ZGJEDHJET / Rama shokohet, i del fitorja jashtë kontrollit: Tani do duan të gjithë lekë!

16 Maj 2023, 17:14Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Rama i shokuar pasi nuk i dalin hesapet e fitores

TIRANË – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u entuziazmua pa masë nga fitorja publiçitare në zgjedhjet lokale të 14 majit. Kishte bërë njëfarë parashikimi dhe e dinte se pak më shumë se gjysma e 61 bashkive do t’u takonte socialistëve, duke llogaritur investimet në qytet e në fshat, miliona vendet e punës që kishte hapur, pesëfishimin e të ardhurave për frymë etj, etj, por prapë suksesi i hatashëm e zuri pa mendje.

Por ishte edhe dikush që u mërzit e u pikëllua sa s’thuhet nga kjo fitore: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama. Kur ky i fundit kuptoi përmasat e fitores socialiste, e zuri frika, nxorri një tufë lapsash me ngjyra dhe nisi të bëjë ca llogari mbi disa fletë vendimesh të qeverisë. Shfrynte, turfullonte, fshinte me gomë, i bënte letrat top dhe i hidhte në kosh – megjithëse asnjë letër nuk hyri në kosh – për t’i nisur hesapet nga e para. Llogaritë nuk dilnin.

Në fund, kryetari i qeverisë mori në telefon kryetarin e partisë dhe i tha me pezm: “U gëzove shumë për fitoren, mo pasha? Tani bëji shurrën bahçes!”

***

Kryeministrit iu kujtua ajo barcaleta e vjetër, kur pyetjes se ç’do bëjë Shqipëria sikur ta sulmojë Amerika, një xhaxho nga Vlora iu përgjigj: “Amerika dhe mund të fitojë, se është fuqi e madhe. Po unë kam hall se po fituam ne, kush do e mbajë me bukë gjithë atë Amerikë?”

Ec e thuaj pastaj se nuk dalin ëndrrat. Ja, Amerika sulmoi dhe fitoi. Doktorin e shkërmoqi bashkë me infermierët dhe pacientët e tij, duke ua hapur rrugën autostradë – çfarë ironie – pikërisht socialistëve. Tani, shyqyr që fitoi dhe nuk humbi, por doli një problem i madh: Kush do t’i mbajë me bukë demokratët?

Kryeministrit iu rikthyen në mendje të gjitha premtimet që kishte bërë gjatë fushatës: Shkodra do përmbytej jo më nga ujërat, por nga investimet; Korçës do t’i kalonte një lumë i madh mespërmes; në Kukës do ndërtohej një port i ri detar; një liman i madh jahtesh do bëhej në Ersekë; në Durrës do t’i jepej prioritet turizmit alpin, një urë e re do lidhte Gjirokastrën me Ulqinin, etj etj.

“Tani duhen mbajtur të gjitha bashkitë me lekë. Ku t’i gjej kaq shumë? Edhe sikur të shes shtëpinë në Surrel, prapë nuk dalin!”, i bërtiste në telefon kryetarit të PS-së, “u tregove nepsqar, i doje të gjitha për vete zotrote, që mos u ngopsh jarebi”.

Edhe kreu socialist e kuptoi që e kishte humbur seksin e masës. Orët e fundit të numërimit të votave, vendosi të lëshonte pe tek-tuk. Lëshoi Himarën, pastaj Kavajën… por prapë ishte pak, shumë pak. Lëre pastaj, që edhe kandidatët fitues të opozitës, kërkuan menjëherë të bashkëpunonin me qeverinë për investime dhe për të mirën e komunitetit… 

***

Sipas hesapeve të kryeministrit Rama, duheshin dy buxhete vjetore për të mbajtur bashkitë socialiste me të paktën gjysmën e investimeve të premtuara, si dhe me rroga për administratën. Për këtë, duheshin taksuar dyfish demokratët. Por këta ishin tretur, zhdukur si t’i kishte përpirë dheu: Ose ishin bërë socialistë të thekur, ose kishin ikur tufa-tufa me gomone në Gjermani.

Kryeministrit po i binte tensioni. E kishte gojën helm. Duke iu rikthyer llogarive, mori instinktivisht një banane, e qëroi dhe nisi ta hante për të mbledhur stomakun. Befas u kthjellua.

“Ja zgjidhja”, tha me vete, “import-eksport bananesh. Do bëhemi superfuqia e bananes në Ballkan. Do gëlojnë portet tona nga kontejnerët e bananeve. Si nuk më kishte shkuar mendja më parë? Bile do shpik një term të ri, të padëgjuar më parë: Nuk do duhemi më Shqipëri, por Republikë Bananesh!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike post-zgjedhore   

Video