
TIRANË – Ish-kryetari i Partisë Demokratike i vendosur nga Sali Berisha, njëherësh ish-ministër Transporti, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-ministër i Brendshëm – i vendosur nga Sali Berisha – njëherësh deputet anonim i PD-së – i larguar nga Sali Berisha për të vetmin rast tradhtie, kur ai zgjodhi Amerikën në vend të Berishës, pra Lulzim Basha, shënoi rikthimin në politikën aktive të klasit të lartë, duke uruar me zemërgjerësi për fitoren, presidentin e Turqisë Rexhep Tahip Erdogan.
“Urime për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në raundin e dytë, dhe mirë se u ktheve mes nesh liderëve, zoti Erdogan,” e uroi Basha Erdoganin me altruizmin që e karakterizon, duke e ripranuar në gjirin e liderëve të mëdhenj të rajonit.
Kujtojmë se në raundin e parë të presidencialeve, Erdogan u duk sikur rrezikonte seriozisht të humbiste pushtetin përballë kundërshtarit Këllëç Daroglu, i cili është farefis i largët i Belind Këllëçit. Ky do të ishte një skenar shumë i papëlqyer për Lulin, i cili as e imagjinonte se mund të uronte rivalin e Erdoganit, “Urime për fitoren, zoti Këllëç Daroglu”. I shkuan të dridhura kur e mendoi. Por shyqyr që punët shkuan mbarë.
***
Megjithatë Basha nuk u mjaftua me urimin e Erdoganit. Ai e di se që të quhesh lider i vërtetë, nuk mjafton vetëm një urim. Duheshin shumë, dhe para se të vinte radha e presidentit turk, Basha kishte përgëzuar shumë njerëz të shquar që kishin dalë fitues në punë dhe në jetë.
Kështu, më herët Basha kishte uruar governatorin republikan të Floridës Ron DeSantis, për shpalljen zyrtare të kandidaturës për president në SHBA; 20 vjeçarin nga Hasi, Hekuran Vrokollaku, për kalimin me sukses të kanalit të Lamanshit, si dhe skuadrën e futbollit të shkollës 9-vjeçare “25 Heronjtë” të fshatit Mbreshtan, për fitoren 2-1 ndaj shkollës homologe të fshatit Peshtan.
Në vijim, Basha i dërgoi telegram urimi për fitoren, kryeministrit grek Micotaqis, ekipit të futbollit Korabit për kalimin në kategorinë superiore, 65 vjeçarit paraplegjik Zef Katrani që më në fund fitoi Kemp-in. Një urim i veçantë i shkoi skafistit vlonjat Neço Kërma, që ja doli të kalojë në shpejtësi Guardia di Finanzën dhe ta dërgojë me sukses mallin në Itali.
“Suksesi juaj sportive na jep shpresa se e ardhmja e skafizmit shqiptar është e garantuar. Qeveria ime do të bëjë të pamundurën për këtë,” shkruante mesazhi i Bashës.
***
Me një fizik dukshëm të tonifikuar, dhe muskujt që gati po i shpërthenin bluzën, ish-kreu i PD-së Basha mblodhi një tufë të rinjsh para pak ditësh, dhe i uroi ata për fitoren që kishin arritur, dmth që ja kishin dalë të vinin në takimin me të. Edhe pse shumë të pranishëm ja bënë të qartë se nuk ishin sforcuar shumë, pasi kishin marrë nga 20 mijë lekë për të ardhur – 50 mijë lekë morën ata që bënin pyetje – Basha e anashkaloi këtë pjesë dhe deklaroi se politikës shqiptare i duhen njerëz të rinj.
“Mjaft më me vjetërsirat politike që kanë kaluar nga posti në post dhe s’kanë qullosur asgjë, sepse kanë qenë kukulla të të tjerëve,” tha prerë Basha, “tani është radha jonë, e brezit të ri”.
Teksa po vazhdonte fjalimin, e njoftuan se 12 vjeçari Jurgen Kokpalari kishte fituar në lojën kompjuterike “Beteja e tankeve”.
“Me këtë rast, urojmë per fitoren e rëndësishme edhe Jurgenin. Me këta të rinj, e ardhmja e tankeve shqiptare është e garantuar,” deklaroi Basha.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-manekin