti Pjetër!”

Dhe Belo hodhi në shpinë çantën e raketat dhe topat e tenisit, dhe u nis për të lozur volejboll me shokët.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike parazgjedhore

Video