
Nga Batak Çiu
Tragjeditë e mëdha dhe të vogla shqiptare nuk rreshtin së përsërituri as në shekullin e 21-të. Historinë e tyre moderne e përshkon një fill i hollë, gati i padukshëm që vetëm së fundmi ka nisur të vihet re dhe të studiohet nga ekspertët.
I pari që e ka meritën se ringjalli, rilindi e risolli në aktualitetin politik dhe në fjalorin post-modern të Shqipërisë së re konceptin dhe termin në fjalë, është Edvin K. Rama. Në mos për gjë tjetër, ai do të mbahet mend për debatet inteligjente publike dhe për karakterizimin sa elegant, aq edhe të drejtpërdrejtë që u ka bërë në vite kundërshtarëve politikë. Prandaj mund të atribuohet si e tija, shprehja lapidare për konkurrentët:
“Me këta duhet të kesh dy B. Një ta mbash, dhe një ta çash!”
Dhe me këtë ka zbuluar një të vërtetë të hidhur: Shqiptarët, në nivel kombëtar apo lokal, në periudha e epoka të ndryshme, për çështje të vogla e të mëdha, shpeshherë janë vënë në dilemën se cilën mes dy B-ve duhet të zgjedhin. Cilën duhet të mbajnë. Kë duhet të çajnë?...
***
Dy B-të më strategjike që janë piketuar së fundi nga studiuesit, shkojnë pas në luftën e dytë botërore, kur shqiptarët duhej të zgjidhnin mes Bllokut anti-fashist dhe forcave të Boshtit. Më pas erdhi përplasja mes Bllokut lindor komunist dhe Bllokut perëndimor. Një histori e gjatë dhe e trishtë që i zhgënjeu jashtëzakonisht shqiptarët: Sepse pavarësisht se cilën B zgjidhnin, gjithnjë ua çanin.
Me rrëzimin e diktaturës komuniste, më në fund shoqëria mendoi se po agonin ditë të Bardha. Ata e zgjodhën gjithë gëzim këtë ngjyrë, por në fakt për shumë e shumë vite, ditët e tyre në të vërtetë ishin Bezhë, më e pakta.
Të çoroditur dhe të pamësuar me opsionet e shumta të zgjedhjes, shqiptarëve edhe një herë iu ofrua të zgjidhnin më të preferuarin e tyre, mes Berishës dhe Bacës Namik. Ata zgjidhën B-në e parë dhe Baca Namik (Hoti), kreu i të parës Parti Ekologjike Shqiptare u la në harresë.
Pas shumë peripecive, Berisha u rrëzua nga pushteti dhe në fillim të viteve 2000, shqiptarët hynë në mijëvjeçarin e ri gjithë shpresa të ringjallura se më e keqja kishte kaluar. Kjo periudhë vërtetoi edhe një herë se ashtu si Teoria e Relativitetit, edhe Teoria e Dy B-ve mbetet e pakontestueshme. Kështu, në fillim të viteve 2000 fitoi zgjedhjet presidenciale amerikani Bush, ndërsa në Itali erdhi kryeministër Berluskoni. Demokratët shqiptarë besuan se kishte ardhur koha e B-ve, por e kishin gabim. Në nivel global, bota kishte zgjedhur të mbante dy B-të e mëdha, ndaj B-ja e vogël shqiptare, Berisha, nuk kishte rrugë tjetër veçse të çahej në zgjedhjet parlamentare të 2011-it. Por.. vini re: Berisha fitoi në 2005-ën, vetëm sepse Berluskoni do humbiste pak muaj më pas, përballë Romano Prodit. Pra, në planin afatgjatë, edhe njëherë globi kishte zgjedhur dy B-të e veta…
***
Përgjatë mjegullave të historisë, shqiptarët gjithnjë kanë ecur me krenarinë dhe kokëfortësinë e atij që në fukarallëkun e vet, nuk ka asgjë për të humbur. Ndaj i është dashur të provojë gjithçka, e të mos e humbasë toruan edhe nëse humbet gjithçka. Nga kjo filozofi jete kanë dalë dhe shprehjet e arta: “Mos e çaj, B-në… E mo na plasi B-ja… Ti je i zgjuar, këtë punë e bën me B… A ta mban B-ja?”, etj etj.
Por ndërkohë, dilema e zgjedhjes mes dy B-ve nuk ka rreshtur së paraqituri mizorisht përballë shqiptarëve.
Shqipërisë iu paraqit si Mesia e re e demokratëve, zoti Basha. Dhe prezantimin e bëri as më pak e as më shumë, por vetë B-ja e madhe, Berisha. Iluzioni se dy B-të mund të jetonin bashkë me harmoni nuk zgjati shumë. Zgjedhjen e parë e bënë amerikanët: Vendosën të mbanin B-në e vogël dhe të çanin B-në e madhe. Por ja që shqiptarëve nuk ua mbushi mendjen kjo përzgjedhje e imperialistëve, prandaj ata po kryejnë vetë një tjetër raund zgjedhjesh. Dhe nuk kanë faj. Së fundi Berisha sapo u tregoi atyre me video se Basha takohej fshehtaz me Ballën. Pra me një B nga kampi tjetër. Si ka mundësi që dy B të vogla thurrin komplote kundër B-së së madhe? Po kjo nuk ka B ku të rrijë!
Dhe për në fund. Përballja më pikante mes B-ve ka për të ndodhur në Shkodër. Shkodranët duhet të zgjedhin mes Bardhit dhe Benetit, të dy shkodranë, të dy të djathtë, por njëri, Beneti, është goxha më pehlivan se tjetri dhe ka ca vite që i pret timoni majtas. Në të vërtetë, Beneti thotë se nuk shkoi majtas, por ishte Edvin K-ja ai që ktheu djathtas për ta takuar. Me gjasë nuk e ka keq.
Pra, cilën B do zgjedhin shkodranët? Kë do mbajnë e kë do çajnë?
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që pranon herë pas here komente analistësh të pavarur emri i të cilëve fillon me B