LAJMI I FUNDIT / Deputeti Vandul Gjeli braktis politikën, do t’i kushtohet muzikës kishtare!

24 Maj 2023, 18:30Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vandul Gjeli (në rreth) në moshën e rinisë, pjesë e grupit muzikor bizantin 'Tope-tope o papagalos'

DERVIÇAN / HIMARË – Ka rënë si rrufe në qiell të vranët deklarata e fundit për shtyp e deputetit Vandul Gjeli, njëherësh kryetar i Partisë Beleri Dërgon Ngjala, PBDNJ, se duke nisur nga dita e nesërme ai do ta braktisë politikën dhe do t’i kushtohet muzikës kishtare.

Deputeti i njohur, i cili mandatin aktual parlamentar e fitoi si pjesë e listës opozitare pasi kishte marrë plot 800 vota, bën me dije se do të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet politike, benefitet parlamentare, pagesat ekstra për shpenzime udhëtimi, bonuset për pjesëmarrje në komisionet parlamentare, kafet dhe kruasanët me gjysmë çmimi në bufenë e parlamentit, dhe në përgjithësi nga të gjitha të mirat materiale të kësaj bote.

“Të dashur zgjedhësit e mi”, iu drejtua Vanduli 800 votuesve të tij, nga të cilët më shumë se gjysma janë penduar që e votuan, ndërsa pjesa tjetër ka pranuar botërisht se kishte vënë kryq mbi emrin e tij në fletën e votimit, duke besuar se kështu shprehnin mospëlqimin ndaj tij, dhe jo preferencën.

“Nga nesër unë heq dorë nga mandati parlamentar, i neveritur nga kjo politikë e ndyrë që nuk mendon fare as për popullin shqiptar, as për minoritetin grek, atë maqedonas, malazez dhe as për pakicat italiane në Shqipëri. Do t’i kushtohem muzikës kishtare, që ka qenë pasioni im i rinisë, dhe do bëjmë videoklipe dhe albume. Para dy ditësh, mua si kryetar i PBDNJ-së, zoti Beleri më Dërgoi Ngjala nga qelia ku ndodhet, për të më treguar sesi e keqtrajtojnë autoritetet diktatoriale shqiptare. Merri dhe haji më tha, se i kam të restorantit tim në Himarë dhe do më prishen. Duke qenë se atyre politikanëve në Shqipëri që kanë ngrënë ngjala, u ka vajtur mbarë e mirë, unë vendosa të zgjedh rrugën time”, deklaroi Gjeli, duke kundruar me nostalgji disa foto të vjetra kur këndonte si soprano në kishën e Derviçanit.

***

Vandul Gjeli është pjesë e atij grupi të lavdishëm politikanësh në Shqipëri, që kanë lënë mënjanë ëndrrat dhe pasionet e rinisë, për t’iu kushtuar përparimit dhe modernizimit të vendit sapo lanë bangat e shkollës. Për rrjedhojë, në borderonë e tyre ata nuk kanë firmosur për asnjë zanat tjetër përveçse si deputetë, kryetarë partish, tek-tuk ministër ose zv.ministër dhe maksimumi, si drejtorë drejtorish.

Kjo mangësi i ka gërryer përbrenda gjatë viteve, por si shumë të tjerë, edhe zoti Gjeli i ka dhënë karar vetes se jeta ka sakrifica. Duke përfaqësuar minoritetin grek, Vandul Gjeli ka qenë dëshmitar krenar sesi nga mandati në mandat, votuesit, të kënaqur nga performanca e tij, bashkë me shumë shqiptarë janë larguar fillimisht drejt Greqisë e pasaj nga sytë-këmbët, nëpër Europë e Amerikë. Duke mos bërë asnjë ditë pushim, herë në pushtet me të djathtën e herë me të majtën, e herë me të dy bashkë, organizmi i brishtë i Vandulit u mësua me ritmin frenetik të punëve në të mirë të popullit. Kjo qe dhe arsyeja pse mënjanimi i viteve të fundit nga postet ekzekutive, i ka kushtuar rëndë fizikisht dhe psikologjikisht.

“Ky vend nuk bëhet,” vijoi deklarata e zoti Gjeli, duke shtuar se do t’u hapë rrugën brezave të rinj.

“Shpresoj që ata të bëjnë diçka më shumë. Unë nuk kam luftuar as për dy shtëpitë që kam në Tiranë, as për banesat në Himarë, Sarandë, Janinë dhe Athinë, por për të lidhur ura miqësie mes popujve. Por më penguan, madje edhe tenderat e urave ja dhanë dikujt tjetër. Po kjo është e tmerrshme, zotërinj!”

Në fund, lidhur me karrierën e tij të re Vandul Gjeli njoftoi se janë drejt përfundimit albumet muzikore të titulluara ‘Dhimitrulla mu’, dhe ‘Jasu Vangjellaki’.

“Fitimet nga shitja e këtyre albumeve do t’u shkojnë shtresave në nevojë,” sqaroi Gjeli, “dmth do ndërrojmë pllakat e banjove të shtëpisë sime në Janinë”.

P.S. Patronazhisti sapo mësoi se tani për tani deputeti Vandul Gjeli e ka anuluar dorëheqjen, pasi e njoftuan se rrogat e deputetëve do të dyfishohen. “Ky vend edhe mund të bëhet,” reflektoi zoti Gjeli. 

Video